Kryediplomati i Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka kritikuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke deklaruar se vendimi përmban gabime faktike dhe përmbajtjesore. Konjufca ka kërkuar që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit, ndërsa ka theksuar se drejtësia duhet të mbështetet në fakte e prova dhe të garantojë paanshmëri për të gjithë. “Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime në fakte dhe në përmbajtje. Ne presim që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, të mbështetet në fakte dhe prova dhe të garantojë një proces të drejtë për të gjithë”, ka deklaruar Konjufca. Ai ka theksuar gjithashtu se aktgjykimi i fundit i Dhomave të Specializuara ka nxitur reagime të forta në Kosovë, duke e cilësuar vendin si popull dhe shtet viktimë të luftës. “Si popull viktimë, si shtet viktimë, Kosova ka bashkëpunuar me tribunalin e Hagës, me gjykatat dhe organet e tjera të OKB-së, si dhe me gjykatat e veta, në ndjekjen dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike”, ka thënë ai. Deklaratat e Konjufcës në Këshillin e Sigurimit vijnë në një kohë kur aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të jetë në qendër të debatit publik në Kosovë, ndërsa procesi i apelit mbetet faza ku mbrojtja mund të kundërshtojë gjetjet e trupit gjykues.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
