33 të arrestuar pas protestës në Tiranë, 271 arrestime gjatë shtatë ditëve të tubimeve

Policia e Tiranës ka arrestuar 33 persona dhe ka proceduar penalisht 41 të tjerë pas protestës së zhvilluar të hënën në kryeqytetin shqiptar. Në mesin e të arrestuarve janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç. Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, personat e arrestuar dyshohet se gjatë protestës kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta në drejtim të efektivëve dhe automjeteve të Policisë. Po ashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar kosha të mbeturinave dhe tabela të sinjalistikës rrugore, duke përdorur sende të forta dhe zjarr. Si pasojë e incidenteve të regjistruara gjatë tubimit, shtatë punonjës policie kanë mbetur të lënduar, bëhet e ditur në njoftimin e Policisë. Ndërkohë, sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, numri i përgjithshëm i personave të arrestuar gjatë shtatë ditëve të protestave ka arritur në 271. Policia ka bërë të ditur se 51 prej tyre kanë precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të narkotikëve, prostitucion, vjedhje, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Në listën e veprave të evidentuara nga autoritetet përfshihen gjithashtu kanosja për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta, pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme, veprat penale kundër punonjësve të Policisë, si dhe shkeljet në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor. Të dhënat janë bërë publike nga Policia e Tiranës në kuadër të raportimit për veprimet e ndërmarra gjatë protestave. Akuzat ndaj personave të arrestuar mbeten pretendime të autoriteteve deri në përfundimin e procedurave përkatëse ligjore.

Kontrolloni gjithashtu

Gjykata Speciale në Hagë pranon prova për raportet UÇK–FARK dhe aktivitetet e Jakup Krasniqit në LDK

Gjykata Speciale në Hagë ka bërë publike një vendim të tetorit 2025, përmes të cilit …