Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar si hap pozitiv reagimin publik të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ligjin e ri të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Limaj ka deklaruar se dalja publike e Trendafilovës për të dhënë sqarime përbën, sipas tij, një nga shenjat e para të ndikimit që mund të ketë ligji i ri. Ai ka theksuar se reagimi i drejtueses së Dhomave të Specializuara erdhi pas veprimeve konkrete të institucioneve të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se ky zhvillim duhet parë në kontekstin e mungesës së komunikimit dhe transparencës që, sipas tij, e ka karakterizuar këtë institucion gjatë viteve të fundit. Limaj ka sqaruar se, sipas vlerësimit të tij, Trendafilova nuk e ka komentuar drejtpërdrejt ligjin e miratuar nga Kuvendi, por është përqendruar në sqarimin e bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara. Ai ka thënë se kryetarja e këtij institucioni është treguar e kujdesshme në deklarimin e saj, duke mos hyrë në interpretimin e legjislacionit të Kosovës. “Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj me dalë me i dhënë disa sqarime e prononcime. Pavarësisht çka tha, kjo tregon efektet e para të ligjit”, ka deklaruar Limaj. Ai ka kritikuar gjithashtu mënyrën e komunikimit të Dhomave të Specializuara me qytetarët e Kosovës, duke pretenduar se institucioni për një kohë të gjatë ka funksionuar me mungesë transparence dhe komunikimi publik. Sipas Limajt, fakti që Trendafilova ka dalë publikisht për të dhënë sqarime është i rëndësishëm, pasi ky institucion zhvillon procese gjyqësore që lidhen me Kosovën dhe qytetarët e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
