Të nderuara familje të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nderuar bashkëluftëtarë, miq, të afërm dhe të gjithë ju të pranishëm, Sot është një nga ato ditë kur fjalët bëhen të vogla përballë dhimbjes që kemi. Jemi mbledhur këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëluftëtarit, veteranit, invalidit të UshtrisëÇlirimtare te Kosovës, njeriut që një pjesë të jetës së tij ia kushtoi lirisë dhe atdheut. Sot po e përcjellim për në banesën e fundit Naim Demir Rizanin. Dhe është shumë e vështirë të flasësh për një njeri me të cilin ke ndarë jo vetëm një rrugë, por edhe rreziqe dhe sakrifica.
Naim Demir Rizani u lind më07.05.1970 në Krojmir të Drenicës, në një familje të njohur për trimëri, bujari dhe përkushtim ndaj atdheut. Që në moshë të re, Naimi u përfshi në veprimtarinë ilegale të kohës, duke dhënë kontributin e tij në përpjekjet për çlirimin e Kosovës, si anëtar i organizatës “Komiteti Kombëtar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”. Ai nuk priti që rruga e lirisë të bëhej e lehtë. Ai e zgjodhi atëherë kur ajo ishte e vështirë, atëherë kur kërkonte guxim, sakrificë dhe vendosmëri. Në pranverën e hershme të vitit 1993, Naim Rizani, së bashku me një grup veprimtarësh dhe luftëtarësh të lirisë, udhëtoi për në Shqipëri, ku qëndroi dhe u stërvit për rreth katër muaj. Pas përfundimit të stërvitjeve, ai u kthye në Kosovë dhe nuk u largua asnjëherë, I qëndroi besnik betimit të dhënë dhe rrugës për liri . Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i rreshtuar në Batalionin e II-të “Ruzhdi Salihu” të Brigadës 121 ISMET JASHARI-KUMANOVA mori pjesë në beteja dhe aksione, duke u dalluar për guxim, përkushtim dhe trimëri Për Naimin, betimi nuk ishte vetëm fjalë. Betimi ishte përgjegjësi, ishte rrugë, ishte jetë. Ata që e njohën Naimin e dinë se ai nuk ishte njeri që kërkonte të fliste për veten ishte i qetë, fjalëpak, i matur dhe i përmbajtur. Nuk kishte nevojë për shumë fjalë për të treguar se kush ishte. Fliste me veprat e tij. Në ditët kur duhej guxim, ishte aty. Në ditët kur duhej qëndresë, ai qëndronte. Në ditët kur duhej sakrificë, ai nuk pyeste se sa do t’i kushtonte. Ai e dinte se rruga e lirisë kishte çmim dhe ishte i gatshëm ta paguante atë. Këto janë vlera që nuk harrohen dhe që nuk mund të fshihen nga koha.
Pas përfundimit të luftës, Naimi nuk e konsideroi të përfunduar detyrën e tij ndaj vendit. Lufta kishte mbaruar, por përgjegjësia ndaj Kosovës për të vazhdonte. Ai vazhdoi të kontribuonte në ndërtimin e Ushtrisë së Kosovës. Si epror i TMK-së, në Brigadën 313 “Ismet Jashari – Kumanova”, ai vazhdoi t’i shërbente vendit me të njëjtin përkushtim, disiplinë dhe përgjegjësi.
Sot po të japim lamtumirën e fundit, por jo edhe harresën. Sepse harresa nuk është për njerëzit si ti. Ti do të mbetesh në kujtesën tonë, në kujtesën e Krojmirit, në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe në kujtesën e Kosovës. Ishte nder të të kishim bashkëluftëtar, ishte nder të ndanim me ty ditët e vështira, ishte nder të ecnim bashkë në rrugën e lirisë dhe do të jetë përgjegjësi e jona të mos e harrojmë kurrë njeriun që ishe dhe rrugën që e more. U prehsh në paqe, Naim. I përjetshëm qoftë kujtimi për Naim Demir Rizanin. Lavdi jetës dhe veprës së tijë. 31.08.2026 Elez DURMISHI
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
