Isa Ferizaj: KUSH PO I VRET SHQIPTARËT ?!

Isa Ferizaj: NATYRA “DEMOKRATIKE” E KETIJ SISTEMI JODEMOKRATIK

“Demokratikasit” djathtistë” e “majtistë” të të gjitha buçepartive borgjeze antishqiptare ka afro tridhjetë e gjashtë vjet që çirren duke vënë në dukje “krimet”, sipas tyre, të “komunizmit”. (Mjeranët varfanjakë intelektesh, s’e dallojnë Socializmin, nga Komunizmi!!)
Fryma e idealeve atdhetare dhe komuniste, ngriti në këmbë një komb të tërë kundër sistemkalburit çnjerëzor feudo-borgjez, por edhe kundër pushtuesve fashisto-nazist.
Me këtë frymë jetëdhënëse, kombi ynë u çlirua, si nga pushtuesit, ashtu edhe nga klasat barbare që e kishin shtypur e shfrytëzuar çnjerëzisht, me shekuj me radhë, por edhe nga tradhtarët që u bashkuan me pushtuesit, në LANÇ.
Fryma e idealeve atdhetare e komuniste krijoi FANÇ në zjarrin e luftës çlirimtare partizane.
Fryma e këtyre idealeve, organizoi popullin, në luftën për shërimin e plagëve të vjetra e të reja, në trupin e drobitur të Shqipërisë e të popullit shqiptar dhe, e ngritën Shqipërinë në këmbë, e bënë atë të ecë krenare, me forcat e veta, drejt horizonteve dritënore dhe lartësive diellmbuluara.
Kjo frymë e bëri Shqipërinë modelin e frymëzimit, për mbarë popujt liridashës të botës. Këto ideale e çliruan njeriun e lirë dhe e aftësuan që t’i dalë zot atdheut e kombit në çdo situata, sado të vështira ato; e bënë shqiptarin Zot shtëpie në shtëpinë Shqipëri; e mësuan, e kulturuan, e përgatitën popullin që edhe të punonte e ndërtonte vendin e tij, edhe të mësonte e të kalitej për t’iu bërë ballë situatave të vështira; e ulën krenarisht shqiptarin, krejt të barabartë e, pse jo, edhe më lart me nivelet e huaja intelektuale, në çdo lloj tavoline takimi e bashkëbisedimi të niveleve nga më të lartat intelektualo-politiko-diplomatike.
Ajo frymë jetëdhënëse, vëllazëroi e lidhi edhe më ngusht shqiptarët me njëri-tjetrin.
Me atë frymë dritëruese mendjeje dhe zemre, Shqipëria u bë me Universitet, me Akademi Shkencash dhe me Gjuhë Shqipe letrare të standardizuar, etj., etj. si këto, të panumërta, arritje këto, vitesh tona heroike që, të tjerët i kishin arritur me mundime shekujsh.
Thuhet sot se “komunizmi burgosi 35.150 shqiptar, për 45 vjet të veprimit të tij, por s’thonë se ky kapitalizmi i tyre, për 35 vjet, pra 10 vite më pak se “komunizmi”, burgosi 382 000 shqiptarë.
Thuhet sot se, ” komunizmi” paskej vrarë rreth 6000-8000 shqiptarë, për 45 vjet, kur ky sistemi kapitalist, vetëm brenda një viti, si ai 1997, ka vrarë disa fish më shumë, pa përmendur të gjitha llojet e vetëm këtij krimi, ndodhur për 35 vjet, por pa përmendur edhe gjitha llojet e tjera të vdekjeve për shkaqe të mosfunksionimit të shtetit, pa përmendur vrasjet për gjakmarrje e hakmarrje, pa përmendur vdekjet e zhdukjet e shqiptarëve të Shqipërisë “demokratiko”-borgjeze, rrugëve të botës e, në kurbet, pa përmendur …!!!
Shqipëria borgjeze u shpopullua, u poshtërua, iu hoq mëvetësia dhe ushtrimi kushtetues prej saj të sovranitetit; u përdhunua nga pushtete përdhunimi dhe, u kthye në vend-ferr jete për popullin e saj të thjeshtë, liridashës e atdhetarë. Iu mbyllën shkollat, iu zhduk shërbimi shëndetësor falas, iu zhgarravit historia, iu ndot lavdia, iu vra emri dhe zëri i saj, u kthye në një oaz për lulëzimin e të gjitha llojeve të krimit e, në një shkretëtirë morale vlerash njerëzore.
Ky sistemi allademokratikas borgjez, ia shkatërroi me themel e me sistem gjithë bazën dhe strukturën ekonomike të ndërtuar nga populli për afër një gjysmë shekulli; e përçau kombin dhe mbyti shpirtin e tij të krenarisë, liridashjes dhe atë më të rëndësishmen, ndjenjën e punës.
Sot portreti i Shqipërisë ngjan me atë të nenëmjerës mbetur me duar në gji e, që kafshohet gjithskajshëm për vdekje nga bishënaja e krimit dhe, nga hienat shovene rreth e rrotull saj. Sot Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë dalëzotës shqiptarë, pasi ata janë të tradhtuar, të grabitur, të prerë në besë, të lënë në mëshirë të fatit, hedhur në greminëterrtën ku nuk duket dritë jete e, as shpresë shpëtimi.
Ja, o shqiptarë, këto që thashë janë një grimcë nga maja everestiane ku qenë ngritur e ngjitur Shqipëria dhe shqiptarët, por edhe një grimcë tjetër e ferrjetës ku e degdisi borgjezia dhe krimi që e ushqen pushtetin e saj, Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju, vëllezër atdhetarë, shqiptarë të ndershëm, jeni në gjendje të dalloni krimet dhe kriminelët e vërtetë, edhe duke pasur parasysh atë sentencën e urtësisë popullore që thotë: “Hajduti thërret: -Kapeni, more, hajdutin!”

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: GJITHMONË NË SAFIN E PARË

Ese politike për njerëzit e partisë KFE – “Kah Fryn Era” Ka njerëz që gjatë …