Ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, u ka bërë thirrje partive politike që të tejkalojnë dallimet partiake dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke vlerësuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik dhe institucional. Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Walker ka paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit dhe mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja mund të ndikojnë negativisht në përparimin që Kosova ka arritur ndër vite. Sipas tij, në këtë proces partitë duhet t’i lënë mënjanë interesat dhe përkatësitë politike, duke u fokusuar në gjetjen e një figure që do të mund ta bashkonte shoqërinë dhe institucionet e vendit. “Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, ka deklaruar Walker. Ai ka theksuar kështu nevojën për kompromis ndërmjet forcave politike, në mënyrë që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos thellojë më tej përçarjet politike dhe të mos pengojë funksionimin normal të institucioneve të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
