Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka mbajtur mbledhjen e rregullt, gjatë së cilës janë shqyrtuar dhe miratuar disa pika të rëndësishme të rendit të ditës, përfshirë Planin Komunal për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve, ndryshimet në Statutin e Teatrit të Qytetit “Adriana Abdullahu”, çështje pronësore dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Mbledhjen e ka hapur Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi. Të pranishëm në mbledhje ishin anëtarët e Kuvendit të Komunës, si dhe drejtorët e drejtorive komunale.
Gjatë mbledhjes, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Dr. Kemajl Emini, ka paraqitur propozim-vendimin për miratimin e Planit Komunal të Ferizajt për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve për periudhën 2026–2028. Kjo pikë është miratuar unanimisht nga anëtarët e Kuvendit të Komunës.
Ndërkaq, drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Gazmend Bytyçi, ka paraqitur propozim-vendimin për miratimin e plotësim-ndryshimit të Statutit të Teatrit të Qytetit “Adriana Abdullahu”, propozim i cili gjithashtu ka marrë mbështetjen e anëtarëve të Kuvendit.
Në vazhdim të mbledhjes, drejtorja e Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit, Festina Sadiku, ka paraqitur propozim-vendimin për këmbimin e ngastrave kadastrale 2435-1 dhe 2435-2, në Zonën Kadastrale Ferizaj, prona private, me një pjesë të ngastrës kadastrale 180-10, në Zonën Kadastrale Talinoc i Jerlive, pronë e Komunës së Ferizajt.
Për këtë pikë janë zhvilluar diskutime të shumta, veçanërisht nga përfaqësuesit e opozitës, të cilët kanë ngritur çështje dhe kërkesa për sqarime. Përgjigje dhe sqarime lidhur me këtë çështje ka dhënë drejtorja Festina Sadiku.Kjo pikë e rendit të ditës nuk i mori votat e mjaftushme për të kaluar.
Po ashtu, drejtorja Sadiku ka paraqitur propozim-vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesëve të ngastrave kadastrale 380-0, në Z.K. Talinoc i Muhaxherëve; 651-0, në Z.K. Rahovicë; 3485-9 dhe 3485-1, në Z.K. Jezerc; si dhe 321-0, në Z.K. Nerodime e Poshtme.
Në rend të ditës ishte edhe propozim-vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm për pjesët e ngastrave kadastrale 551-0, 552-0, 553-0, 554-0 dhe 555-0, në Z.K. Ferizaj, pronë e P.SH. “Plantacioni i Pemëve”, si dhe për ngastrën kadastrale 556-0, në Z.K. Ferizaj, pronë e P.SH. “Ekonomia Pyjore”. Edhe këto pika kanë marrë miratimin e Kuvendit të Komunës.
Në fund të mbledhjes, drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani, ka dhënë një informatë lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2026–2027, duke prezantuar gjendjen dhe masat e ndërmarra për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor.
Mbledhja është karakterizuar me diskutime për çështje të ndryshme me interes për qytetarët e Komunës së Ferizajt, ndërsa pikat kryesore të rendit të ditës kanë marrë mbështetjen e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.