U mbajt AKADEMI PËRKUJTIMORE NË NDERIM TË HEROIT IDRIZ RRECAJ

Në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Skenderaj, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, u mbajt akademia përkujtimore kushtuar heroit Idriz Rrecaj, me rastin e gjetjes së mbetjeve të tij mortore.

Të pranishëm në këtë akademi ishin Kryetari i Komunës z.Sami Lushtaku, Baca Rifat Jashari, Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, komandantë të luftës, drejtorë të drejtorive komunale, zyrtarë institucionalë, bashkëveprimtarë të heroit Idriz Rrecaj dhe qytetarë të shumtë.

Gjatë akademisë u vlerësua lart figura e Idriz Rrecajt, si një personalitet që la gjurmë të rëndësishme në rrugëtimin historik të vendit. Kryetari i Komunës së Skenderajt, z. Sami Lushtaku, vlerësoi lart jetën dhe veprën e tij, duke theksuar rëndësinë e nderimit të atyre që me përkushtimin dhe sakrificën e tyre kontribuuan në rrugën drejt lirisë.

Një vlerësim të veçantë për figurën e heroit ka shprehur edhe bashkëveprimtari i tij, prof. Vehbi Xani, i cili përmes fjalës dhe kujtimeve të tij dëshmoj për vlerat, përkushtimin dhe kontributin e Idriz Rrecajt. Kujtimi për bashkëveprimtarinë e tyre mbetet pjesë e rëndësishme e historisë dhe e trashëgimisë që u përcillet brezave.

Për ta bërë edhe më të njohur figurën e heroit Idriz Rrecaj, fjalën në këtë akademi e mbajti edhe i biri i tij, Shpëtim Rrecaj, i cili solli para të pranishmëve rrëfime dhe kujtime për të atin, duke ndriçuar më nga afër personalitetin, rrugëtimin dhe vlerat që e karakterizuan. Fjala e tij i dha kësaj akademie një dimension të veçantë njerëzor e familjar, duke rikujtuar se pas figurës së heroit qëndron edhe historia e një familjeje që ka bartur dhimbjen, mallin dhe krenarinë për të dashurin e saj.

Gjetja e mbetjeve mortore të Idriz Rrecajt shënon një moment me rëndësi të veçantë për familjen, bashkëveprimtarët dhe të gjithë ata që e kanë ruajtur ndër vite kujtimin për të. Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt së vërtetës dhe dinjitetit, si dhe një mundësi për ta nderuar me respektin e merituar figurën e tij.

Lavdi heroit Idriz Rrecaj!

Kontrolloni gjithashtu

NJOFTIM PËR PROMOVIMIN E LIBRIT

Të shtunën, më 17 tetor 2026, duke filluar nga ora 11:00, në Qendrën Rinore “Fetnete …