Sot, Gjykata Supreme e kthen në pikën zero çështjen e kontratës së kontestuar të NPB-së, ka njoftuar kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Në postimin e tij në Facebook, kryetari Rama ka shkruar:
Që në momentet e para kur mora mandatin tim të parë si Kryetar i Kryeqytetit, kam insistuar në hetimin e kontratës dhe procesit që lidhej me pronën publike të Kryeqytetit në Lakrishte.
Dua ta rikujtoj se ky proces është iniciuar dhe zhvilluar në vitin 2021, gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë.
Më 27 prill 2021 është marrë vendimi,
më 17 maj është nënshkruar kontrata,
më 16 gusht është lëshuar leja e ndërtimit dhe
më 5 tetor është nënshkruar Aneks-Kontrata.
Ne as nuk e kemi iniciuar, as negociuar dhe as nënshkruar këtë kontratë. Por kemi marrë përgjegjësinë për ta mbrojtur pronën publike dhe interesin e qytetarëve të Prishtinës!
Dhe sot, vendimi i Gjykatës Supreme, që e kthen çështjen në pikën zero, është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë përpjekje drejt vendosjes së drejtësisë.
Falënderoj Gjykatën Supreme për trajtimin e kësaj çështjeje.
Kemi besuar në drejtësi, kemi insistuar në ligjshmëri dhe nuk jemi tërhequr për asnjë moment!
Sot fitoi interesi publik! Fitoi drejtësia! Fituan 350 punëtorët e NPB-së!
Ftojmë organizatat joqeveritare, shoqërinë civile dhe mekanizmat e pavarur monitorues që ta përcjellin nga afër procesin e rivendosjes së rastit, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe respektim të ligjit.
Në të njëjtën frymë, Kryeqyteti do t’i shtojë kapacitetet juridike dhe do ta forcojë mbikëqyrjen institucionale gjatë këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e plotë të interesit publik dhe të drejtave të punëtorëve të NPB-së, ka shkruar kryetari Rama.