Atyre që në Tiranë po protestojnë duke djegur e shkatërruar institucione, biznese private, ndërtesa banesore dhe bankare, duke mbajtur në duar flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), u them vëllazërisht që t’i mbajnë duart larg flamurit të UÇK-së, sepse ai flamur ka lindur në luftën e Kosovës kundër Serbisë për liri e pavarësi dhe, nuk mund të përdoret si lajtmotiv për të djegur e shkatërruar Shqipërinë!
Ata që në bulevardin e Tiranës po protestojnë duke e kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës po djegin, shkatërrojnë dhe vjedhin duke mbajtur në duar flamuj të UÇK-së, u them vëllazërisht se nuk bëjnë tjetër veçse e identifikojnë atë flamur dhe, për rrjedhojë, edhe UÇK-në me djegien, shkatërrimin dhe vjedhjen. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur Gjykata Speciale e Hagës, duke i dënuar pa të drejtë krerët e UÇK-së për ndërmarrje të përbashkët kriminale, tashmë e ka identifikuar katërshen e UÇK-së, vetë UÇK-në dhe për rrjedhojë edhe flamurin e saj me krimin.
Vëllezërit tanë shqiptarë të Shqipërisë kanë të drejtë të protestojnë, po të duan, edhe ditë e natë, por nuk kanë të drejtë të djegin e të shkatërrojnë institucione shtetërore, biznese private dhe infrastrukturë urbane. Ata aq më pak kanë të drejtë të kryejnë veprime të tilla duke mbajtur flamuj të UÇK-së në duar.
Është e tmerrshme që tani më një foto e një djali demonstues me maskë në fytyrë dhe me flamurin e UÇK-së në duar, si dhe i mbështjellë nga një tymnajë e zezë po bën xhiron e botës. Kjo foto krijon përshtypjen e keqe në opinionin publik ndërkombëtar se gjoja ata që po djegin e shkatërrojnë gjithçka në bulevardin e Tiranës, janë njerëz të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
Nëse vëllezërit tanë shqiptarë nga Shqipëria e fillojnë luftën kundër Greqisë për çlirimin e Çamërisë, mund t’i presin vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova me flamuj të UÇK-së në duar, që t’u bashkohen në luftë kundër Greqisë për çlirimin e Çamërisë.
Por vëllëzërit tanë shqiptarë nga Shqipëria të mos presin që ne vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova, të marshojmë drejt Tiranës me flamuj të UÇK-së në duar për të djegur, shkatërruar e vjedhur bashkë me ta në bulevardin e Tiranës.
Prandaj propozoj që një delegacion nga Kosova, i përbërë nga anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, të shkojë urgjentisht në Tiranë dhe t’u kërkojë organizatorëve të protestave, që të mos protestohet me flamuj të UÇK-së në duar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
