ADIL FETAHU: RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

ADIL FETAHU: RRETHIMI DHE DORËZIMI I SHKODRËS (1912-1913)

Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike

Duke vërejtur dobësimin e Perandorisë Osmane, shtetet e Ballkanit: Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali Zi, të nxitura nga Rusia, lidhën aleancë për ta sulmuar Turqinë e ndarë tokat që do t’i pushtonin. Mali Zi, edhepse i fundit iu bashkua aleancës, ishte i pari që i shpalli luftë dhe sulmoi Turqinë, duke filluar kështu Luftën e Parë Ballkanike.. 

Sipas kronikës së At Justin Rrotës, botuar në librin e tij: Ditët e fundit të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Lufta e Parë Ballkanike ka filluar më 8 tetor 1912,  kur Mali Zi i shpalli luftë Turqisë dhe menjëherë, të nesërmen  sulmoi Tuzin dhe dogji  fshatrat shqiptare rreth kufirit, por mësymjen më të madhe e ndërmori më 11 tetor, duke u përpjekur të marrin majën e Taraboshit, si pikë strategjike për ta sulmuar pastaj qytetin e Shkodrës. Forcat e ushtrisë turke ishin përgatitur e barrikaduar mirë për rezistencë, ashtu që nuk e lejuan ushtrinë malazeze të depërtojë. Sipas të dhënave zyrtare turke, thuhet se në atë betejën e parë u vranë 800 ushtarë malazezë, ndërsa nga forcat turke u vranë 27 veta, turqë e shqiptarë, ndër të cilët edhe majori Sadedin Beu, i cili komandonte forcat e regjimentit në atë sektor të mbrojtjes. 

Në kronikat serbe  e malazeze jepen data tjera për shpalljen dhe fillimin e Luftës së Parë Ballkanike. Oficeri i ushtrisë malazeze, Radule Simov Brajaçiq, i cili ka qenë komandant i një njësia të ushtrisë malazeze, në Memoaret e tij, thotë se krajli i Malit të Zi i shpalli luftë Turqisë më 25 shtator 1912, ndërsa mësymjen e parë e ka ndërmarrë më 1 tetor, në një sulm të përgjithshëm në Vraninë, Shipçani e Tuz. 

Operacionet ushtarake për ta pushtuar Shkodrën zhvilloheshin herë pas herë, në fronte të ndryshme, ashtu që rrethimi i qytetit ka zgjatur më shumë se gjashtë muaj. Gjatë atij rrethimi, qyteti goditej me topa e mitraloza, digjeshin e rrënoheshin objektet dhe vriteshin njerëz. Ka pasur bombardime të qytetit edhe nga aviacioni i Serbisë, që thuhet se kishte angazhuar katër avionë për pushtimin e Shqipërisë.

Për pushtimin e Shkodrës Mali Zi kishte angazhuar 25000 luftëtarë për rrethimin dhe sulmin e Shkodrës, nga tri anë,  ndërsa forcat mbrojtëse numëronin 5000 ushtarë të rregullt dhe 10.000 shqiptarë vullnetarë e të mobilizuar, nën komandën e Hasan Riza Beut, i cili kishte ardhur në Shkodër në vitin 1911, si vali dhe kryekomandant i ushtrisë.. 

 Forcave malazeze iu ndihmonin edhe 30.000 ushtarë serbë, të cilët kishin depërtuar në jug të Shkodrës, deri në Shëngjin e Tiranë. 

Me qenë se forcat e Aleancës sllave kishin korrë fitore në frontet tjera kundër ushtrisë turke, më 3 dhjetor 1912 ishte nënshkruar armëpushimi midis tyre dhe Turqisë, por Mali Zi, edhepse ishte pjesë e aleancës,  nuk e përfilli armëpushimin, veçse vazhdoi rrethimin dhe bombardimet e kohëpaskohshme, me qëllim që ta merrte Shkodrën me rrethinë. 

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 17 dhjetor vendosi të formohet Shqipëria autonome, në të cilën përfshihej edhe Shkodra. Por Mali Zi nuk përfillte as vendimin e Fuqive të Mëdha dhe vazhdonte ta mbajë të rrethuar dhe herë pas herë ta bombardojë qytetin dhe të mësyjë depërtimin e mbrojtjes.

Esat Pashë Toptani, që kishte ardhur nga Durrësi me 25 000 redifë të tij, jo dhe aqë të disiplinuar e të vendosur për luftë,  ishte emëruar zëvendës-komandanti i Hasan Riza Pashës, gjatë kohës së armëpushimit kishte zhvilluar bisedime të fshehta me malazezët, për t’ua dorëzuar Shkodrën, me kusht që ta ndihmojnë ta merr qeverisjen e Shqipërisë. 

Më 30 janar 1913, vritet në një atentat kryekomandanti i forcave të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pasha.

Kush ishte dhe i u vra Hasan Riza Pasha

Hasan Riza Pasha ishte lindur në Bagdad (më 1871), kur i ati i tij kishte qenë vali i Bagdatit. Hasani kishte kryer shkollat ushtarake në Stamboll dhe specializimet në Berlin (Gjermani). Ishte ndër oficerët më në zë të ushtrisë turke, prandaj që në moshën 28 vjeçare kishte arritur gradën kolonel. Sulltani Abdylhamidi e çmonte zotësinë e Hasan Rizait dhe e kishte emëruar pashë dhe gjeneral ushtrie.  Pas Hyrjetit, qeveria e xhonturqve e degradoi nga grada e gjeneralit në gradën e kolonelit, por kjo nuk e dëshproi oficerin trim. Në vitin 1911 ishte dërguar në Shkodër komandant i një divizioni të ushtrisë, ndërsa në mars të vitit 1912 ishte emërur vali dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë së Vilajetit të Shkodrës.

 Elementi katolik e konsideronte Turqinë armikun kryesor, shekullor, fetar, kombëtar e kulturor, prandaj nuk e përkrahte ushtrinë turke në mbrojtjen e Shkodrës. Bile, një pjesë e mirë ishin radhitur në anën e malazezëve, sidomos asi që ishin arratisur në Mal të Zi  nga ekspeditat e Turgut Shefqet Pashës. Hasan Riza Pasha bëri përpjekje dhe deri diku arriti përkrahjen e këtij elementi për ta ndihmuar mbrojtjen e Shkodrës. Ishte në marrëdhënie të mira miqësore me At Gjergj Fishtën, përmes të cilit kërkonte përkrahjen e klerit katolik. Elementi katolik ishte kundër zëvendësimit të një pushtuesi (turk) me një pushtues tjetër (sllav), prandaj pranonte ta ndihmonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës, me kusht që ajo luftë të ishte për pavarësinë e Shqipërisë, me Shkodrën kryeqytet,  dhe që Flamuri shqiptar të ngritej në Kalanë e qytetit. Pashai pranoi dhe premtoi se ‘’që nesër Flamuri shqiptar do të valvitej në Kala’’, por kjo nuk ndodhi, sepse duhej pritur pëlqimin nga Stambolli.

 Fishta e quante kryekomandantin: ‘’Fatosi turk i Luftës Ballkanike’’, ndërsa një nga krerët katolik thoshte: ‘’Sikur ta lejonte qeveria turke Hasan Riza Pashën të jetë princ i Shqipërisë’.

Me propozimin e Hasan Riza Pashës, Sulltani e kishte dekorua At Gjergj Fishtën me një medalje  të vlefshme. Aq shumë ishin miqësuar mes vete Hasan Riza Pasha me At Gjergj Fishtën, sa që komandanti turk kishte kërkuar nga Fishta të shkruante vargjet (shqip) të marshit që do ta këndonin  ushtarët shqiptarë në parakalimet e tyre, gjë që Fishta edhe e bëri duke shkruar këto vargje:

 

Prej kah lenë e merr hana Të parët tanë burra çelikut

M’u çue shekulli kundër nesh, Bota mbarë sot i nderon,

Djelmë kreshnikë na bani nana Ata i binin anmikut

Vetëm na u dalim ndesh. Si rrufeja kur veton.

Më 30 janar 1913, Esat Pashai  dhe At Gjergj Fishta ishin takuar në shtëpinë e Esadit, për të diskutuar për situatën dhe planet e luftës si çështje më aktuale. Dërgojnë agjutantin e Esadit, ta ftojnë Hasan R.Pashën në ato bisedime. Duke u këthye natën nëpër terr nga shtëpia e Esadit, tre veta bëjnë atentat mbi kryekomandantin, dhe pas 5 orëve vdiq në shtëpinë e vet. Detaje të shumta shkruan At Justin Rrota në librin e tij …Rrethimi i qytetit, për vrasjen, amanetet dhe vorrosjen. Në vorrimin e Hasan Riza Pashës morën pjesë mijëra shkodranë, në mesin e të cilëve edhe shumë prelatë katolikë. At Gjergj Fishta kishte mbajtur një fjalim prekës për të ndjerin.

Në kronikat serbe dhe ato malazeze, thuhet se pashai u vra më 13, diku më 14 dhe diku më 17 janar, por e vërteta është se ai u vra më 30 janar, datë të cilën e saktëson At Justin Rrota, dhe po atë datë e vërtetojnë dy  gjeneralë të ushtrisë turke, në librin e tyre të botuar në vitin 1933. Ata dy gjeneralë turqë kishin qenë në shtabin e Hasan Riza Pashës, me gradë kapiten të klasit të I-rë, gjatë tërë kohës së rrethimit të Shkodrës.

Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës, komandën mbi ushtrinë turke e shqiptare në Shkodër  e mori vet Esad Pasha, i cili ishte zëvendës i komandantit të vrarë.

*

Rrethimi, bombardimi shkatërrimi i Shkodrës nga forcat malazeze e serbe, dhe vuajtjet e varfërimi i popullsisë me krizën (zinë) e bukës, me të vrarë e të plagosur të shumtë, mungesë të kushteve për kujdesin ndaj të plagosurve, mungesën e druve a qymyrit për furrat e bukës vazhdoi edhe tre muaj. 

Për vuatjet e popullit gjatë atij rrethimi e bombardimi më se 6 muaj, kanë shkruar edhe gazetarë e misionarë të huaj, ndër të cilët edhe Edit Durham. Por, kronikën më të plotë e më të saktë për rrethimin e Shkodrës, luftimet e zhvilluara, viktimat e luftës dhe krizën e bukës, e ka dhënë At Justin Rrota në librin e tij: ‘’Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase Rrethimi i qytetit 1912-1913, Botime Françeskane, Shkodër, 2020.

***

Më  22-23 prill 1913, në Doganën e Shkodrës, pas bisedës së përfaqësuesve të pushtetit turk, në mesin e të cilëve ishte edhe Esad Pasha, si komandant i ushtrisë, nga njëra anë, dhe palës malazeze të prirë na princi Danillo, kryekomandant i ushtrisë malazeze, e gjenerali Vukotiq dhe ministri Pllamenac, nga ana tjetër, u arrit marrëveshja e dorëzimit të Shkodrës forcave malazeze.  Kushtet e dorëzimit të Shkodrës i diktori princi Danillo, të formuluara si marrëveshje. Teksti i marrëveshjes së dorëzimit të Kështjellës dhe qytetit së Shkodrës, ka këtë përmbajtje:

  1. Të gjithë ushtarët, në daç nizamë në kjofshin, në daç redifë, kështu edhe çdo klasë rezervistash, janë të lirë me e lanë qytetin, tue marrë me vete armët e veta, si edhe ushqimet e municionet.
  2. Ashtu edhe ata prej popullit, pjesëtarë të këtij qyteti, të cilët dëshirojnë, edhe ata munden me shkue mbrapa ushtarëve, tue bartë me veti armët e teshat e veta e gjithçka që duan. 
  3. Nuk ka për t’ju ba kush farë damit, as nuk kanë për t’u shkelë  tagret personale atyne myslimanëve, që gjinden mbrenda ledhave të qytetit. As nuk ka për të prekë kush kurrnjenin asish që morën pjesë në luftë kundra nesh; mbasiqë ata me këtë punë nuk kanë ba tjetër veçse kanë krye detyrën e vet, tue i dalë zot atdheut. Në një mënyrë të posaçme mund të jenë të sigurt, si populli mysliman, si edhe ai i krishterë, se nuk ka për t’i prekë kush në fe, ashtu edhe në punë nderi a të zakoneve të veta kombëtare. 
  4. Repartet e ushtrisë në të nisun kanë për të mujtë me marrë me vete, pos petkash të shtatit, të gjitha plaçkat, çadrat, shrojet, kazanat etj,; me nji fjalë, gjithçka t’u duhet atyne për rrugë; shkurt, mund të marrin me vete secili gjithçka mund të ngarkojë,  kërkush s’u thotë gja. Për ma tepër, po deshën, na mund t’u japim atyne, për me i përcjellë teshat, në paçin nevojë edhe qerre, kuaj e çka t’u duhet, për me bartë.
  5. Të gjithë zyrtarët, civilë e ushtarakë, si b.f. xhandarët e policët, të cilëve u ka anda me iu vue mbrapa ushtarëve, munden gjithsa duen; s’u pret kush rrugën.
  6. Ushtria, kur të bajë me u nisë e me e lanë Shkodrën, ka për të kenë e përcjellun prej nji gjenerali e prej disa oficerash të Malit të Zi.
  7. Robët e luftës, serbët, kanë për t’iu dorëze kryekomandantit të ushtrisë malazeze. 

Në dash nënshtetasve të zanë rob, në dash edhe të varruemvet të vendit, u sigurohet, me dorëzani, se kemi për t’i ra mbrapa shërimit të tyne. Prandej, u japim lejen të rrijnë në Shkodër të gjithë ata që të jenë të nevojshëm, si mjekë e sanitarë turqë, edhe me u ndalë, deri sa ta shohin të rrugës. Me të mbaruemën punë si mjekët si të mjekuemit, të gjithë edhe këta kanë për të kenë përcjellë deri në kufi, me shpenzimet e shtetit malazias.

  1. Të gjitha aktet e dokumentat ushtarake autoritetet turke janë të lira t’i marrin me vete. Pos këtyne, komanda ka për të marrë me vete edhe të tana njato akte zyrtare, me të gjitha dosjet, që t’i duken të nevojshme kryekomandantit të ushtrisë turke.
  2. Prap, edhe të gjitha pushkët  automatike (mitralozat), si edhe topat e shpejtë, bashkë me ata të fushës, me të gjitha municionet përkatëse, këto të tana ushtria otomane ka tagër t’i marrë me vete.
  3. Të gjitha shkresoritë e artikujt e korrespondencës ushtria turke mund t’i ngarkojë e mund t’i barti me vete.
  4. U jepet një amnisti e falje e përgjithtë atyne që gjatë luftës u munduen në çdo mënyrë me iu gjete qeverisë otomane, me spiunazhe a ndryshe.
  5. Gjithashtu janë të falun edhe ata nënshtetas malazezë, të cilët, a pse t’ikun prej vendit të vet, ase për çdo arsye tjetër ndodheshin mbrenda në Shkodër, dhe morën armët e luftuen krahpërkrah me ushtrinë otomane kundra nesh.
  6. Po kje se kanë nevojë ndonji gja për rrugë ushtria, Mali Zi për deri ku të mundet, ka me u ardhë në ndihmë për çka u nevojitet.
  7. Kryekomandanti i ushtrisë së Shkodrës, ka për t’ia lëshue ushtrisë së Malit të Zi Kështjellën e qytetit, ponjashtu të paprekun, sikurse edhe nuk ka për t’i prishë e çue dam njato mjete komunikacionit e marrëdhanjesh, të cilat u vleftën atyne në kohën e rrethimit. 
  8.  Më 23 prill 1913, ora 8 paradite kanë për të fillua me u dyndë ushtria turke, tue lirue Taraboshin, Bardhanjorët dhe llogoret e Fushës së Shtojit. Sa për kodrat e Tepes, këto kanë për t’u marrë në dorëzim nesër paradite, njandej kah ora 11. Fushën e Shtojit, këtë ka për ta marrë në dorëzim Mali Zi në orën 3 mbas mjesditet.

Shkodër, 9-10 prill 1329

    22-23 prill 1913

Zavendës valiut e komandant Kryekomandanti i ushtrisë së

i armatës së Shkodrës, gjeneral Malit të Zi, Princi trashëgimtar

shtrie, nënshkrue, ESAD nënshkrue, DANIL

***

Siç shihet nga përmbajtja e Marrëveshjes për dorëzimin e Shkodrës, kushtet e shtruara nuk ishin shumë të ashpra ose armiqësore, por të shtrueme  me korrektësi,  me bujari e burrëri (shih pikat: 3, 7, 8, 9, 11 e 12), gjë që rritë dyshimin  se ishin rezultat i tradhtisë. 

Më 25 prill, princi Danillo në ballë të rreshtit të ushtarëve, hyni zyrtarisht në Kështjellë, ku e nguli flamurin e vet, duke thënë: ’’Flamur i dashur, ti që na kushtove aq shtrejtë, ti që kje la me gjakun e sa bijvet tu, rrnofsh e kjofsh. Ty unë tash po të nguli, e këtu ke për të mbetë përgjithmonë…’’.

Por, gëzimi i malazezëve, as flamuri i tyre në Rozafat nuk zgjati as dy javë të plota, pasiqë Fuqitë e Mëdha i detyruan ta lëshojnë Shkodrën, ku u vendosën forca ndërkombëtare, të cilat do ta qeverisën qytetin deri në mars të vitit 1914, kur bashkësia ndërkombëtare e dërgoi princ Vidin për ta qeverisur Shqipërinë, i cili poashtu nuk e pati gjatë qeverisjen, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. 

Duke ditur se do të detyrohen ta lëshojnë Shkodrën, ushtria malazeze nuk la gjë pa plaçkitur, rrënuar e djegur, sidomos në pjesën myslimane të popullsisë së qytetit dhe të fshatrave. E dogji edhe Pazarin e Shkodrës, që ishte pazari më i mirë në Evropën lindore. 

Kështu përfundoi rrethimi i Shkodrës, me viktima të shumta nga të dy palët, por derisa viktimat e turko-shqiptare ishin në mbrojtje të vendit, viktimat serbo-malazeze shkuan huq. Malazezët edhe sot konsiderojnë se Serbia i tradhtoi, i la vetëm pasi u tërhoq nga fronti sipas kërkesës së fuqive të mëdha.

 

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – X

-112- Për përdorim të kufizuar J C R Gray Esq                                                                                           Ambasada britanike FCO                                                                                                                     Beograd I …