Ruajtja e kujtesës kombëtare dhe njohja me krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë mbeten pjesë e rëndësishme e edukimit të brezave të rinj. Në këtë frymë, nxënësit nga Struga kanë vizituar vende të kujtesës historike, për të njohur nga afër historinë e dhimbjes, sakrificës dhe qëndresës së shqiptarëve të Kosovës. Sot, më 17 tetor, nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të drejtimit të mjekësisë në shkollën “Niko Nestor” në Strugë, të shoqëruar nga pedagogu Shpat Hani, vizituan Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe Shtëpinë Muze në Poklek të Vjetër. Vizita në Prekaz i çoi nxënësit në vendin ku, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, u vranë 59 shqiptarë, mes tyre 12 fëmijë, 18 gra dhe 29 burra. Këto ngjarje mbeten ndër kapitujt më të dhimbshëm të historisë së luftës në Kosovë dhe pjesë e kujtesës së sakrificës së familjes Jashari. Një tjetër ndalesë me peshë të veçantë ishte Pokleku i Vjetër, ku më 17 prill 1999 u vranë dhe u dogjën 53 civilë shqiptarë, përfshirë fëmijë dhe gra. Ky vend dëshmon përmasat e tragjedisë që përjetoi popullsia civile shqiptare gjatë luftës. Në Shtëpinë Muze në Poklek të Vjetër, nxënësit u pritën nga Fadil Muqolli, i cili gjatë kësaj masakre humbi të dy prindërit, katër motrat, bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij, si dhe bashkëshorten e vëllait dhe dy fëmijët e saj. Përballja me dëshmitë e tilla e bën historinë më të prekshme për brezat e rinj, duke e shndërruar vizitën në një përvojë edukative që shkon përtej mësimeve në klasë. Vizita në Prekaz dhe Poklek synon të kultivojë përgjegjësinë për ruajtjen e kujtesës historike, respektin për viktimat dhe solidaritetin me të mbijetuarit. Sepse njohja e së kaluarës është pjesë e rëndësishme e edukimit për paqe, drejtësi dhe parandalimin e përsëritjes së tragjedive njerëzore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
