Rexhep Musë Mazrekaj (21.1.1959 - 3.6.1999)

Rexhep Musë Mazrekaj (21.1.1959 – 3.6.1999)

Rexhep Mazrekaj u lind më 21 janar të vitit 1959 në Drenoc të Deçanit. Gjatë regjimeve serbe, rrethit familjar të Rexhepit i janë vrarë disa burra nga dora e pushtuesit serb, ndërsa dy prej tyre kanë rënë dëshmorë në luftën çlirimtare: Rexhep e Arsen Mazrekaj. Kështu, në vitin 1913, me rastin e pushtimit serb të Kosovës, Bardhosh (Ibish) Mazrekaj, burgoset e dënohet me pretekst të armëmbajtjes pa leje. Dërgohet në vuajtje të dënimit në burgun e Nishit, ku pas një kohe vdes si pasojë e torturave. Trupin e tij e kishin varrosur ne varrezat e burgut deri në skadimin e afatit të dënimit, kur eshtrat e tij iu dorëzuan familjes.
Në vitin 1932, në kuadër të të ashtuquajturës “reformë agrare”, regjimi ser, kësaj familjeje për nëntë vjet me radhë ia konfiskoi tërë pasurinë, tetë hektarë tokë si dhe kullën e banimit. Në kullë u vendos koloni Stana Bashanoviq me familje, ndërsa toka ia dha një koloni tjetër malazez. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në prill të vitit 1941, në tokën e tij, vritet nga kolonët serbë e malazezë, Beqir Ibish Mazrekaj.
Dëshmori Rexhep Mazrekaj shkollën fillore e kreu në Drenoc, të mesmen, gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ndërsa Shkollën e Lartë Teknike (Drejtimi i Industrisë së Drurit) në Ferizaj.
Prindërit Musë Mazrekaj dhe Rrushe Ukëhaxhaj, i lindën e i rritën tre djem, të cilëve iu dhanë një edukatë të shëndoshë njerëzore e kombëtare. Rexhepi ishte më i madhi prej fëmijëve. Meqenëse babai Musa punoi në Gjermani një kohë të gjatë, barra e kujdesit për familje bie mbi Rexhepin. Ai ishte martuar me Zelfije Bajramajn nga Gllogjani, me të cilën patën katër fëmijë, tre djem e një vajzë.
Qysh herët kishte kontakte me pjesëtarët e lëvizjes kombëtare, duke pasur lidhje miqësie me Mustafë Bajramaj, nga Gllogjani, njëri ndër veprimtarët e hershëm dhe ndër luftëtarët e dalluar të UÇK-së. Ishte i angazhuar në rrjedhat e lëvizjes kombëtare, për t’iu kundërvënë regjimit okupues serb. Gjatë viteve ’90-të të shekullit 20 familja e Rexhepit disa vite me radhë ndihmoi një familje minatorësh nga Mitrovica, në kuadër të aksionit humanitar “Familja Ndihmon Familjen”, por nuk kurseu as ndihmat për shkollën shqipe, familjet skamnore dhe për gjithçka tjetër që e kërkonte nevoja. Shtëpia e tij është bastisur disa herë me pretekst të kërkimit të armëve. Një herë Rexhepi ishte arrestuar dhe keqtrajtuar nga i ashtuquajturi komandant i terrenit, polici Zharko Millosheviq, i njohur për torturat që ua bënte shqiptarëve para luftës, por edhe për pjesëmarrje në krime të shumta gjatë luftës.
Rexhep Mazrekaj, në radhët e UÇK-së, u inkuadrua menjëherë pas betejës së 24 marsit në Gllogjan, me ç’rast pa humbur kohë mori detyrën për të ndihmuar organizimin e radhëve në vendlindjen e tij. Më 17 prill 1998, së bashku me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë të tjerë shkoi në Shqipëri për të sjellë armët e para në fshat. Në anën tjetër djali i tij Mentori (17-vjeçar) dhe dy djemtë e axhës, Avniu e Arseni shkuan në Gllogjan, ku për tri javë rresht bënë stërvitje ushtarake nën përkujdesjen e komandant Tonit – Driton Zenelit (dëshmor i kombit), për t’u kthyer më pas për të vepruar në fshatin e lindjes.
Rexhepi ishte pjesëmarrës në betejën e zhvilluar përgjatë vijës së frontit te rruga magjistrale në Prejlep, më 22 maj 1998, kur edhe u bë bllokimi i kësaj rruge që lidh Deçanin me Gjakovën, me ç’rast forcat serbe pësuan mjaft dëme. Pas sulmit të ndërmarrë kundër popullatës civile në Deçan nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe, njëkohësisht sulmohen edhe fshatrat e regjionit të Vokshit, për të cilët rrezik të përhershëm paraqiste baza ushtarake serbe në Hulaj, Rexhepi me bashkëluftëtarët e tij u përqendrua për të penguar depërtimin e forcave serbe nga ky drejtim.
Rexhep Mazrekaj deri në momentin e rënies së lavdishme veproi për organizimin e luftës dhe luftoi me armë në dorë kundër trupave armike. Mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Lloçan, Carrabreg, Drenoc etj.
Karvanit të gjatë të krushqve të lirisë, Rexhepi iu bashkua më 3 qershor të vitit 1998, së bashku me bashkëluftëtarët, Selmon Dukaj e Ahmet Baqaj, të dy nga Drenoci, të cilët ranë në një përleshje të pabarabartë me forcat pushtuese serbe, në luftimet e zhvilluara te Ura e Bajramhasanëve, vend ky që gjendet në mes të fshatrave Carrabreg e Prejlep, në magjistralen Deçan-Gjakovë.
Trupat e këtyre tre dëshmorëve të kombit, në fund të shtatorit të vitit 1998, u varrosen nga ashtu si ishte e mundshme, për t’u rivarrosur më 17 gusht 1999, pas përfundimit të luftës në Varrezat e Drenocit me nderime të larta ushtarake e popullore.
Këtyre tre dëshmorëve iu zbulua pllaka e përbashkët përkujtimore pranë vendit të rënies. Ndërsa në varrezat e fshatit Drenoc atyre iu ngrit edhe lapidari .
Dëshmori Rexhep Mazrekaj, ka lënë pas vetes nënën Rrushen, vëllezërit Beqirin e Salihun, gruan Zelfijen dhe katër fëmijët: Mentorin, Tahirin, Fatlindën dhe Fisnikun. Emrin e dëshmorit Rexhep Mazrekaj e mban nipi i tij, djali i Mentorit.
Familja Mazrekaj është nderuar me mirënjohje të shumta nga institucionet civile dhe ushtarake të Kosovës për djalin dhe babain e tij dëshmor. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 - 22.4.1999)

Azem Vehbi Behluli (10.5.1968 – 22.4.1999)

Fshati Mushtisht i komunës së Therandës shtrihet rrëzë Bjeshkëve të Sharrit dhe në luftën e …