Hysen Ahmet Zogiani (1957-1998)

Hysen Ahmet Zogiani (1957-1998)

Hysen Zogiani  u lind me 10 mars të vitit 1957 në Harilaq të Fushë Kosovës. Ishte njëri ndër fëmijët e parë (Hyseni ishte binjak me vëllanë Ademin), të prindërve: Ahmetit dhe Zojës që me punë e sakrifica, kishin rritur të shëndetshëm dhjetë fëmijë. Shkollimin fillor e mbaroi në fshatin e lindjes, të mesmen në Prishtinë, ndërsa studioi në shkollën e lartë komerciale në Pejë.

 Në vitet 1974-1975, kur Hyseni ishte fare i  ri në moshë, kulla dykatëshe mes  malit në Harilaq vizitohej shpesh nga dajët Azem e Gani Sylaj. Ishte normale që dajat të vizitojnë hallën por këto frekuentime të dajave në orët të vona të natës, pëshpërimat mes tyre e prindërve dhe kujdesin që tregonte e ëma kur përcillte nipat që i ngjiteshin malit, e bënë kureshtar djaloshin që ishte në formim e sipër. Iu zgjua shpejt kureshtja se çfarë fshihte nën Zoja në arkën poshtë pajës së nusërisë dhe gradualisht fitoi besimin e dajave për të lexuar librat “e ndaluar” dhe fletushkat që ndërroheshin herë pas here poshtë arkës.

Ai po kuptonte gjithnjë e më shumë për ndarjen e kombit shqiptar në disa shtete, për dhunën dhe padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar të Kosovës dhe atyre në pjesë tjera të Jugosllavisë së asaj kohe. Ai mësoi shpejt se dajtë e tij me shumë shokë të tjerë  po vazhdonin një veprimtari që s’ishte ndalur kurrë në shumë gjenerata, të një lufte të fshehtë për vetëdijesimin e bashkëkombësve për gjendjen e rëndë në të cilën ishin shqiptarët në këtë shtet që quhej Jugosllavi.

Hyseni përqafoi shpejtë idenë për liri e vetëvendosje për shqiptarët dhe të njëjta filloi t’i shpërndaj te shokët dhe moshatarët e tij. Urrejtja ndaj regjimit iu shtua edhe më shumë kur dajët e tij me shumë shokë, miq e dhëndurë u arrestuan nga regjimi. Mori pjesë aktive në demonstratat e vitit   1981 dhe ishte në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur lidhjet e shkëputura të atdhetarëve, që në masën më të madhe tashmë gjendeshin në burg.  Me pasionin për muzikën dhe dashurinë për Shqipërinë, Radio Tirana ishte gjithmonë e hapur dhe këngët, radio dokumentarët e komente për  Kosovën incizoheshin të gjitha në shirit. Fryma e atdhedashurisë dhe urrejtjes për armikun po rritej gjithnjë e më shumë te të gjithë anëtarët e familjes.

I brumosur me dashurinë për shtetin amë Shqipërinë,  që në mundësinë e parë, pas hapjes së kufijve në vitin 1990, Hyseni e vizitoi shpejt atë. Zhgënjimin që kishte përjetuar për vendin që e mendonte si parajsë me lule, e mbylli thellë në zemrën e tij dhe nuk e shprehte me të tjerët, duke mos dashur të zbehë shpresat se Shqipëria do i dilte zot Kosovës.

Vizitat e tij në Shqipëri u shpeshtuan në pesëvjeçarin e dytë të vitit ‘90. Ato tani nuk kishin për qëllim eksplorimin e bukurive natyrore të Shqipërisë dhe as shuarjen e kureshtjes për të njohur më mirë vendin e ëndrrave të tij. Hyseni tashmë i ishte futur një pune tjetër shumë serioze dhe shumë të rrezikshme. Ai tashmë bënte pjesë në guerilen shqiptare që kishte filluar aksionet sporadike mbi postblloqet e policisë serbe. Shokët duheshin takuar, planet duheshin bërë mirë, vëmendja e kujdesi duhej të ishin në nivel shumë të lartë, ndërkohë që rreziku ishte gjithnjë e më i madh. Me dhjetëra herë, ilegalisht,  kaloi kufirin mes Kosovës e Shqipërisë. Armët duheshin bartur vet dhe rrugët ishin shumë të vështira.

Përpjekjet po bëheshin të rrezikshme, konspiracioni duhej të ishte i thellë. Armiqtë kishin depërtuar në çdo pore të jetës dhe po i ndiqnin këmba këmbës. Shokët po vriteshin dhe arrestoheshin cdo ditë. Nait Hasani, Xhavit Haziri e Hafir Shala ishin arrestuar.

Rënia e Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, e lëndoi shumë. Xheladin Gashi,  (Komandant Plaku) me të cilin ishte jashtëzakonisht i afërt, shpëtoi për pak nga arrestimi dhe kaloi në ilegalitet të plotë.

Banesa e Hysenit  në Dardani që prej vitesh  ishte bërë çerdhe gueriles, ishte dekonspiruar, dhe shokët duhet të kërkonin vendstrehim  tjetër. Hyseni po ndiqej këmba këmbës, andaj as atë vet, nuk po e zinte më nata në banesën e tij.

Kështu, atë pas dite qershori, Hyseni  i  veshur thjesht e me makinën e tipit golf, doli për të bërë shpejt pazaret  ditore me shpresën se do kthehej   për të kaluar mbrëmjen me katër fëmijët  e tij, që po rriteshin të lumtur, pa ditur për   atë se çfarë mund të sillte jeta.

Por, ai nuk kthye më kurrë dhe familja mbeti me ankthin e pritjes dhe mallin e pashuar për te.

Gjashtë muaj më vonë, u arrestua edhe vëllai i tij i vogël Arsimi, i cili kishte ndjekur rrugën e të vëllait. Arrestimi i tij ndodhi në një autobus lokal derisa ishte në një  detyrë shumë të rëndësishme, ngarkuar nga Shtabi i  Përgjithshëm i UCK-së. Pas katër muajve burg të rëndë plot maltretime fizike e psikike, Arsimi  u vra në burgun e Dubravës.

Me 12 prill të vitit 1999, nga paramilitarët serb u vra edhe babai i tyre Ahmeti. Ai u gjet i varrosur në varrezat e fshatit Vragoli, ndërsa Arsimi u gjet i varrosur në fshatin Rakosh të Istogut. Tre muaj pas çlirimit, në  një ceremoni të përbashkët, u rivarrosën të dy në fshatin e lindjes. Arsimi u shpall dëshmor i kombit. Bashkëfshatarët dhe shokët e luftës i ngritëm lapidar në mes te fshatit ku u lind e rrit. Në Fushë Kosovë, Kuvendi Komunal i dha emrin e tij njërës ndër rrugët e qytetit. Ju kënduan këngë e ju thurën vargje.

Për Hysenin akoma nuk dihej gjë. Fëmijët shpresonin se mund të ishte akoma në burg dhe një ditë do kthehej e do t’i hidheshin në përqafim, për të vazhduar jetën të lumtur në Kosovën e lirë. Me frikën se mund ta dëmtonin (nëse ishte gjallë diku ne burgjet serbe), nuk u fol e shkrua shumë për te.

 Por vitet kalonin e ai nuk kthye kurrë dhe shpresat humbën përgjithmonë. Presidentja e vendit Atifete Jahjaga e dekoroi me urdhrin “Luftëtar i lirisë” ndërkohë që iu dha edhe  statusi i  dëshmorit të kombit.

Me kalimin e viteve, ankthi i pritjes pushoi por familja mbeti përjetësisht me  enigmën dhe brengën se ku  prehet trupi i tij, me mallin që të kenë së paku një varr për të vizituar e për të vënë kurora lulesh.

Në shtëpinë në fshat është vënë pllaka përkujtimore si një ndër bazat e hershme të UCK-së e në murin brenda saj janë radhitur foto e dekorata si një muze i vërtetë me një histori të bujshme, të dhembshme por krenare për familjen.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …