Shaban Zeqë Mazrekaj (28.12.1968 - 6.6.1998)

Shaban Zeqë Mazrekaj (28.12.1968 – 6.6.1998)

Fshati Voksh është toponim historikisht i njohur i trevës së Dukagjinit, për burrëri e trimëri. Ky toponim personifikon figurën e madhe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të kryengritjeve antiosmane të shqiptarëve të Kosovës e të Malësisë së Veriut, Sulejman Vokshi. Fshati Voksh ruajti dhe përcolli gjeneratë pas gjenerate traditën e atdhedashurisë e të luftës kundër pushtuesit, deri te trimat që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emrin, famën dhe idealin e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, në ballë. Ndër trimat që merituan të quhen pasardhës të denjë të burrave të mëdhenj të historisë së malësisë së Dukagjinit, ishte edhe dëshmori Shaban Mazrekaj.

Dëshmori Shaban Mazrekaj ka lindur më 28 dhjetor të vitit 1968, në Voksh. Prindërit e tij, Zeqa e Tima, pas Hesetit, Xhemailit dhe Muratit, Shabanin e kishin sugarin e tyre dhe të motrave, Fatimes, Nurisë dhe Lumnisë.
Shkollën fillore, Shabani e kreu në fshatin e afërt, Denoc. Në Deçan e kreu Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, kurse në Universitetin e Prishtinës studioi degën e bujqësisë. Qysh gjatë shkollimit të mesëm, krijon një rreth të qëndrueshëm shokësh, të cilët nuk do t’i lidhë vetëm interesi i mësimit, por edhe diçka më shumë: ai i Atdheut, – një pjesë e të cilit vazhdonte të vuante nën pushtimin jugosllav, si koloni e Serbisë. Njëri prej shokëve të tij të kësaj kohe, me të cilin më vonë edhe veproi në kuadrin e lëvizjes kombëtare të fshehtë të kohës, përkatësisht të LPRK-së, ishte Lah Nitaj.
Në edukimin dhe frymëzimin atdhetar të Shabanit, një ndikim të fuqishëm ushtron veprimtaria e organizuar e dajës, Hasan Ukëhaxhaj nga Carrabregu i Deçanit, i cili në vitin 1981 arrestohet dhe me shumë bashkëveprimtarë dënohet me burg politik, për shkak të kundërshtimit dhe denoncimit të shtypjes jugosllave mbi shqiptarët. Te dajat gjen mbështetjen e fuqishme dhe terrenin e gatshëm për veprim e organizim edhe me rastin e fillimit të luftës së armatosur çlirimtare, në pranverë të vitit 1998, duke u radhitur në radhët e UÇK-së, krah për krah me djalin e dajës, Besim Ukëhaxhaj, e me kushëririn e tij, Faikun. Luftëtarët çlirimtarë, Besimi e Faiku, në Carrabreg bien në fushën e lavdisë, vetëm tri ditë para se në këtë fushë të binte nipi i tyre bashkëluftëtar, Shaban Mazrekaj, më 6 qershor të vitit 1998, sikur për të dëshmuar vërtetësinë e thënies se, bien ata që luftojnë.
Dëshmori Shaban Mazrekaj, me pseudonimin e dikurshëm “Axha”, e kishte kuptuar me kohë se dëbimi i pushtuesit nga Kosova do të mund të bëhej vetëm me luftë të armatosur. Prandaj, që me kohë kishte rënë në kontakt me pjesëtarë të lëvizjes kombëtare dhe ishte kyçur në aktivitetet e kësaj lëvizjeje. Meqenëse fshati Voksh kishte pozitë të posaçme strategjike në vijën e furnizimit me armatim nga Shqipëria, e hapur nga pjesëtarët e ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shabani, jo rastësisht do të jetë personi që do të përkujdeset për përcjelljen dhe sigurinë e këtyre luftëtarëve në këtë zonë kufitare. Përtej kufirit, në atë kohë i kishte kaluar dëshmorin Sali Çeku, i ndjekur dhe i kërkuar nga pushteti i atëhershëm serb, si dhe të vëllezërve të tij, ndërsa në vitet e pastajme, edhe vetë do ta shkelë dhjetëra herë këtë kufi. Nëpër këtë shteg, pas fillimit të luftës së armatosur do të kalojë shumë herë me pjesëtarë dhe rekrutë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u armatosur në Shqipëri, duke shpërfillur kufirin e hekurt artificial në mes të tokave shqiptare. Rrugëtimin e fundit nëpër këtë shteg të gjatë, të rrezikshëm e të mundimshëm e bën në pranverë të vitit 1998, së bashku me dëshmorin e shumë betejave e luftërave, Fadil Nimanaj. Edhe shtëpia e tij ishte bërë konak, ku pjesëtarët e UÇK-së gjenin prehje, pinin e hanin dhe merrnin forcë fizike, në rrugën e gjatë të vajtjes dhe ardhjes me armatim në shpinë, nga Shqipëria. Derën e këtij konaku e kishte pasë të hapur edhe Komandanti Legjendar Adem Jashari, kur, së bashku me shokët e armës kishte udhëtuar në drejtim të Tiranës, apo ishte kthyer prej atje.
Fillimi i luftës së armatosur në Drenicë, kundër kolonializmit serbomadh, për Shabanin dhe shokët e tij, Binak Dinaj, Lah Nitaj, Bajram, Binak e Besim Mazrekaj e shumë të tjerë, ishte paralajmërim për domosdoshmërinë e organizimit të UÇK-së dhe të shtrirjes së luftës çlirimtare edhe në zonën e Dukagjinit. Prandaj, pa kaluar shumë kohë, u organizua edhe Zona Operative e Dukagjinit, në të cilën zonë, emri dhe kontributi i Shabanit me shokë ishte domethënës. Ndjenja e tij e sakrificës dhe e gatishmërisë për t’i dalë përballë pushtuesit, bëhen shembull frymëzimi për shumë burra dhe djem të rinj që t’i përgjigjen thirrjes së atdheut dhe kushtrimit të UÇK-së për të kapur armët e lirisë. Këto armë i ngjeshën edhe anëtarë të tjerë të familjes së dëshmorit Shaban Mazrekaj dhe në shumë fronte të trojeve etnike shqiptare. Uniformën e UÇK-së e veshi vëllai i tij, Murati, i cili plagoset në luftimet e zhvilluara në frontin e fshatit Pozhar, në pranverë të vitit 1999; djali i vëllait tjetër, Hesetit, Shkodrani dhe kushërinjtë Bajrami, Binaku, Jetoni e Rasimi. Ndërsa, vëllai Heseti, që nga fillimi i luftës çlirimtare kishte marrë mbi vete detyra logjistike, si sekretar i Këshillit Qendror për Ndihma Emergjente, e veçanërisht, i ndihmuar edhe nga Ajmene Tahirsylaj dhe Basri Gojani, ishte ngarkuar me detyrën për furnizimin e Shtabit të UÇK-së të Dukagjinit, me material sanitar e me artikuj të tjerë të domosdoshëm.
Më vonë, bijtë e Vokshit, Shpendi, kushëriri i Shabanit dhe Artani, djali i vëllait, u kyçën edhe në UÇPMB, ndërsa, dëshmori Shpend Mazrekaj derdh gjakun rinor në frontet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, më 2001, në trojet kombëtare nën Maqedoni.
Më 6 qershor të vitit 1998, forcat serbe ndërmarrin sulme me granata në drejtim të Junikut e Vokshit. Ato ishin të vendosura në pikën strategjike të Rogopeqit. Jo shumë larg prej tyre i kishin pozicionet edhe njësitet e UÇK-së. Shabani që po bënte strehimin e popullatës së shpërngulur nga shtëpitë e tyre, ndodhej bashkë me të ëmën që nuk i ndahej dot, në hyrje të fshatit Junik. Nën breshërinë e granatave, njëra prej tyre shpërthen fare pranë Shabanit dhe e plagos atë për vdekje. Në atë rast plagoset edhe e ëma, Tima.
Jo shumë larg prej këtij vendi, në pikën ushtarake ndodhej vëllai i Shabanit, Murati.
Varrimi i dëshmorit Shaban Mazrekaj, u bë në Voksh, një ditë pas rënies. Ndërkohë e ëma u dërgua për shërim të plagëve të marra, për ta përjetuar çastin e rënies së të birit, të cilit nuk i ishte ndarë andej e këtej kufirit të mallkuar që ndante tokën etnike, si momentin më krenar të jetës së saj si nënë shqiptare. Fillimisht ajo mori ndihmën e parë në ambulancën e UÇK-së në fshatin Dobrosh afër Junikut, ndërsa vazhdoi mjekimin në spitalin e qytetit Bajram Curr. Në këtë spital, për ta ngushëlluar dhe inkurajuar një nënë shqiptare që kishte humbur djalin e që vetë kishte marrë plagë trupore, atë e vizitoi edhe kryetari i atëhershëm i Shqipërisë, Rexhep Mejdani.
Pas qëndrimit në Bajram Curr, nëna e dëshmorit Shaban Mazrekaj vazhdoi mjekimin në Tiranë.
Në shenjë nderimi për gjakun e dëshmorit, pas përfundimit të luftës shqiptaro-serbe, atij në vendlindje iu ngrit përmendorja. Po ashtu, me vendim të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, për aftësitë organizative dhe për kontributin dhënë luftës çlirimtare, u gradua me gradën “Major”.
Fletorja me kujtimet personale të dëshmorit, sot ruhet si një relikt i çmueshëm tij. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …