kek
MIT
mbpzhr 2018
Airport Adem Jashari
Fillimi / Dëshmorët / Ahmet Ismet Baçaj (25.10.1965 – 3.6.1998)
Ahmet Ismet Baçaj (25.10.1965 – 3.6.1998)

Ahmet Ismet Baçaj (25.10.1965 – 3.6.1998)

Dëshmori i kombit Ahmet Baçaj u lind më 25 tetor të viti 1965, në fshatin Drenoc të komunës së Deçanit, në një familje të ndershme e atdhetare. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindes, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Prindërit e Ahmetit, Ismeti e Ajmonia kishin dhjetë fëmijë: katër djem e gjashtë vajza, të cilët edhe përkundër vështirësive ekonomike i rritën dhe i edukuan me përkushtim.
Ahmeti mori pjesë në protestat e demonstratat e organizuara kundër okupimit serb gjatë viteve 1989 -1991 në Deçan dhe në qytetet e tjera të Kosovës. Më vonë edhe në protestat dhe demonstratat e organizuara në Zvicër e Gjermani, në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe të sensibilizimit të opinionit ndërkombëtar lidhur me gjendjen e rëndë të popullit shqiptar të Kosovës nën okupimin serb. Ai punoi gjashtë vjet në Zvicër, prej nga u kthye me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë.
Ahmeti, që në fillim të viteve të ’90-të të shekullit 20 kishte lidhje me lëvizjen ilegale përmes veprimtarit të shquar të lëvizjes kombëtare Elez Geci nga Lluka e Poshtme, dëshmor i kombit. Edhe gjatë qëndrimit në Zvicër ai kishte në kontakt të vazhdueshëm me Elez Gecin dhe bashkëveprimtarë të tjerë, nëpërmjet të cilëve informohet edhe për rrjedhat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ata të dy e lanë kurbetin dhe iu përgjigjën kushtrimit të luftës, që në pranverën e vitit 1998, menjëherë pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz të Drenicës, e të dy bien dëshmorë të atdheut, Ahmeti në fundpranverën e vitit 1998, kurse Elez Geci në fillimpranverën e vitit 1999, në njërën prej betejave më të lavdishme të UÇK-së, të zhvilluara te Ura e Pozharit.
Ahmet Baçaj u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 17 prill 1998 në fshatin Drenoc. Me grupin e bashkëluftëtarëve nga Drenoci ai shkon menjëherë në Shqipëri për furnizim me armatim. Në këtë rrugëtim, ai shoqërohej edhe nga i ati, Ismeti. Pastaj merr pjesë në luftimet e zhvilluara më 22 maj 1998 në zonën midis Prejlepit e Drenocit, së bashku me babanë dhe të vëllanë Bajramin. Mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Lloçan, Carrabreg e Drenoc. Ishte i sistemuar në njësitin për intervenime të shpejta në kuadër të Shtabit lokal të UÇK-së së fshatit Drenoc. Po ashtu ndihmoi popullatën e zonës për strehim, si dhe u angazhua në organizimin e aksioneve frontale deri në rënien e lavdishme më 3 qershor 1998, te Ura e Bajramhasanëve mbi fshatin Prejlep. Në atë betejë bien edhe bashkëluftëtarët e Ahmetit, Rexhep Mazrekaj e Selmon Dukaj, po nga Drenoci.
Katër muaj pas rënies, në fund të shtatorit të vitit 1998, trupi i dëshmorit Ahmet Baçaj u varros në varrezat e fshatit Llukë e Epërme. Ndërsa rivarrimi i dëshmorit u bë më 17 gusht 1999, në varrezat e fshatit Drenoc, së bashku me bashkëluftëtarët e rënë, Rexhep Mazrekaj e Selmon Dukaj. Këtyre tre dëshmorëve që kanë një ditërënie të përbashkët, në vendin e rënies u është vënë pllaka e përbashkët përkujtimore, si dhe u janë ngritur lapidarët mbi varr. Dëshmori Ahmet Baçaj ishte i martuar me Kymeten, dhe ka lënë tre fëmijët: Fitoren, Fisnikun dhe Fatbardhën.
Familja Baçaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Komanda e UÇK-së e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, Shoqatat e Dala nga Lufta të UÇK-së, Kuvendi Komunal i Deçanit, etj. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Sokol Rexha (8.7.1969 – 8.10.1998)

Abedin Rexha, lindi me 8 korrik të vitit 1969 në në fshatin Vojnik, të komunës ...