Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, ka kërkuar një Pakt Kombëtar për arsimin, duke e cilësuar transformimin e sistemit arsimor si domosdoshmëri dhe jo si çështje që mund të shtyhet për një dekadë tjetër. Pas pjesëmarrjes në një diskutim të organizuar nga Instituti EdGuard për rekomandimet e PISA-s, Hoxhaj ka kritikuar gjendjen e arsimit në Kosovë, duke theksuar se rezultatet e dobëta nuk lidhen me aftësitë e nxënësve, por me dështimet e vazhdueshme të sistemit dhe mungesën e reformave konkrete. “Kosova nuk është në fund të renditjes së PISA-s sepse fëmijët tanë janë më pak të zgjuar, por sepse sistemi ynë arsimor nuk është reformuar dhe transformuar siç duhet. Dështimi nuk është aksident. Është pasojë e gabimeve sistemike dhe e reformave të mbetura në letër”, ka shkruar Hoxhaj. Ai ka vënë në dukje problemet që, sipas tij, po pengojnë përmirësimin e cilësisë në mësimdhënie, përfshirë dominimin e mësimit përmendësh në vend të zhvillimit të mendimit kritik, mungesën e mbështetjes profesionale për mësimdhënësit dhe mospërputhjen e teksteve shkollore me kërkesat e kurrikulës. Hoxhaj ka kërkuar paga më të mira, zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe kushte më të përshtatshme pune për mësimdhënësit. Ai ka theksuar edhe nevojën për biblioteka funksionale, laboratorë për mësim praktik dhe klasa që nxisin kreativitetin e kureshtjen e nxënësve. “Arsimi kërkon një Pakt Kombëtar, shkolla me më shumë autonomi dhe përgjegjësi të qarta për rezultatet. Është koha për një transformim rrënjësor. Fëmijët nuk mund të presin edhe një dekadë!”, ka përfunduar Hoxhaj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
