Ardian Gjini alarmon për rritjen e borxheve të qytetarëve: Mbi 2.2 miliardë euro më shumë kredi për ekonomitë familjare

Kryetari i Aleancës, Gjini, ka ngritur shqetësimin për rritjen e shpejtë të kredive të ekonomive familjare në Kosovë, duke vënë në pikëpyetje nëse huamarrja po shërben për investime apo po bëhet gjithnjë e më shumë domosdoshmëri për përballimin e kostos së jetesës. Duke iu referuar të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, Gjini ka bërë të ditur se vlera e kredive të ekonomive familjare është rritur nga 1.315 miliardë euro në janar të vitit 2021, në 3.546 miliardë euro në shtator të vitit 2026. Kjo paraqet një rritje prej 169.6 për qind, apo më shumë se 2.2 miliardë euro. Shqetësuese, sipas tij, janë edhe të dhënat për peshën e kësteve kreditore në të ardhurat mujore të huamarrësve. Gjini ka theksuar se 29.2 për qind e huamarrësve të analizuar shpenzojnë së paku gjysmën e të ardhurave për shlyerjen e kredive.

Prej tyre, 17.7 për qind ndajnë nga 50 deri në 75 për qind të të ardhurave për këste, ndërsa për 11.5 për qind të huamarrësve detyrimet kreditore arrijnë ose tejkalojnë 75 për qind të të ardhurave mujore. “Kur një pjesë kaq e madhe e të ardhurave shkon për këste kredie, sa para i mbeten qytetarit për ushqim, rrymë, barna dhe nevojat e fëmijëve?”, ka shkruar Gjini. Ai ka pranuar se rritja e kreditimit mund të lidhet me investimet në patundshmëri dhe nevoja të tjera zhvillimore, por ka vënë në pah një dilemë më të gjerë ekonomike: sa qytetarë po marrin kredi për të investuar dhe sa të tjerë po detyrohen të hyjnë në borxhe vetëm për të përballuar shpenzimet e përditshme. Gjini ka kërkuar më shumë vëmendje institucionale ndaj kostos së jetesës, fuqisë blerëse dhe sigurisë financiare të familjeve, duke theksuar se rritja ekonomike nuk mund të konsiderohet mirëqenie nëse nuk përkthehet në përmirësim të jetës së qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ligji i ri për Gjykatën Speciale, kërkohet konsultim me BE-në dhe kthimi i selisë në Kosovë

Nisma e paralajmëruar për hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara të …