EULEX-i mohon, por çfarë panë gazetarët gjatë vizitës së Jakup Krasniqit në familje?

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka mohuar kategorikisht raportimet se një zyrtar i tij policor i kishte drejtuar armën një familjari të Jakup Krasniqit gjatë vizitës së këtij të fundit në familje për arsye humanitare. Në reagimin e publikuar më 20 nëntor, EULEX-i i ka cilësuar këto raportime si të pabazuara, duke pretenduar se pjesëtarët e tij nuk kanë drejtuar armë ndaj askujt gjatë ofrimit të mbështetjes logjistike dhe operacionale për Dhomat e Specializuara. Megjithatë, ajo që është parë gjatë ngjarjes nga gazetarët e pranishëm në vendngjarje nuk përputhet me mënyrën se si EULEX-i e paraqet situatën në reagimin e tij. Në praninë e gazetarëve, një zyrtar i armatosur i EULEX-it është parë duke folur dhe duke mbajtur armën të drejtuar në drejtim të familjarit të Jakup Krasniqit. Për shkak të distancës dhe pozicionit më të lartë ku ndodheshin gazetarët, biseda nuk është dëgjuar, ndërsa zyrtari kishte të mbuluar fytyrën. Në vend që të mjaftohet me një mohim kategorik, EULEX-i duhet të japë sqarime të plota për atë që ka ndodhur, përfshirë sjelljen e zyrtarit të tij dhe rrethanat në të cilat është mbajtur arma në drejtim të familjarit. Mohimi institucional nuk i zëvendëson sqarimet për atë që është parë në vendngjarje. Kur një mision ndërkombëtar vepron në Kosovë dhe është i pranishëm në një situatë që përfshin familjen e një të paraburgosuri, sjellja e zyrtarëve të tij duhet të jetë e qartë, profesionale dhe e hapur ndaj verifikimit publik. /RKL/

Kontrolloni gjithashtu

Ligji i ri për Gjykatën Speciale, kërkohet konsultim me BE-në dhe kthimi i selisë në Kosovë

Nisma e paralajmëruar për hartimin e një ligji të ri për Dhomat e Specializuara të …