Fillimi / Dëshmorët / Ismet Daut Hoti (31.12.1975 – 3.12.1998)
Ismet Daut Hoti (31.12.1975 - 3.12.1998)

Ismet Daut Hoti (31.12.1975 – 3.12.1998)

Luftëtari i lirisë, sot dëshmor i kombit, Ismet Daut Hoti, i fshatit Krushë e Madhe, ishte njëri prej nxënësve të shquar në shkollën fillore “Bajram Curri” të këtij fshati. Më vonë bëhet edhe një student i dalluar, i radhitur me kohë në vijën e rezistencës kombëtare e në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në maj të vitit 1998 pas të gjitha ushtrimeve të përfunduara në Drenoc të Zatriqit e në Zatriq, për përgatitjen fizike të një luftëtari të lirisë. I lindur dhe i rritur në një familje shumë të madhe në të cilën pjesën më të madhe të kohës e kalonte profesor Ukshin Hoti, shok i ngushtë i Dautit, të zotit të një shtëpie të madhe të Hotëve të Krushës së Madhe, Ismeti, si plot djemë e vasha të Krushës së Madhe, shumë herët pati rastin që ta dëgjojë dhe të përthithë nektarin patriotik me të cilin frymonte e tërë rinia e Krushës së Madhe veçanërisht pas rënies së dëshmorëve të janarit të vitit 1990 në mesin e të cilëve ishte edhe kushëriri i pare i Ismetit, Halim Hot i përjetësuar më 27 janar të vitit 1990 në “Lakun e Dëshmorëve” të “Grykës së Brestosit” të Anadrinit buzë rrgugës Brestofc – – Rahovec ku përveç profesorit Ukshin, edhe sot e kësaj dite ende të pagjetur, gjendej edhe profesor Muhamet Malësori, sot dëshmor i kombit, udhëheqës i grupit të të armatosurve në të cilin grup gjendej edhe Ismet Dauti.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, në fshatin Drenofc të Zatriqit më 26 prill të vitit 1998, aty ku i kishte përfunduar ushtrimet e kalitjes fizike dhe morale të luftëtarëve të lirisë, Ismet Hoti, së bashku me shumë studentë të tjerë nga ky fshat, është krah i komandant Xhelal Hajdës-Tonit, të ardhur në Drenoc nga Gllogjani dhe Shqiponja dhe Selajdin Mullabazit-Micit, të ardhur nga Carraaviku i Llapushës, sot githashtu të dytë heronj të Kosovës. Kështu, plejada e studentëve të Krushës së Madhe ku bënin pjesë: Ismet Hoti, Isak Hoti, Hida Hoti, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Bekim Gashi, Dalip Behra, Ismail Gashi, Enver Duraku, Fitim Duraku dhe shumë studentë të tjerë, sot të gjithë dëshmorë, Ismeti radhitet në vijat e para të frontit të zjarrtë buzë Drinit të Bardhë të njohur si Front i Anadrinit me Operacionin e Fortesës, e që pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Reti të Anadrinit, bëhet Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut.
Dëshmori Ismet Hoti, i Dautit dhe i nënës Habibe, bijë e Ukajve të Piranës, është i lindur më 31 dhjetor të vitit 1975 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Mësimet e para i mori në Shkollën Fillore “Bajram Curri” të këtij fshati e cila gjendet pothuajse në oborrin e profesor Ukshin Hotit, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin e Prizrenit që sot mban emrin e shkrimtarit “Gjon Buzuku”. Pas përfundimit të gjimnazit, Ismeti rgjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës të cilin nuk arriti ta përfundojë pasi që më e dashur i doli liria se sa diplomimi në fakultet, pra edhe Ismeti si 565 studentë, sot dëshmorë të kombit, indeksin e këmbeu me armën e zjarrtë për t’u bërë ballë hordhive të egra serboçetnike.
Si student, reflektonte gatishmëri për pjesëmarrje në të gjitha lëvizjet dhe organizimet kundër okupatorit serboçetnik. Si pjesëmarrës nëpër organizimet e rezistencës studentore, shumë shpejt i ra në sy policisë, prandaj, jo vetëm Ismeti me e shokët e Grupit të Studentëve të Fakultetit Juridik e të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, por edhe të gjithë anëtarët e kësaj familjeje të madhe, përndiqeshin dhe vetëm falë syçeltësisë së madhe të të zotit të shtëpisë Daut Hotit, njërit prej shokëve më të ngushtë të profesor Ukshin Hotit, dhe të shumë intelektualëve të kësaj familjeje, arrin t’u shpëtojë rënieve në kurthat e përgatitura në Krushë të Madhe të cilat i bënte policia serboçetnike e stacionit të Rahovecit së bashku me argatët shqipfolës, të cilët për fat të keq nuk ishin të paktë.
Operacionet e para të organizimimit të rezistencës së armatosur Ismet Dautin e gjetën në bankat e universitetit, por pasi që çlirimi i Kosovës i doli më i rëndësishëm se sa studimi, atëherë vendosi që indeksin studentor ta këmbejë me pushkën e lirisë dhe kështu merrte rrugë përa ta thyer Pashtrikun vetëm e vetëm që të armatosej vetë, por edhe të sjellë diçka prej armatimit edhe për shokët. Që në mars të vitit 1998, me të dëgjuar për krismat e rezistencës së familjes Jashari të Prekazit dhe të Haradinajve gjatë Betejës së Gllogjanit, Ismet Dauti me tërë Grupin e Krushës së Madhe, në krye të të cilit printe profesor Muhamet Malësori, kërkonte udhë e shteg për të shkuar në Gllogjan pasi që atyre ditëve flitej se në Gllogjan kishte arritur Xhelal Hajda-Toni nga Rahoveci. Bëri shumë përppjekje duke ndjekur Muhamet Malësorin si më të moshuar, vetëm e vetëm që të lidhet me Xhelal Hajdën, por nuk arriti të takohet e t’i bashkohet Tonit prandaj edhe i bashkohet Grupit të Mensur Zyberajt, sot Hero i Kosovës. Pas kontaktit të parë të prof. Muhamet Malësorit me Mensur Zyberajn, Grupi i Krushës së Madhe zë të marrë frymë në mënyrë më të mobilizuar pasi që në krye qëndronte Këshilli për Organizimin e Rezistencës së Armatosur në krye të të cilit qëndronin: Muhamet Malësori, Ismet Gashi, dhe Ragip Hoti, i vëllaj i profesor Ukshin Hotit.
Me arritjen e Xheal Hajdës në Drenoc të Zatriqit, fillojnë edhe vizitat e para në fshatin Krushë e Madhe pasi që ishte nipash i Durakëve të këtij fshati. Kështu edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë të shtrihej prej Drenoci kah Drinasi në drejtim të Gardhishtit për ta prerë aksion e magjistrales Prizren-Gjakovë te “Ura e Fshajt” dhe të lidhet me korridorin logjistik të Hasit përkatësisht me fshatin Rogovë. Me urdhërin e Komandant Tonit, për nevojat e logjistikës, grupi i Muhamet Malësorit i njohur si “Stuhia” i prirë nga Xhavit Elshani “Leopardi”, në të cilin gjendej edhe Ismet Hoti, merr rrugë për në Shqipëri në mënyrë që atje të takohet me Fehmi Hotin pasi që Fehmiu ishte njëri prej veprimtarëve të shquar të Krushës së Madhe që nga Tirana kooridononte me ndihma materiale dhe organizative me luftëtarët që arrinin në Shqipëri për të hyrë në Kosovë. Por, lajmi për rënien e Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, Hamdi Hajrizit, Bektesh Halitit dhe Nezir Ymerit te “Kryqi i Apterushës”, më 6 nëntor të vitit 1998, i tronditi të gjithë luftëtarët e lirisë prandaj edhe studentët e Krushës së Madhe me në krye profesorin e tyre Muhamet Malësorin. Grupi tenton që me çdo kusht të kthehet në Kosovë dhe t’u ribashkohet luftëtarëve të Anadrinit. Ata bënë përpjekje titanike e sizifiane për t’u kthyer, por mundësitë ishin të kufizuara pasi që Pashtriku ishte bërë gardh. E ky ishte “Dhjetori i Krushës së Madhe”, “Dhjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, “Dhjetori i Pashtrikut” të egër kur çdo shkrep e çdo shkurre kishte mbuluar bora e bardhë për të zezën në “Lugun e Zi” të Pashtrikut.
Atë ditë, për t’u kthyer në Anadrinin e përgjakur ishin nisur profesor Muhamet Malësori me: Hysni Durakun që e kishte braktisur “Luksin e Perëndimit” si shumë mërgimtarë të tjerë, me Skënder Hamelin, Ismet Hotin, Isak Hotin, Sedat Hotin, Hida Hotin, e Sinan Hotin, e që përveç hasjanit Skënder Hameli, të gjithë ishin nga Krusha e Madhe, madje pesë studentë të një vatre familjare. Të gjithë ishin nisur me këngë në gojë, armët në krah e indeksa në xhepa, me shpresë se në Kosovën e Lirë do t’i përfundojnë studimet e nisura. Dhe pikërisht në “Lugun e Zi” të Pashtrikut, afër “Trumçeve”, “L’kenit” dhe “Hurdhave të Bajram Malokut” fillojnë pritat për djelmoshat e Krushës së Madhe dhe të gjithë njëzërit ia morën asaj këngë, për Ata, të sprasme por edhe të hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, e në Krushën e Madhe u hapën plagët e Nënës Habibe, të babës Daut Hoti, të vëllezërve e motrave: Ejupit, Jahjasë, Habibit, Hasijes, Zejnepes, Hajrisë, Zejnisë dhe Kimetes.
Sot trupi i dëshmorit Isak Adem Hoti pushon në Kompleksin e Dëshmorëve: Agim Hoti, Agim Nalli, Bekim Gashi, Dalip Behra, Enver Duraku, Fahredin Hoti, Halim Hoti, Hysni Duraku, Fitim Duraku, Ismail Gashi, Muhamet Malësori, Naser Ramadani, Nijazi Gashi, Ragip Hoti, Sami Nalli, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Shukri Hoti, Xhemali Hoti e martirëve të këtij fshatit të shënuar në faqet më të ndritshme të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në amëshim të gjith presin ditët më të mira për Kosovën dhe për të gjitha trojet trojet etnike. E kalimtarit ende i tingëllojnë vargjet shpresëdhënëse të rapsodit Blerim Shala: “- Po ku je, more Ukshin Hoti? Pa Ty nuk vjen liria”. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Xhemë Osmani (21.5.1954 -15.1.1999)

Sadik Xhemë Osmani (21.5.1954 -15.1.1999)

Më 15 janar të vitit 1999, forcat okupatore serbe, në fshatin Reçak të Shtimes kryen ...