leoni

Isak Adem Hoti (9.8.1974 - 3.12.1999)

Isak Adem Hoti (9.8.1974 – 3.12.1999)

Luftëtari i lirisë, Isak Hoti, sot dëshmor i kombit ishte njëri prej nxënësve të shquar në shkollën fillore, gjithashtu, më vonë edhe student i dalluar, i radhitur me kohë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në maj të vitit 1998 pas të gjitha ushtrimeve të përfunduara për përgatitjen fizike të një luftëtari të lirisë. I lindur dhe i rritur në një familje shumë të madhe në të cilën pjesën më të madhe të kohës e kalonte profesor Ukshin Hoti, shok i ngushtë i Dautit, të zotit të një shtëpie të madhe të Hotëve të Krushës së Madhe, Isaku si plot djemë e vasha të Krushës së Madhe, shumë herët pati rastin që ta dëgjojë dhe të përthithë nektarin patriotik me të cilin frymonte e tërë rinia e Krushës së Madhe veçanërisht pas rënies së dëshmorëve të janarit të vitit 1990 në mesin e të cilëve ishte edhe kushëriri i pare i Isakut, Halim Hot i përjetësuar më 27 janar të vitit 1990 në “Lakun e Dëshmorëve” të “Grykës së Brestosit” të Anadrinit ndërmjet fshatit Brestofc dhe Rahovecit ku përveç profesorit Ukshin, ende të pagjetur, gjendej edhe profesor Muhamet Malësori, sot dëshmor i kombit.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e Anadrinit, në fshatin Drenofc të Zatriqit më 26 prill të vitit 1998, Isak Hoti, së bashku me shumë studentë të tjerë nga ky fshat, është krah i komandant Xhelal Hajdës-Tonit dhe Selajdin Mullabazit-Micit, sot githashtu heronj të Kosovës. Kështu, plejada e studentëve të Krushës së Madhe ku bënin pjesë: Isak Hoti, Hida Hoti, Ismet Hoti, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Bekim Gashi, Dalip Behra, Ismail Gashi, Enver Duraku, Fitim Duraku dhe shumë studentë të tjerë, sot të gjithë dëshmorë, Isaku radhitet në vijat e para të frontit të zjarrtë buzë Drinit të Bardhë të njohur si Front i Anadrinit e që pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Reti të Anadrinit, formohet Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut.
Dëshmori Isak Hoti, i xha Ademit dhe i nënës Nurishah, e lindur Spahiu, është i lindur më 9 gusht të vitit 1974 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Mësimet e para i mori në Shkollën Fillore “Bajram Curri” të këtij fshati e cila gjendet pothuajse në oborrin e profesor Ukshin Hotit, ndërsa shkollën e mesme e filloi në vendlindje dhe e përfundoi në Gjimnazin që sot mban emrin “Xhelal Hajda-Toni” në Rahovec. Pas përfundimit të gjimnazit, Isaku regjistrohet në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt.
Si student, reflektonte gatishmëri për pjesëmarrje në të gjitha lëvizjet dhe organizimet kundër okupatorit serboçetnik. Si student, pjesëmarrës nëpër organizimet e rezistencës, shumë shpejt i ra në sy policisë, prandaj, jo vetëm Isaku me e shokët e Grupit të Studentëve të Shkollës së Lartë Teknike të Ferizajt, por edhe të gjithë anëtarët e kësaj familjeje të madhe, përndiqeshin dhe vetëm falë syçeltësisë së madhe të të zotit të shtëpisë dhe të shumë intelektualëve të kësaj familjeje, arrin t’u shpëtojë rënieve në kurthat e përgatitura në Krushë të Madhe të cilat i bënte policia serboçetnike e stacionit të Rahovecit.
Operacionet e para të organizimimit të rezistencës së armatosur Isakun e gjetën në bankat e universitetit, por pasi që çlirimi i Kosovës i doli më i rëndësishëm se sa studimi, atëherë vendosi që indeksin studentor ta këmbejë me pushkën e lirisë dhe kështu merrte rrugë përa ta thyer Pashtrikun vetëm e vetëm që të armatosej vetë, por edhe të sjellë diçka prej armatimit edhe për shokët. Që në mars të vitit 1998, me të dëgjuar për krismat e rezistencës së Jasharajve të Prekazit dhe të Betejës së Gllogjanit, Isak Ademi me tërë Grupin e Krushës së Madhe kërkonte udhë e shteg për të shkuar në Gllogjan pasi që atyre ditëve flitej se në Gllogjan kishte arritur Xhelal Hajda-Toni nga Rahoveci. Bëri shumë përppjekje duke ndjekur Muhamet Malësorin si më të moshuar, vetëm e vetëm që grupi të lidhej me Xhelal Hajdën, por nuk arriti të takohet e t’i bashkohet Tonit prandaj edhe i bashkohet Grupit të Mensur Zyberajt, sot Hero i Kosovës. Pas kontaktit të parë të prof. Muhamet Malësorit me Mensur Zyberajn, Grupi i Krushës së Madhe zë të marrë frymë në mënyrë më të mobilizuar pasi që në krye qëndronte Këshilli për Organizimin e Rezistencës së Armatosur në krye të të cilit qëndronin: Muhamet Malësori, Ismet Gashi, dhe Ragip Hoti, i vëllaj i profesor Ukshin Hotit. Me arritjen e Xheal Hajdës në Drenoc të Zatriqit, fillojnë edhe vizitat e para në fshatin Krushë e Madhe pasi që ishte nipash i Durakëve të këtij fshati. Kështu edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës zë të shtrihej prej Drenoci kah Drinasi në drejtim të Gardhishtit për ta prerë aksion e magjistrales Prizren-Gjakovë te “Ura e Fshajt” dhe të lidhet me korridorin logjistik të Hasit përkatësisht me fshatin Rogovë. Me urdhërin e Komandant Tonit, për nevojat e logjistikës, grupi i Muhamet Malësorit i njohur si “Stuhia” i prirë nga Xhavit Elshani “Leopardi”, në të cilin gjendej edhe Isak Hoti, merr rrugë për në Shqipëri në mënyrë që atje të takohen me Fehmi Hotin pasi që Fehmiu ishte njëri prej veprimtarëve të shquar të Krushës së Madhe e nga Tirana kooridononte me ndihma materiale dhe organizative me luftëtarët që arrin në Shqipëri për të hyrë në Kosovë.
Por, lajmi për rënien e Xhelal Hajdës, Selajdin Mullabazit, Hamdi Hajrizit, Bektesh Halitit dhe Nazir Ymerit te “Kryqi i Apterushës”, më 6 nëntor të vitit 1998, i tronditi të gjithë luftëtarët e lirisë prandaj edhe studentët e Krushës së Madhe me në krye profesorin e tyre Muhamet Malësorin. Grupi tenton që me çdo kusht të kthehet në Kosovë dhe t’u ribashkohet luftëtarëve të Anadrinit. Ata bënë përpjekje titanike e sizifiane për t’u kthyer, por mundësitë ishin të kufizuara pasi që Pashtriku ishte bërë gardh. E ky ishte “Dhjetori i Krushës së Madhe”, “Dhjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, “Dhjetori i Pashtrikut” të egër kur çdo shkrep e çdo shkurre kishte mbuluar bora e bardhë për të zezën në “Lugun e Zi” të Pashtrikut.
Atë ditë, për t’u kthyer në Anadrinin e përgjakur ishin nisur: profesor Muhamet Malësori me Hysni Durakun që e kishte braktisur “Luksin e Perëndimit” si shumë mërgimtarë të tjerë, me Skënder Hamelin, Isak Hotin, Sedat Hotin, Hida Hotin, Ismet Hotin, e Sinan Hotin, e që përveç hasjanit Skënder Hameli, të gjithë ishin nga Krusha e Madhe, madje pesë studentë të një vatre familjare. Të gjithë ishin nisur me këngë në gojë, armët në krah e indeksa në xhepa, me shpresë se në Kosovën e Lirë do t’i përfundojnë studimet e nisura. Dhe pikërisht në “Lugun e Zi” të Pashtrikut, afër “Trumçeve”, “L’kenit” dhe “Hurdhave të Bajram Malokut” fillojnë pritat për djelmoshat e Krushës së Madhe dhe të gjithë njëzërit ia morën asaj këngë, për Ata, të sprasme por edhe të hareshme për Kosovën e ëndërruar matanë Kosove, e në Krushën e Madhe u hapën plagët e Nënës Nurishah, të babës Adem Hoti, të vëllezërve e motrave: Fadilit, Sabitit, Xhemalisë dhe Subhisë. Sot trupi i dëshmorit Isak Adem Hoti pushon në Kompleksin eDëshmorëve: Agim Hoti, Agim Nalli, Bekim Gashi, Dalip Behra, Enver Duraku, Fahredin Hoti, Halim Hoti, Hysni Duraku, Fitim Duraku, Ismail Gashi, Ismet Hoti, Muhamet Malësori, Naser Ramadani, Nijazi Gashi, Ragip Hoti, Sami Nalli, Sedat Hoti, Sinan Hoti, Shukri Hoti, Xhemali Hoti e martirëve të këtij fshatit të shënuar në faqet më të ndritshme të historisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në amëshim të gjith presin ditët më të mira për Kosovën dhe për të gjitha trojet trojet etnike. E kalimtarit ende i tingëllojnë vargjet shpresëdhënëse të rapsodit Blerim Shala: “- Po ku je, more Ukshin Hoti? Pa Ty nuk vjen liria!” (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …