Basri Halil Canolli (16.2.1976 - 18.6.1999)

Basri Halil Canolli (16.2.1976 – 18.6.1999)

Në luftën e gjatë dhe heroike të popullit shqiptar, kanë bërë emër edhe luftëtarë të anëve të ndryshme të atdheut, ku trimëria, sakrifica dhe lufta kundër robërisë nuk janë ndalur për asnjë moment. Të tillë ishin edhe liridashësit e Marecit, një fshat i madh dhe i shkapërderdhur i Malësisë së Gallapit, ku ndër shekuj ka jehuar pandërprerë arma çlirimtare.

Në ditën e 16 shkurtit të vitit 1976, bashkëshortëve, Halilit dhe Selvetes, u lind fëmija i dytë, djali të cilin e pagëzuan me emrin Basri.

Duke qenë se familja e Canollëve për tre brezat e mëparshëm nuk ishte shtuar me fëmijë meshkuj, gjyshi Sinani, me rastin e lindjes së nipit, Basriut, kishte shkrehur pesë plumba të mauzerit. Krisma kishte përshkuar lugjet e brigjet, nëpër të cilat në kohën e luftës së UÇK-së do të jehonte thekshëm pushka e çlirimtare e vetë Basriut dhe e bashkëluftëtarëve të tij.

Mësimet fillestare, Basri Canolli i mori në shkollën e vendlindjes. Ai ishte dalluar, si me mësime, por edhe me sjelljet shembullore. Si i tillë, i mirë dhe me edukatë, Basriu rritej tërë shend, në familje dhe në mesin e moshatarëve. Dallohej për solidarësi, dashuri të sinqertë për njerëzit e sidomos për të afërmit. Kishte tipare të zeshkanit e me shtat të hedhur të atletit.

Qysh si fëmijë, nën ndikimin e të atit, Halilit ,dhe të kundërshtarëve të tjerë të robërisë, Basriu pajiset me ideale çlirimtare. E kishte kuptuar me kohë se politika e nënshtrimit dhe e durimit nuk do t’ia sillte lirinë atdheut, andaj kontakton me bashkëmendimtarë dhe vepron në drejtim të pajisjes me armatim.

Në vitet 1996-1997, Basriu, së bashku me vëllezërit, Bashkimin dhe Besimin, shkon në Tuz të Malit të Zi, prej nga arrin ta kalojë kufirin malazezo-shqiptar. Nga atje sjell një sasi armatimi, të cilin e strehon në vende të sigurta.

Më 7 mars të vitit 1997, në orën 5 të mëngjesit, 12 policë të MUP-it serb me një pizgauer dhe automjete të tjera, e rrethojnë shtëpinë e Halil Canollit në Marec. Policia depërton në odë dhe i arreston Basriun, Hilmiun, Bardhylin dhe Sinanin, të cilët i ndan nga njëri-tjetri. Pas pesë orë kontrollimi në shtëpi dhe përreth saj, të arrestuarit i nisin në drejtim të stacionit policor, gjithnjë duke i torturuar dhe duke i pyetur për armët, për kalimin e kufirit, për ushtrimet ushtarake e të tjera. Kjo polici interesohet edhe lidhur me rastin e plagosjes së rektorit të Universitetit të pushtuar të Prishtinës, Papoviq. Gjatë rrugës për në stacionin policor, të arrestuarit torturohen egërsisht dhe në një rast rreshtohen për pushkatim, me qëllim që ata nga frika të tregonin se ku i kishin fshehur armët. Të katër vëllezërit Canolli u nënshtrohen torturave çnjerëzore edhe pasi dërgohen në stacionin policor në Lagjen së Muhaxherëve në Prishtinë.

Ata lirohen pas 9 orësh qëndrimi në arrest, duke marrë të shara, ndërsa Basriu u urdhërua të paraqitej sërish në polici.

Më 10 mars të po atij viti, Basriu merr ftesë për t’u paraqitur në stacionin e policisë serbe në Graçanicë. Për t’i humbur gjurmët e veprimeve të tij ilegale, ai në leterënjoftimin e vëllait të vogël, Veliut, e vendos fotografinë e vet, ndërsa Veliun e përcjell për në Gjermani.

Që nga 10 marsi i vitit 1997, Basriu nuk pranon t’i bjerë në dorë policisë serbe. Asokohe kishte filluar kontaktet me bashkëveprimtarët, si Shemsi Syla, Fatmir Humolli, Bekim Asllani, Fatmir Sopi e shumë të tjerë.

Basriu kishte filluar jetën e ilegalit, duke bërë përgatitjet për luftën e armatosur, e cila shpërndau rreze lirie më 28 nëntor të vitit 1997, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me urdhër të komandantit Adem Jashari, doli publikisht në Llaushë, duke shpalosur alternativën e vetme, rrugën e vetme për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë. Basriu asokohe ishte shend e verë. Ai i besonte forcës kombëtare, i besonte lirisë, duke qenë tejet i vetëdijshëm se Kosova do liri, por liria do heronj.

Në qershor të vitit 1998, Basriu përshëndetet me prindërit dhe depërton në frontet e luftës çlirimtare në Drenicë, ku arma e trimave luftëtarë i kishte çliruar shumë pjesë të territoreve të Drenicës, të Anadrinit dhe të Dukagjinit. Basriu ishte kudo, në front, në istikame, nga një zonë në tjetrën. Ai hapëronte pa u ndalur. Bashkëluftëtarët filluan ta thërrasin Shpend, sepse ecejaket ishin të shpejta, si era, si fluturim petriti.

Nga Drenica heroike, Basriu depërton në Zonën Operative të Shalës, e më pas edhe në Zonën e Llapit. Gjithnjë në radhët e para.

Basriu ishte në kontakt edhe me grupin gueril BIA, që vepronte në Prishtinë. Asokohe mban kontakte me veprimtarët e luftëtarët e mirënjohur, si Rrahman Dina, Fatmir Sopi, Sali Mustafa e të tjerë. Bazën e parë të gueriles, Basriu e formon në shtëpinë e Hamëz Makollit në Marec, nga e cila kishte dalë trimi Shyt Vaku, i quajtur edhe Shyt Mareci, i mirënjohur për qëndresë e trimëri kundër okupatorëve serbë. Komandant i njësitit, në këtë rast, caktohet Sadik Hamëz Vakoci, i njohur me emrin e luftës, “Mësuesi”.

Në dhjetor të vitit 1998, Basriu formon njësitin tjetër ushtarak në lagjen e Canajve të Marecit. Në këtë njësit bënin pjesë edhe babai i Basriut dhe vëllezërit, Ilmiu e Bardhyli, si dhe disa kushërinj të tij.

Basriu asokohe koordinonte veprimet në mes të njësiteve të Marecit, të gueriljes BIA dhe të Brigadës 153. Me urdhër të Shtabit të kësaj brigade, Basri Canolli emërohet në njësitin pararojë të komandantit të lavdishëm të brigadës, ushtarakut nga Shqipëria administrative, Adem Shehu.

Duke folur për shpirtin e sakrificës dhe trimërinë e Basri Canollit, komandant Adem Shehu, ndër të tjera, ka veçuar: “Shpendi ishte një strateg i luftës dhe guximtar ndër më të dalluarit të Malësisë së Gallapit. Më kujtohet kur më 13 mars të vitit 1999 në Shtabin e Brigadës në Zllash kishte ardhur lajmi se forcat serbe po afrohen në drejtim të Brigadës, po ashtu një dezinformatë se gjoja ishim rrethuar dhe serbët tani po godasin nga drejtimi i Kukavicës. Shpendi asokohe ishte me detyrë së bashku me Asllanin në Prapashticë. Pasi kishte hetuar sulmin serb, së bashku me bashkëluftëtarët e tij nëpër zjarrin e luftës kishte depërtuar nga Vitia e Marecit dhe kishte arritur në bazë. Duke qenë se serbët granatonin pandërprerë nga drejtimi i Kukavicës, Shpendi m’u drejtua me këto fjalë: Komandant, nëse serbët shtinë pandërprerë nga drejtimi i Kukavicës, ata kanë për qëllim depërtimin nga ana e Sutjeskës së Mramorit, për të na godituar nga ana e djathtë në drejtim të bazës sonë. E lejova Shpendin të niset në atë drejtim në krye të një njësiti. Pas hjë orë e gjysmë, përmes radiolidhjes, Shpendi m’ u lajmërua nga vendluftimet në Sutjeskë. Atje luftëtarët tanë i thyen forcat armike duke iu shkaktuar humbje në njerëz dhe teknikë lufte.”

Më 19 prill të vitit 1999 nga vëzhguesit e terrenit kishte arritur lajmi se në orën 19 të mbrëmjes, një ekspeditë ushtarësh serbë kishte depërtuar te Xhamia e Kurtajve të Kaqekollës, në afërsi të magjistralit Prishtinë-Kaqekollë. Komandanti Adem Shehu, me Shpendin, Fatmir Humollin, Hamit Fazliun, Asllanin e të tjerë, arrin afër Xhamisë dhe fillon t’i rrethojë forcat ushtarake serbe. Shpendi me mortajë dore kishte zënë pozicion te dera e Xhamisë. Komandant Adem Shehu sapo përgatitet për të dhënë urdhër për sulm, arma e Shpendit godet ushtarët serbë brenda xhamisë. Pasa taj fillon breshëria e armëve të çlirimtarëve nga të gjitha anët. Luftëtarët e Brigadës 153 kthehen pa humbje. Te nesërmen, luftëtarët e kësaj brigade arrijnë ta kapin të gjallë kriminelin serb, i quajtur Nebojsha, i cili, ndër të tjera, rrëfen se në xhaminë e Kurtajve të Kaqekollës, një natë më parë ishin vrarë 22 paramilitarë serbë.

Më 27 prill të vitit 1999, në kohën e intensifikimit të luftimeve në të gjitha frontet e UÇK-së, Basri Canolli, së bashku me Bekim Asllanin ishin ofruar te një shtëpi në lagjen e Kaçotëve të Kaqekollës, duke vëzhguar pozicionimin e forcave serbe. Shpendi nga komanda kërkon leje për sulm. Pas një kohe ai sërish afrohet afër shtëpisë ku ishin pozicionuar forcat armike dhe qëllon katër herë radhazi me minahedhësi n e tij, duke goditur forcat serbe. Edhe Bekimi qëllon me “zollën” e tij dhe që të dy tërhiqen pa pasoja.

Më 3 maj të vitit 1999, në bërrylin e parë të magjistralit Prishtinë – Prapashticë, te vendi i quajtur Vorret e Spahive, Shpendi asgjëson një pizgauer të armikut.

Më 16 qershor, Shpendi me bashkëluftëtarë fillon operacionin e ndjekjes së bandave serbe, të cilat jo vetëm që tërhiqeshin me turp, por në kamionë ushtarakë kishin ngarkuar edhe plaçkat që kishin bërë nëpër shtëpitë e shqiptarëve. I paepur në rrugën e tij çlirimtare ai dëshironte që serbët t’ i dëbonte larg kufirit të Kosovës. Atë ditë gjatë një mësymjeje kundër hordhive serbe, Basri Canolli, shpendi i rrugëtimeve çlirimtare të UÇK-së, bie në altarin e atdheut.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …