Për sukseset e saj të jashtëzakonshme në fushën e muzikës, Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka pritur në ambientet e komunës talenten e re, Amra Salihu, nxënëse e Shkollës Fillore “Shaban Jashari”.
Amra, në edicionin e 17-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë “Lyra”, të mbajtur në Gjilan, fitoi Vendin e Parë, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe aftësitë e saj artistike. Po ashtu, në festivalin ndërkombëtar “Mollëkuqet”, Amra u nderua me Çmimin Special, një vlerësim i rëndësishëm që konfirmon potencialin e saj të madh në art dhe muzikë.
Me këtë rast, kryetari Lushtaku e përgëzoi Amrën për arritjet e saj, duke vlerësuar punën, talentin dhe përfaqësimin dinjitoz që ajo i ka bërë Skenderajt në këto ngjarje artistike.
I urojmë Amrës edhe shumë suksese të tjera në rrugëtimin e saj artistik, me besimin se ajo do të vazhdojë të na përfaqësojë me krenari në skena të ndryshme muzikore, ka thënë me këtë rast kryetari i Skenderajt, z. Sami Lushtaku.