Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën e paralajmëruar nga Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë, e cila do të mbahet të premten në Prishtinë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedonia e Veriut. Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Haradinaj theksoi se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është një e drejtë themelore, e garantuar me Kushtetutë, dhe se ajo nuk duhet të vihet në diskutim apo të kufizohet nga asnjë institucion. Ai vlerësoi se mbrojtja e gjuhës shqipe është një çështje që prek identitetin, barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë thirrje institucioneve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të drejtat e komunitetit shqiptar. Protesta e studentëve është paralajmëruar si reagim ndaj shqetësimeve për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset e testimit dhe provimeve shtetërore, një çështje që ka nxitur debat dhe reagime të shumta në opinionin publik shqiptar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
