Arlinda Sylaj-Zekaj, 49-vjeçare, e vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun që i kanosej, vetëm tri ditë para tragjedisë. Në një letër të datës 22 tetor, drejtuar kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, ajo kishte kërkuar ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi për mënyrën e trajtimit të rastit të saj. “Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar Arlinda. Sipas raportimeve, ajo kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje institucionale dhe kishte paraqitur ankesa lidhur me çështjet e saj familjare. Mbrëmjen e 25 tetorit, pasi raportoi dhunën në familje, Arlinda u intervistua nga Policia dhe u dërgua në shtëpi. Rreth orës 21:10, ajo u gjet pa shenja jete. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili, sipas raportimeve, është në arrati. Rasti ka ngritur pikëpyetje serioze për masat e ndërmarra për mbrojtjen e saj. A u vlerësua rreziku dhe a mund të parandalohej vrasja? Përgjigjet duhet t’i japë një hetim i plotë dhe i paanshëm.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.

