Komandant Luli (Kadri Veseli), Ramë Buja dhe Berat Luzha kërkojnë të pamundurën (E martë 18 maj, 1999)

Komandant Luli (Kadri Veseli), Ramë Buja dhe Berat Luzha kërkojnë të pamundurën (E martë 18 maj, 1999)

Nga lodhja dhe shqetësimet e ditës nuk kam bërë gjumë të rehatshëm. Ndihem i lodhur, i dërrmuar dhe tejet i brengosur kur shoh krejt këtë përqendrim të njerëzve që mendojnë se këtu do të shpëtojnë.

Shpërthimet dhe krismat që po zhvillohen në luftë përreth Rrafshnaltës nuk dëgjohen në Grykë. Këtu vetëm shpërthimet e bombave të aeroplanëve të NATO-s dëgjohen nëse godasin diku afër. Rrymimi i ajrit dhe  gurgullima e lumit krijojnë  simfoninë përjetësore të lëvizjes së përjetshme.

Sulmet e NATO-s tanimë po rrallohen. Ka rënë dukshëm intensiteti, ndërsa lajmet se do të vihen në përdorim helikopterët e quajtur APAQ, nuk duken serioze. Komanduesit e sulmeve ajrore nuk duan të intervenojnë me këmbësori, sepse  nuk duan të humbin as edhe një ushtar të tyre. Ata, si duket po rezervohen vetëm nëse konsiderojnë se lufta nga ajri nuk e detyron Jugosllavinë të dorëzohet. Këto sulme e kanë egërsuar tejmase ushtrinë dhe policinë serbe, e cila mllefin dhe urrejtjen po e derdh mbi shqiptarët e paarmatosur.

Rreth orës 14.00 së bashku me Elez Durmishin dhe Naim Rizanin jemi nisur në drejtim të Berishës. Elezi ka punë në Komandën e Brigadës, ndërsa Naimi ndodhet në njësinë ushtarake të radiolidhjeve në Berishë. Në hyrje të fshatit Javur vërejmë xhipin e Komandant Topit. Së bashku me te ishte edhe Komandant Guri. Pasi u përshëndetëm ata kërkuan që Elezi t’ iu bashkohet meqë sonte si duket do të organizohet një aksion, në një depo të armikut afër Magurës.

Së bashku me Naimin vazhdojmë rrugën për në Berishë. Naimi është luftëtar i përkushtuar i UÇK-së

Ai është në mesin e ushtarëve që i kanë kryer stërvitjet ushtarake disa vjet më parë në Shqipëri.

Në mbrëmje arrijmë në Berishë. Naimi niset në njësitin e tij ndërsa unë marr rrugë drejt tendës.

Pasi është errësuar, derisa me Nezir Myrtajn po i komentonim zhvillimet e fundit, në tendë kanë ardhur pa paralajmëruar Kadri Veseli i njohur si Luli, pastaj Ramë Buja, Berat Luzha dhe Nuri Beu. Jemi përshëndetur dhe pa vonuar Luli e ka bërë të ditur qëllimin e vizitës. Ai kërkon që sërish të bëhemi bashkë, Radioja dhe Agjencia, pa analizuar se përse ne kemi zgjedhur këtë rrugë, përse kemi vendosur të jetojmë në tendë ashtu si mijëra të zhvendosur të tjerë.

I tregoj komandant Lulit se ne jemi në luftë, dhe lufta dikton kushte dhe rrethana veprimi. Po ashtu i bëj me dije se antena e Radios nuk është si antenë e telefonit satelitor, por ajo është shumëfish më e komplikuar. Se duhet mbi antenë sistemi i mbrojtjes nga rrufeja i cili nuk të lejon të ecësh sepse sondat duhet të jetë thellë të futura në dhe, për të bërë zbrazjen e energjisë, në rast se godet rrufeja. Po ashtu për hir të ruajtjes së stafit nuk mendoj se duhet të rrezikohem në vajtje ardhje 10 kilometra në ditë për hir të një kalkulimi  të gabuar, i cili lidhet me një pretendim të sëmurë të një individi që do ta shtrijë sundimin, si njeri që dashka të pyetet edhe atëherë kur nuk ka lidhje me asgjë, edhe atëherë kur bëhet gati të ikë, për ta shpëtuar prapanicën. Ramë Buja nuk flet asnjë fjalë. Ai si duket e ka kuptuar me kohë qëndrimin tim. Edhe Nezir Myrtaj rrëfen shkakun e vendosjes tonë në pikat e luftës, e cila akordon me rrethanat e luftës dhe me kushtet për transmetim. Ai po ashtu e aktualizon çështjen e telefonit satelitor, me të cilin padrejtësisht është dëmtuar programi i Radios, sepse agjencia pa pikë përgjegjësie i mbanë dy telefonë satelitorë, dhe tre telefona mobilë që ka dërguar Shoqata e  të Burgosurve politikë, ndërsa stafi i Radios Kosova e Lirë nuk disponon  asnjë.

Si duket Rama Buja dhe Kadri Veseli janë bindur në këmbënguljen tonë dhe e shohin se synimi i tyre ashtu sikurse edhe synimi i sëmurë i Berat Luzhës do të mbetet i parealizueshëm. Ai ka vërejtur se nuk kemi folur asnjëri me Beratin. Pavarësisht se si e kanë interpretuar qëndrimin tonë ata nuk ndahen të kënaqur, por është fat se nuk kanë forcë për të na detyruar që të futeni nën urdhrat  e një mjerani senil, që nuk është i aftë të pastrojë as trupin e tij se lërë më trurin e shterur.

Martini ka shprehur qëndrimin e tij pajtimtar, por nuk është treguar decidiv se për çfarë arsye duhet të bëhet ndryshe, kur ne afër dy muaj po transmetojmë program në kushte tejet të rënda dhe në vijën e parë të frontit.

Si duket të dyja palët kemi mbetur të pakënaqur. Gjasat për ta marrë njërin prej telefonave kanë dështuar përfundimisht por edhe gjasat për ndonjëfarë “pajtimi” me Berat Luzhën dhe qëndrimin e tij naiv, kanë dështuar përjetë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …