Enver Shahin Berisha (10.5.1970 - 18.5.1999)

Enver Shahin Berisha (10.5.1970 – 18.5.1999)

Enver Berisha u lind në fshatin Siçevë, komuna e Prishtinës, nga prindërit: babai Shahini dhe nëna Mehreme, të cilët patën gjithsej shtatë fëmijë (dy djem e pesë vajza): Mevluden, Havën, Enverin, Skenderin, Sanien dhe Magbulen. Babë Shahini, fëmijët e tij i rriti me vështirësi, pasi që toka e paktë që kishin, vështirë i’u siguronte bukën e gojës. Babai i Enverit, Shahini në një periudhë kohore 1977—1990, ishte punëtor krahu në ish ndërmarrjen “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe sakrifikoi në vazhdimësi për rritjen dhe shkollimin e fëmijëve të tij.
Enver Berisha shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, me sukses të shkëlqyeshëm dhe dallohej si një djalë i dashur dhe mendjehollë. Shkollën e Mesme Bujqësore e kreu në Prishtinë, për tu regjistruar më pastaj në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Edhe motra e madhe-Mevludeja ishte studente e Fakultetit Ekonomik dhe zakonisht mësonin në një dhomë të përbashkët, por këtu jo rrallë herë vëlla e motër bisedonin për çështjen kombëtare dhe nevojën për çlirimin e vendit. Enveri për shumë luftëra të shqiptarëve kundër pushtuesve të shumtë i mësoi në prehrin e gjyshit- Jahirit dhe të babait. Vatra e ngrohtë familjare i mësoi atdhedashurinë, ndjenjat për liri dhe çlirim kombëtar si dhe urrejtjen ndaj pushtuesit. Viti 1998, Enverin e zuri si absolvent në Fakultetin Juridik.
Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rrethanat e krijuara në vazhdim për Enverin ishin sinjal ndriçues se puna e studimeve mori fund, përderisa nuk çlirohet Kosova. Shtrirja organizative e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit dhe daljet me uniformë të ushtarëve të UÇK-së nëpër fshatrat e regjionit të Llapit dhe Gollakut, ngjallën edhe më shumë dëshirën e Enverit për t’u bërë pjesë e luftëtarëve të lirisë.
Në tetor të vitit 1998, Enver Berisha shkoi në fshatin Llapashticë të Besianës, ish-Podujevë, ku ishte i vendosur Shtabi i ZOLL-it (Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit) për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty, eprorët e Zonës e udhëzuan të kthehej në fshatin e lindjes dhe të priste të kontaktohej nga përfaqësues të UÇK-së në atë pjesë. Enveri u kthye në fshatin e tij të lindjes, u kontaktua nga përgjegjësit e UÇK-së në fshat dhe në janar të vitit 1999, shkoi në lagjen e Brajshorëve në fshatin ku i kreu ushtrimet ushtarake prej 15 ditësh. Ushtrimet ushtarake në atë kohë, në qendrën trajnuese në lagjen e Brajshorëve i udhëhiqte, vullnetari nga Shkupi, Isak Tusha, i njohur me nofkën Kataliku. Pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake, Enveri u kthye në Siçevë dhe i’u bashkua njësitit të tij që operonte në Siqevë e që ishte njësit në kuadër të Batalionit të parë të Brigadës 153, Batalion ky që komandohej nga eprori Ejup Maqedonci- Uki.
Enveri për fillim mbante një revolver, tip amerikan të dhuruar nga gjyshi.
Shtëpia e Enverit gjatë gjithë periudhës së luftës ishte e mbushur me mysafirë të zhvendosur nga anë të ndryshme të Kosovës. Në fund të marsit 1999 kur u bë dëbimi i popullatës së Prishtinës nga forcat okupatore serbe, gjyshi i Enverit, bacë Jahiri 94 vjeç, i paralizuar, mbeti i ngujuar në shtëpinë e tij në lagjen “Kodra e Trimave” në pjesën ku u shpall “Zonë Policore” nga forcat e okupatorit. Gjyshit të Enverit i kanosej rreziku të vdesë nga uria dhe etja. Me të dëgjuar për gjyshin e tij që aq fort e deshi, Enveri hyri natën në lagje dhe duke kaluar nga një oborr në tjetrin shkoi në shtëpinë e gjyshit. E vendosi në një karrocë dore dhe kështu e barti për 11 kilometra deri në fshatin Siqevë. Gjatë kësaj periudhe, dikush nga mysafirët që u strehuan në shtëpinë e Enverit, i dhuroi atij një pushkë M-48, pushkë të cilën Enveri do ta mbante deri në përjetësimin e tij.
Ofensiva ushtarake serbe e prillit të vitit 1999, ishte ndër ofensivat më të mëdha që forcat okupatore zhvilluan kundër UÇK-së dhe popullatës civile të Gollakut, kjo ofensivë kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme në gjithë Zonën Operative të Llapit, e në veçanti në territorin gjeografik ku e mbulonte Brigada 153 dhe në kuadër të kësaj edhe të Batalionit të parë që mbulonte fshatrat, Sharban, Rimanishtë, Siqevë dhe Besi. Batalioni i parë – BUNA 26, mbante një pozitë tepër strategjike për të gjithë territorin e Brigadës 153. Ky batalion mbyllte dy gryka tepër strategjike për forcat serbe për të depërtuar në pjesët e Gollakut dhe në drejtim të Shtabit të Brigadës 153, grykën e Rimanishtës dhe atë të Siqevës.
Në luftimet që u zhvilluan gjatë kësaj ofensive, Enveri kreu detyra të rëndësishme luftarake dhe ishte një ndër ushtarët më të dalluar në luftime. Ai kishte një karakter të fortë, pjekuri, vizion të qartë dhe mbi të gjitha ishte shumë guximtar. Ishte i qetë në marrjen e vendimeve, diskutonte, bënte analiza të thella deri në imtësi para se të merrej vendimi për aksione. Këto tipare dhe shkathtësi të tij bënë që pas ofensivës së Prillit, Enveri të caktohej me detyrë, komandant i njësitit Skifteri 10, njësit ky që operonte në kuadër të njësisë intervenuese të Batalionit të parë të Brigadës 153.
Ai me njësitin e tij, gjatë periudhës prill-maj 1999, ndërmori disa aksione luftarake sulmuese kundër forcave ushtarake dhe para-ushtarake serbe në fshatrat, Siqevë, Bërnicë dhe Milec. Aksionet sulmuese të atyre ditëve të ndërmarra nga njësitet e Brigadës 153 i shkaktuan dëme të konsiderueshme forcave okupatore. Si rrjedhojë, njësitet ushtarake serbe u rigrupuan për zhvillimin e një ofensive tjetër kundër njësiteve të UÇK-së.
Forcat ushtarake serbe, me 8 maj të vitit 1999 filluan një ofensivë të gjerë kundër pozicioneve të Batalionit të parë të Brigadës 153, me synim asgjësimin e njësiteve të këtij batalioni si dhe zënien e spitalit ushtarak të Zonës Operative të Llapit që në atë periudhë ishte zhvendosur në fshatin Sharban- Lagjja e Alshiqëve. Për dy javë sa zgjatën luftimet e ofensivës së majit, Enveri dhe njësiti i tij kryen shumë veprime sulmuese kundër njësiteve të ushtrisë serbe, duke penguar kështu depërtimin e tyre në thellësi të fshatit Siqevë.
Gjatë ofensivës së majit, në shenjë hakmarrje, forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe vranë dhjetëra qytetarë të fshatrave Rimanishtë, Sharban dhe Siqevë, në mes tyre dhe gjyshin e Enverit, Jahir Berishën 94 vjeç.
Më 18 maj 1999, Enver Berisha së bashku me bashkëluftëtarët Behram Alshiqi, Bekim Krasniqi, Kujtim Alshiqi, Hamdi Ibrahimi dhe Rrahim Hasani, kryen një sulm kundër një konvoji ushtarak serb që kishte depërtuar në qendër të fshatit Siqevë. Në këtë sulm u vranë disa ushtarë serb, kurse pjesa tjetër e konvojit u detyrua të tërhiqej drejt bazës së përparme ushtarake serbe në fshatin Bërnicë. Gjatë këtij aksioni, Enver Berisha, plagoset shumë rëndë dhe pas disa orëve vdes dhe varroset në fshatin Grashticë të Komunës së Prishtinës. Pas përfundimit të luftës, dëshmorin, Enver Berisha, bashkëluftëtarët e rivarrosin në varrezat e dëshmorëve, në Prishtinë, ku prehet edhe sot. Emri i dëshmorit, Enver Berisha gjendet i gdhendur në përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Sharban.
Pas luftës, Komuna e Prishtinës emëroi një rrugë në Prishtinë dhe shkollën e fshatit Siqevë me emrin e tij.
Enveri mbante ditar të luftës. Në këtë ditar në mes tjerash është edhe një poezi e shkruar nga Enveri, pak kohë para se të përjetësohej.

Poezia e tij titullohet: “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”:

Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)

Nëpër borë e nëpër shi,
do të luftojmë për liri.
I madh e i vogël në kamb janë çua,
o me shkaun me luftua.

Do të luftojmë e do të këndojmë,
se kështu armikun do ta shkatërrojmë.
Jemi ushtarë të Skënderbeut,
do t’i dalim zot Atdheut.

Jem ushtar të Adem Jasharit,
do t’i dalim zot vatanit.
Gjithë ushtarët janë betua,
se Kosovën kem me çlirua.
Le ta di e gjithë Serbia,
se s’durohet më robëria.
Sa të janë shqiptarët gjallë,
Kurrë Kosovën s’kanë me marrë.

(Ejup Maqedonci)

Kontrolloni gjithashtu

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 - 2.12.1998)

Hyzri Hamdi Talla (1.12.1963 – 2.12.1998)

Dëshmori Hyzri Talla ka lindur në fshatin Letancë të Besanës (ish-Podujevë) në një familje të …