Brickos

RKL: Intervistë me zonjën, Kismete Komoni-Malaj, motër e dëshmorit të kombit, Hysen Komoni

RKL: Intervistë me zonjën, Kismete Komoni-Malaj, motër e dëshmorit të kombit, Hysen Komoni

RKL: E nderuar Kismete, motër e dëshmorit të Kombit,  Hysen Komoni,  mirë se vini në këtë intervistë për Radion Kosova e Lirë!

Kismete Komoni-Malaj: Faleminderit, për mundësinë që më kenë dhënë për ta realizuar këtë intervistë.

RKL: Kismete, Ju jeni motra e dëshmorit të kombit, Hysen Komoni, si e kujtoni, fëmijërinë e tij?

 Kismete Komoni-Malaj: Me kujtohet si sot kur erdhi në jetë Hyseni. Ishte ditë e shtunë, ora 22 e mbramjes. U gëzuan shumë dy prindërit babai Uka dhe nëna Nekibja. U gëzuam ne motrat, dhe krejt familja.  Nëna ngriti zërin na tha: vajza ju ka lind një vëlla. Edhe muret e shtëpisë u gëzuan,  sa të vogla ishim por ishim shumë të gëzuara. Babi posa e mori në dorë i tha: trimi im.

 Hyseni përfaqësonte një djalë të shquar, të mençur, fisnik. Atë e karakterizonte  një shpirt i jashtëzakonshëm i vetëmohimit dhe një ndjenjë e lartë për humanizmin. Ai ishte shumë i kujdesshëm në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, duke u dhënë konsideratë dhe respekt ndaj të gjithëve nëpërmjet veprimeve të tij të dashurisë.

RKL: A ishit në dijeni  se vëllai Juaj ishte angazhuar në radhët e UCK-së?

Kismete Komoni-Malaj:  Jo, ne nuk ishim ne dijeni. Hyseni, takohej me persona që për ne ishin të panjohur, por neve na thoshte se veç po ju tregoj rrugën kah me deportua. Pas disa kohe nëna merr vesh se Hyseni kishte shkuar në Gllogjan. Nëna normalisht, ndjeu një dhembje dhe krenari në të njëjtën kohë, dhe tha: A qetash, ja fala djalin Kosovës. Kur kishte shkuar për betim në UÇK, komandanti i kishte thënë se je i ri i duhesh familjes, por Hyseni ishte shumë i vendosur. Ai i ishte përgjigjur komandantit: “shok komandant, më vrit këtu unë, nuk dal nga këtu, sepse dua betohem si ushtar i UÇK-së”.

RKL: Ju si motër, si e pritet lajmin kur mësuat se Hyseni iu kishte bashkuar luftës së UÇK-së?

Kismete Komoni-Malaj:  Normalisht, u shqetësuam sepse Hyseni ishte shumë i ri por ishte i vendosur në rrugën e nisur. Po ne ju bëmë krah Hysenit, dhe shokëve të tij, në  ushqim e përkujdesje.

RKL: E nderuara Kismete, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës, a kanë bërë sa duhet, a kanë mundur të bëjnë edhe më shumë?

Kismete Komoni-Malaj:  Trajtimi i pasluftës është një çështje delikate, dhe unë mendoj se nuk është trajtuar në nivelin e sakrificës së madhe që kanë bërë familjet e dëshmorëve. Ata kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftë. Marrë në përgjithësi mendoj se nuk është bërë sa duhet, por shpresoj se në të ardhmen do  të bëhet më shumë.

RKL: Cila është përkrahja konkrete që ka marrë familja Juaj nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit?

Kismete Komoni-Malaj:  Në rrugën tonë drejt lirisë, nuk kemi përjetuar asnjë ndihmë apo përkrahje,  nga institucionet. Vëllai im dha jetën për çlirimin e Kosovës, për të ndërtuar një Kosovë të lirë dhe të pavarur, të cilën sot e gëzojnë të gjithë ne.

 RKL: Si ndiheni në përvjetorët  kur e përkujtoni vëllanë dëshmor, Hysen Komoni?

Kismete Komoni-Malaj:  Ndihemi të prekur nëpër përvjetorë, por edhe krenare për kontributin e vëllezërve tanë për lirinë e Kosovës. I përkulemi sakrificës së tyre, i falënderojmë për lirinë e Kosovës, për të cilën Ata dhanë jetën.  Përvjetorët na rikujtonë vlerën e luftës, dhe asnjëherë nuk do të harrojmë se historia e Kosovës u shkrua me gjakun rinor.

RKL: E dashur Kismete, faleminderit që u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Të dëshirojmë gjithë të mirat.

Kismete Komoni-Malaj:  Respekt dhe nderim për punën kolosale juve Radios Kosova e Lirë. Nderim  për bacën Ahmet Qeriqi, një figurë frymëzimi për kombin tonë, krenaria e kombit tonë.

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …