Ahmet Qeriqi: Një vajzë e mitur e tretur nga uria ushqehet me kajsi të papjekura (E hënë 17 maj, 1999)

Ahmet Qeriqi: Një vajzë e mitur e tretur nga uria ushqehet me kajsi të papjekura (E hënë 17 maj, 1999)

Kemi kaluar një natë me rrebeshe të shiut pranveror. Forcat serbe kanë shfrytëzuar motin e lig për të na goditur nga pozicionet e tyre, duke qenë të sigurt se aeroplanët e NATO-s nuk sulmojnë në kohë të ligë dhe me shi, meqë nuk arrijnë t`i identifikojnë pikat e sulmit. Edhe forcat serbe godasin me hamendje por me qëllim të caktuar.

Në pjesën tonë jugore të Drenicës, gjatë netëve me shi dhe furtunë po vijnë të zhvendosur nga Drenica Qendrore. Në mesin e tyre vijnë edhe  njësi të tëra ushtarësh të cilët po i përforcojnë radhët tona ende homogjene dhe deri tani të ruajtura në çdo pozicion. Serbët janë në dijeni të këtyre lëvizjeve por ndoshta kjo përkon me strategjinë e tyre, që sa më shumë ushtarë të UÇK-së të grumbullohen me një vend. Ata mbase synojnë një mësymje frontale.

Morali në radhët e ushtrisë tonë është tejet i lartë. Ata, janë betuar se këmba e serbit nuk do të shkelë në këto gryka. Pavarësisht nga humbjet që kemi pasur në pika të caktuar asnjë prej pozicioneve nuk është lëshuar.

Vigjilenca e forcave tona është e shkëlqyeshme. Dy muaj kanë kaluar nga fillimi i ofensivës së përgjithshme. Fortifikata tona në Blinajë, në malet e Zborcit e të Caralevës, në Luzhnicë e deri në Tërpezë e Arllat përbëjnë njësinë më të gjerë territoriale që ka mbetur nën kontrollin e forcave tona çlirimtare.

Me valën e të zhvendosurve të fundit nga Drenica Qendrore ka ardhur edhe Latif Zariqi nga Baica e Elshanit, drejtues i trupës teatrale ushtarake Hamëz Jashari, në Likoc. Së bashku me të ka ardhur edhe Ramadan Kaçkini, një figurë impozante që ka një ngjashmëri tejet të natyrshme me Adem Jasharin Ai është edhe shok klase i legjendarit tonë të pavdekshëm. Latifi tregon se gjendja në Drenicën Qendrore është katastrofale, mirëpo njësitet e UÇK-së po e befasojnë armikun duke lëvizur nga një terren në tjetrin. Lata po ashtu ka shprehur gatishmëri t`i bashkohet stafit tonë.

Në kohën kur po bëhesha gati për t`u nisur në drejtim të Krojmirit shpërthyen luftime sporadike në Kizharekë, ndërsa predhat e mortajave filluan ta godasin Rrafshnaltën. Gjatë tërë kohës së granatimeve jemi futur në bunkerin këtu pranë i cili në raste të tilla është shpëtimtar.

Pas ndërprerjes së luftimeve, diku rreth orës 16 janë nisur në drejtim të Grykës së Shpëtimit. Rruga nëpër Rrafshnaltë është përplot e mbushur me të zhvendosur që kanë arritur gjatë natës nga Drenica Qendrore. Ata shtegtojnë pa ndonjë cak, duke pritur se ç` po ndodh. Shumica syresh janë ndarë nga familjet. Shumica nuk kanë asnjë lajmë më të afërmit. Duken të lodhur, të tretur dhe të nxirë nga kushtet e rënda të jetesës. Shumica flenë në qiell të hapur, Vesa e mëngjesit dhe dielli i ditës i ka nxirosur dhe duken si mos më keq.

Në dalje të Berishës në udhëkryqin e Fshatit të ri, vërej një vajzë të mitur rreth 10 vjeçare, e cila  rrëmben një degë kajsie dhe fillon t`i hajë kajsitë e papjekura me nxitim. Më duket se nga uria ajo i përpin ato dhe rrëmben një degë tjetër. Derisa po afrohesha me qëllim që të mësoja diçka më shumë, ajo rrëmben edhe një degë tjerë kajsie të verdha dhe largohet drejt lugut, e humbur, e tretur nga lodhja e uria. Më dukej se kishte një vështrim të ngurtësuar dhe asnjeri  nuk i bënte kurrë farë përshtypjesh. Sytë më mbushen lot dhe se si e ndiej një ligështim të pazakontë. Këmbët më bëhet se për herë të parë në jetë po më tradhtonin. Një dhembje e papërshkrueshme më kaplon tërë qenien. Vajza u zhduk në luginë. Ndërsa mua më mbeti të kujtesë të pashlyeshme ajo qenie aq e hajthshme e cila mundohej ta shuante urinë me kajsi të papjekura, tmerrësisht acidike.

Edhe pse takoja kalimtarë të shumtë, në mesin e tyre edhe të njohur, përpara më rrinte skena rrëqethëse e vajzës së uritur.

Qindra e mbase edhe mijëra kalimtarë rasti parakalojnë në rrugën Fshati i Ri, Divjakë, Kleçkë. Janë nga të gjitha fshatrat e Drenicës. Të lodhur, të cfilitur, të uritur dhe të tretur. Në fytyrat e tyre vërehen katrahurat e mundimeve. Dikush flet me zë të lartë, dikush  heshtë dhe shikon mendueshëm. Të gjithë ecin shkujdesur, pa cak. Ndonjëri pyet se sa larg nga këtu  janë forcat serbe. Një tjetër interesohet të mësojë se kah mund të iket për në Shqipëri, apo në Maqedoni. Shumica syresh nuk besojnë që tërë ky territor të ketë mbetur brenda Drenicës i pashkelur. Këta njerëz kanë shtegtuar gjatë natës, dhe tashmë nuk dinë se në vilin vend të Kosovës ndodhen.

Te Shtabi i Brigadës në Kleçkë po qëndronin qindra të rinj. Nga një ushtar që ushtron roje mësoj se ata gjatë natës duhet të depërtojnë në fshatrat Lladrovc, Senik, Lladroviq, Bllacë e gjetkë për të marrë grurë dhe misër të mbetur nëpër hambarë. Ata duhet ta mbartin drithin mbi supe duke ecur këmbë, nëpër terr, në mënyrë që të mos zbulohen nga forcat armike. Drithi do të bluhet nëpër mullinjtë, meqë kriza e urisë po troket. Një mulli i ujit ndodhet edhe në Lladroc dhe aty bluan 24 orë pa ndërprerë…

Bëj tutje në drejtim të Javurit. Kudo tenda të reja të zhvendosurish të cilat nuk i kisha parë para disa ditësh. Popullata në Grykë të Krojmirit po dyfishohet për një javë. Lugina e bukur e Lezhës është bërë vendbanim i dendur refugjatësh shpresëhumbur. Shoh fytyra të panjohura dhe asnjërin prej tyre nuk e njoh edhe pse secilin më përngjan në të njohur. Di vetëm se nën rrezikun permanent të predhave armike kanë depërtuar nga zonat e Drenicës, të Llapushës dhe të Anadrinit. Të gjithë të munduar e të lodhur. Traktorë, rimorkio, qerre kuajsh, tenda prastmasi, tenda najloni kasolle me drunj, janë skenat që nuk të shqiten nga vështrimi…

Në hyrje të Grykës, nga ana e Shullanit mezi arrij të depërtoj, meqë radha e tarasave me tenda të zhvendosurish ka arritur deri lartë. Në vendqëndrimin tonë në Grykë është shumëfishuar numri i të zhvendosurve, Afër tendës ku është vendosur vëllai im Hasani me familjen e tij, kanë ngritur tendat e tyre edhe dy vëllezër të Jakup Krasniqit me familjet e tyre. Përshëndetëm me ta dhe pa vonuar futem në tendë, i lodhur, i dërrmuar dhe rraskapitur. Këmbët më janë mpirë por nuk më shqitet nga fytyra figura e vajzës që hante me aq rrëmbim kajsi të papjekura.

Pasi kam pushuar dhe kam ngrënë bukë kanë ardhur për të më parë vëllai im Hasani, i cili është në pushim gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje depërton në pikën e caktuar ushtarake, pastaj Isë Qeriqi, mjeku Naser Bytyqi e të tjerë. Ata interesohen për të mësuar diçka më shumë për rrjedhën e ngjarjeve.  Këtu afër tendës ku ndodhet bashkëshortja ime Zymrytja, pastaj bijat Arbana, Labëria e Rrezja si dhe Epiri e Zamiri ndodhet edhe tenda e mjekut të luftës Naser Bytyqi nga Qylaga. Ai  ndodhet me bashkëshorten Sebahaten, djalin dhe dy bijat. Naseri qysh në fillim të luftës iu ka bashkuar radhëve. Është fjalë pak por tejet punëtor.

Më vonë ka ardhur edhe Elez Durmishi, komandanti i batalionit “Ruzhdi Salihu”. Ai më bën me dije se ka përforcime të mëdha forcash serbe në Blinajë, por edhe pozicionet tona atje janë përforcuar. Janë minuar disa rrugë, në të cilat supozohet se mund të kalojnë njësitë e motorizuara të armikut. Gryka po e përballon edhe valën e fundit të dyndjeve. Tani për tani është vendi me popullatën më të koncentruar në tërë pjesën jugore të Drenicës e me siguri edhe në tërë Kosovën.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Ahmet Qerqi: Serbët po përgatitën për një ofensivë të përgjithshme (E hënë 20 korrik, 1998)

Lajmet që po përhapen nga terreni, bëjnë të ditur se në të gjitha vijat e …