Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Përparim Gruda, ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit në largim, Albin Kurti, duke thënë se shumë prej premtimeve të dhëna nuk janë realizuar. Gruda deklaroi se në veri të vendit nuk janë shuar strukturat paralele serbe, por sipas tij ato janë legalizuar përmes marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut. Sipas tij, zhvillimet në veri kanë rezultuar në një “teatër absurd”, ku në fund përfituese ka dalë Lista Serbe. “Albin Kurti i ka braktisur të gjitha premtimet. Një nga më interesantet është se në programin aktual të LVV-së e kishin hequr edhe padinë ndaj Serbisë për gjenocid. E kanë përdorur si mjet propagandistik sa u është dashur, ndërsa tani kanë hequr dorë prej saj”, u shpreh Gruda. Ai shtoi se qytetarët tashmë duhet të kërkojnë llogari për premtimet e parealizuara dhe shprehu bindjen se pas zgjedhjeve të 7 qershorit mund të ndodhë ndryshimi i pushtetit në Kosovë. Gruda theksoi se opozita synon të ofrojë një alternativë të re qeverisëse, duke argumentuar se vendi ka nevojë për një qasje tjetër në raport me dialogun, zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e premtimeve elektorale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
