Eshrafedin Rexhep Krastrati (24.11.1979 – 21.07.1998)

Eshrafedin Rexhep Krastrati (24.11.1979 – 21.07.1998)

Menjëherë pas vrasjes së bujkut Ymer Delia, nga Rahaveci, të cilin serboçetnikët e vranë pak para mesnatës, bri aksit të magjistrales Rahavec-Prishtinë, në segmentin “Gjyteti”, më 19 maj të vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tashmë e kazermuar në fshatin Drenaj të Zatriqit, prej datës 26 prill të atij viti, vlerësoi se duhet të përshpejtohet dinamika e shtrirjes, madje edhe ta marrë nën kontroll këtë arterie të rëndësishme që lidhte Zonën e Lirë të Malishevës me fshatrat e Anadrinit dhe të Hasit. Kështu, në ditët e fundmajit, menjëherë pas ceremonialit të përcjelljes madhështore që bënë qytetarët e Anadrinit për Ymer Delinë e vrarë, Shtabi Operativ Lokal i Batalionit të Rahavecit i hyri përpunimit të strategjisë për dalje në “Rrasat e Rahavecit” e që me këtë hap do të vëheshin nën kontroll rrugët që çonin në drejtim të Drenajt, në drejtim të Therandës, në drejtim të brendisë së Rahavecit dhe në drejtim të Fortesës. “Rrasat e Rahavecit”, si lartësi më e madhe e arealit të pretenduar i mbronte një grup luftëtarësh të vendosur në “Gurin e Bardhë”, në të djathtë të rrugës Rahavec-Malishevë, në mesin e të cilëve ishte edhe Eshrafedin Kastrati, sot dëshmor i kombit.
Dëshmori i kombit Eshrafedin Kastrati është i lindur më 24 nëntor 1979 në fshatin Drenaj (ish-Drenoc) të Zatriqit të Rahavecit. I biri i zejtarit, elektricistit të njohur e të shquar në tërë Rrafshin e Anadrinit, Rexhep Kastrati, pasardhës i Dan Zatriqit, atij “Burri të zeshkë” të rapsodive tona historike, nip i Ahmet Nelës e Nazim Sylës, të vrarë si ballistë, i rënë prej Zatriqi në Drenaj dhe i Selvishahës, bijë e Kryezive të Xërxës, të parët e të cilëve, për shkak të qëndrimeve kundër çdo okupatori vriten e priten me shekuj. Rexha me Slevishahin, nën hijen e skamjes e të varfërisë lindën e rritën: Xhemajliun, Shemsinë, Resminë, Besnikun dhe Hanifen, ndërsa në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mobilizoi të tre djemtë: Eshrafedinin e Besnikun në Batalionin e Rahavecit, ndërsa Xhemajliun në Frontin e Koshares.
Para lufte, të gjithë merreshin me bujqësi pasi që kishin një pronë modeste bujqësore, ndërsa si bijë të një zejtari, ushtronin edhe zejen e elektricistëve dhe kështu me krah pune mbanin tërë gjirin familjar, i cili edhe në këto kushte asnjëherë nuk u ndal së vepruari për çështjen kombëtare.
Rrjedhat e ngjarjeve të mëdha që lëvizën në Kosovë, pothuajse prej vitit 1968, për Eshrafedinin të lindur e të rritur në një familje patriotike, kërkonin vendosmërinë e burrave shqiptarë, prandaj krahas vëllezërve dhe motrave, edhe Eshrafedini merrte pjesë në të gjitha format e manifestimit të revoltës kundër pushtetit skllavërues serb. Kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1998, kur në fshatin Drenaj, më 26 prill veç kishte dalë publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kur ishte formuar Shtabi Operativ Lokal, kur veç kishin arritur strukturat komanduese: Fehmi Lladrovci, Gani Paçarizi, Mensur e Osman Zyberaj, Bedrush, Feim e Xhemë Gashi, Mahir Hasani, Selim Krasniqi, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi e Gëzim Hamza, kur shtëpitë e Avdi e Isuf Gashit dhe të Osman Zyberajt veç ishin shndërruar në shtabe, ndërsa fshati Drenaj me Zatriqin frymonin si një kazermë në kuptimin më të plotë të fjalës, kur në Rrafshin e Anadrinit pati bërë jehonë pushka dhe krismtat e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Një plejadë e këtillë e djelmoshave të Anadrinit, e përgaditur mirë moralisht në shumë dimensione të rrafshit kombëtar, ndërroi rrjedhën e historisë dhe bëri të pamundshmen duke thyer mitin mbi paprekshmërinë dhe pathyeshmërinë e Serbisë mitomane të Sllobodan Milosheviqit. Ky si Neroni më i madh i historisë së njerëzimit, projektonte djepa në vendin ku do t’i linte eshtrat; projektonte shtretër në vende ku do t’i ketë varret; projektonte ardhmërinë në vendet që nuk kishin as të kaluarën dhe as të ardhmen sllave.
Në historinë e lëvizjeve për pavarësinë e Kosovës, në Rrafshin e Anadrinit, rrallë mund të gjendet ndonjë organizim në të cilin nuk do të merrnin pjesë “Djemtë e Drenajt”, në mesin e të cilëve qëndronin edhe të bijtë e Rexhë Zatriqit.
Me daljen e Batalionit të Rahavecit në Shkollën Fillore të fshatit Astarzup të Llapushës, Besniku e Eshrafedini, ky i fundit i njohur si “Dini” radhiten në këtë batalion, sepse prej Drenajt kishin ardhur së bashku me Xhelal Hajdën – Tonin, Selajdin Mullabazin – Micin dhe Gëzim Hamzën – Piktorin, Vehbi Muharremin, Beqir e Hamit Makshanën, Sabit Berishën, Irfan Mekanin, Muharrem, Vajdin e Irfan Berishën me shumë shokë që vepronin në Drenaj e në Rahavec.
Gjatë rregullimit të infrastrukturës së kazermës luftarake nën “Kërsh të Keq”, bri aksit të magjistrales Prishtinë-Rahavec, vëllezërit Kastrati, Besniku dhe Eshrafedini përpiqen për të funksionuar çdo segment, veçanërisht pjesa që i takonte rrymës elektrike pasi që kishin ardhur prej një fshati, i cili kishte përvojë të mjaftueshme për organizime të këtilla. Me zgjerimin kah Jugu, në territorin të cilin e kontrollonte Batalioni i Rahavecit, Eshrafedini me të vëllain Besnikun, pozicionohet në istikamet e para nga avanconte ky batalion deri te “Rrasat e Rahavecit” dhe më 17 korrik gjendet në vijat më të zjarrta të Betejës së Rahavecit, në të cilën Eshrafedini humbi komandantin e tij, Abdullah Bugari, e më 18 korrik, gjatë Betejës së Fortesës humbi Agim Kelmendin, Gani Paçarizin, Tafil Zyberajn e Skënder Jahë Kastratin, por forcat serbe nuk depërtuan në Rahavec dhe nuk ra Rahaveci.
Mirëpo, ndërsa intensiteti i luftimeve shtohej në ditët e ngrohta e me vapë të atij korrriku, forcat serboçetnike, pas thyerjes së rezistencës së fshatrave: Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Malësi e Vogël, Drinas e Sapaj, me disa autobatalione nga divizioni famëkeq i Marçetiqit, pas granatimeve mbi Rahavec, i drejtohen Rahavecit dhe në harkun defansiv, Eshrafedini mbetet edhe pa profesor Hamdi Berishën, Agim Çelën, Sadik Shalën, Gëzim Hamzën – Piktorin, Faik Ramën, Afrim Krasniqin, Limon Gegën, e pa Bajram Veliun dhe pa gjurmë për bashkëluftëtarin Remzi Ukshini nga Rahaveci.
Pas luftimeve të 19 korrikut, forcat çetnike serbe rrethojnë Rahavecin me pretendime që të futen brenda, mirëpo rreziku u kanosej prej “Majës së Bardhë” (Kërshi i Bardhë, Vrajstina) e cila falë konfiguracionit të terrenit në periferi të Rahavecit, me zjarr mbulonte “Rrasat e Rahavecit”. Në këtë maje të pajisur mirë me armatim të sofistikuar, qëndronte “Çeta e Vogël me Pesë vetë”, siç thoshte vargu i këngës, i shkruar nga Kolë Jakova, qëndronin jo “Heronjtë e Vigut” prej nga kishte ardhur Arian Brahimi-Shkodrani, por “Heronjtë e Rahavecit”: Mizahir Isma, Arian Brahimi, Bekim Isma, Eshrafedin Kastrati, Kujtim Shaba e Bilall Durguti. Të gjithë si një, prej maje breshëronin “Rrasat”, por këmbësoria e madhe serbe arrin t’i marrë pozicionet në “Klysyrë”, në “Lugun e Ibrës” në “Samardan”, në “Terrine” dhe së andejmi u futet prej anës shpinore, nga krahu i majtë “Heronjve të Majës së Shkodranit”, asaj çete e cila kishte mundësi që të tërhiqet kah “Lugu i Shqipeve” e “Llazet e Rembellanit”, por nuk u tërhoq për asnjë çast derisa të gjithë u shkrinë në zjarrin e bombave e të granatave të çdo kalibri që atë ditë u derdhën mbi “Majën e Shkodranit” dhe mbi tërë pllajën e bri Samardanit. Vdekjes i shpëton vetëm Kujtim Shaba me njërin prej vëllezërve Durguti (Hasani e Bilalli) ndërsa të gjithë të tjerët shkrihen në këtë maje që gjatë atyre ditëve mori emrin “Maja e Shkodranit” dhe kështu mbeti sot e kësaj dite.
Lufta heroike me stoicizëm të rrallë e që njihet si përpjekje për mbajtjen e “Rrasave të Rahavecit” zgjati 24 orë dhe mbi Rahavecin, prej Remnikut, nëpër “Kronin e haxhi Isës”, kah “Tepsijet” e deri në “Klysyrë” për këtë kohë ranë 1268 granata të hedhura prej bazave ushtarake serboçetnike të vendosura në Pnish të Hasit, në Megjak të Landavicës dhe prej bazave të tjera.
Në tërë këtë zjarr për zhdukjen e çerdhes së një “gulinovi” të madh u zhvilluan luftimet më të ashpra. Rahaveci ato ditëve dukej shkrumb e hi; të vrarët e shumtë, të plagosurit rëndë, të karbonizuarit, shtëpitë e djegura dhe era ndryshk hekuri të oksiduar kundërmonte ngado që kthehej koka. Po këtu, njëherit u shënua edhe qëndresa ndër më heroiket, sepse këtë e dinin shokët e Eshrafedinit: “Kush e ka majën e merr edhe rrafshin”.
Skuadra e “Majës së Shkodranit”, deri në frymën e fundit priste arritjen e Xhelal Hajdës-Tonit, por u shkri pa përjetuar arritjen dhe ndihmën e Tonit të cilin e prisnin: bashkëluftëtarët e Batalionit të Rahavecit, por edhe paramilitarët e serbët lokalë të Anadrinit, për të cilët Toni ishte tmerr e trishtim, si në luftërat e kroatëve ashtu edhe në Rrafsh të Dukagjinit e në Pashtrik. Me të arritur Xhelal Hajda-Toni, së bashku me Selajdin Mullabazin-Micin dhe Ajvaz Berishën-Tigrin, edhe një herë e merr këtë maje, pozicionohet dhe e pagëzoi me emrin “Maja e Shkodranit”, mirëpo gjurmë trupash të pajetë të “Heronjve të Majës” nuk hasi. Sipas traditës, Rexhep Kastrati, që atyre ditëve, ndërsa digjeshin Drenajt dhe Rahaveci, ishte vendosur me familje në Zatriq, mori lajmin për rënien e dy bijëve: Besnikut dhe Eshrafedinit, sepse kështu qëndronte sipas shënimeve nga terreni, nuk u trondit aspak, e ngushëlloi autorin e këtij shkrimi dhe komunikoi lajmin se Besnikun e ka gjallë, por për Eshrafedinin thotë “Ia fala tokës së Kosovës dhe jam krenar për këtë. Edhe nipat që i kam do t’ia falë këtij dheu që një ditë të dalë në dritë!”, edhe pse në fronte tashmë e kishte Xhemajliun dhe Besnikun me shumë nipa e kushërinj.
Pas përfundimit të aktiviteteve luftarake, luftëtarët e lirisë ngjiten në “Majën e Shkodranit” për t’i kërkuar eshtrat e luftëtarëve: Eshrafedin Kastrati, Arian Brahimi, Mizahir e Bekim Isma, mirëpo kanibalët karpatoidë bëjnë ç’mos për t’i zhdukur gjurmët, dhe ato pak mbetje që u gjetën, sot prehen në një varr të përbashkët në “Kopshtin e Dëshmorëve” në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit dhe flasin për “Luftën e Rahavecit”, kurse me shkrimet e veta, Eshrafedin Kastratin e kanë nderuar: Agim Metbala, Milazim Bajraj, Bedri Dulaj, Bislim Makshana, e këngë për dëshmorin e kombit këndon edhe Xhavit Makshana, ndërsa sot në familjen e Rexhë Zatriqit lëshon shtat Eshrafedini i vogël – “Dini” i “Majës së Shkodranit”-“Dini i Betejës së Rahovecit. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …