leoni

Bekim Shaban Isma (10.3.1971 - 21.7.1998)

Bekim Shaban Isma (10.3.1971 – 21.7.1998)

Bekim Shaban Isma, së bashku me kushëririn e vet Mizahir Jetullah Ismën, Abdullah Zijajdin Bugarin, Selajdin Hamid Mullabazin – Micin, Gëzim Salih Hamzën-Piktorin, Gëzim Fahredin Mullabazin, Sadedin Bajram Hajdën, Bekim Abdullah Sylkën dhe me një plejadë të tërë djelmoshash, veprimtarinë patriotike e nisi me ilegalen e Anadrinit dhe të Rahovecit. Shumë herët i ra hise të vihet e të qëndrojë në krye të detyrave të rëndësishme dhe me përgjegjësi për moshën që e kishte.
Në ditët më të vështira e në vorbullën e ngjarjeve më të rëndësishme për shumë zhvillime, shtëpia e Mizahir Ismës qe shndërruar në zyre apo në shtab të veprimtarisë së profesor Ukshin Hotit dhe u bë qendër prej nga shpërndahej shtypi dhe shkrimet me karakter organizativ dhe operativ të ilegales së Anadrinit. Në këto aktivitete të zhvilluara në shtëpinë e kushëririt të tij, radhitet edhe Bekim Shaban Isma me të vëllain Fatmirin dhe kështu si pionierë të profesor Anton Çettës, vëllezërit Isma bartnin barrën kryesore në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve dhe të Ngatërresave jo vetëm në Rahovec por edhe në një pjesë të madhe të Anadrinit. Profesor Ukshin Hotit iu bashkuan me rastin e “Marshit të 27 janarit të vitit 1990”, pra atëherë kur ranë dëshmorët e parë të Anadrinit: Nesimi Elshani i Nagacit, Agron Fetahu i Celinës, Halim Hoti i Krushës së Madhe e Hilmi Krasniqi i Hoçës së Vogël. Së këndejmi, prej këtij “Janari të Përgjakshëm të Anadrinit” shumë ngjarje morën një dinamikë më të shpejtë, prandaj edhe zhvillimi i këtyre ngjarjeve bëri kthesa historike që ndikuan në formimin e instrumentit të forcës, prandaj edhe Bekim Isma nuk i lëshoi radhët për çka edhe ishte vënë në fokus të organeve serbe të ndjekjes. Megjithatë ai shpëtonte, pasi barrën më të madhe e bartte kushëriri Mizahir Isma, sot dëshmor i kombit.
Gjatë tërë veprimtarisë së tij atdhetare, Bekim Isma ishte i palodhshëm, dinamik dhe i pathyeshëm prandaj edhe kur u përjetësua mbeti i pavdekshëm. Të pavdekshëm mbetën edhe shokët e Bekimit: Mizahir Isma, Arian Brahimi – Shkodrani dhe Eshrafedin Rexhep Kastrati-Dini, sepse ashtu e deshi gjenerata që bëri kthesa historike, gjenerata që iu bë krah Komandantit legjendar Adem Jashari, plejadë e djelmoshave që u skalitën në legjendën toponimike për “Majën e Shkodranit”, në Veri të Rahovecit; aty ku u shkrinë luftëtarët e lirisë: Ariani, Mizahiri, Bekimi dhe Eshrafedini, aty ku sot valon një flamur i madh në maje të “Majës së Shkodranit”.
Bekim Isma, është i lindur më 10 mars të vitit 1971, në Rahovec. Është i biri i Shaban Ismës, i njohur si Shaban Cufa, dhe i nënës Gjylsime, bijë e Hoxhajve të Rahovecit, madje e vatrës së Hamzagës. Bekimi me vëllezërit, Sezain dhe Fatmirin, e me motrën, Fatimen, u rrit në prehrin e babagjyshit, Cufë Isma, prej të cilit dëgjonte rrëfime për vuajtjet e të parëve të kësaj vatre familjare, për arrestimet, burgosjet dhe persekutimet, pasi Ismajt përherë ishin të ndjekur, të burgosur e të persekutuar. Bekim Isma, si shumë kushërinj të tjerë të tij, luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Mizahiri, Fatmiri, Agroni, Mehedini e Vllaznimi, sot dëshmorë, invalidë e veteranë, u radhit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në ditët e para të majit 1998, kur bëri përpjekje të sistemohet në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e pastaj në Drinas të Anadrinit dhe kjo dëshirë iu plotësua kur në fshatin Drenoc të Zatriqit pati dalë në fushën e mejdanit Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe qenë vendosur shtabet e formacioneve të para të Anadrinit, të Brigadës 124 e të Zonës Operative të Pashtrikut, më vonë Brigada “Gani Paçarizi”.
Bekim Isma shkollën fillore e kreu në Rahovec, ku vazhdoi edhe shkollën e mesme në gjimnazin që sot mban emrin e komandant Xhelal Hajdës-Tonit, të cilin Bekimi e pati shok, idol dhe komandant. Qysh si nxënës iu bashkua grupit të atdhetar të udhëhequr nga Mizahir Isma e Abdullah Bugari, të dy sot dëshmorë të kombit, dhe kështu në Rahovec u formua grupi i parë për veprimtarinë ilegale. Grupi u strukturua si lidhur me grupet veprimtare në fshatin Drenoc të Zatriqit, në Drinas (ish-Ratkoc), në Krushë të Madhe, në Krushë të Vogël, në Celinë, në Hoçë të Vogël dhe në Nagac, grupe këto që i vënte në lëvizje e u jepte forcë e moral profesor Ukshin Hoti.
Edhe krismat e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz dhe betejat në Gllogjanin e Shkëlzen Haradinajt, Bekim Ismën së bashku me vëllezër dhe kushërinj, e gjetën mjaft të përgatitur, prandaj nëpërmjet kushëririt, Mizahir Isma, që kishte shumë shokë nëpër fshatrat Llaushë, Prekaz, Qirez, Likashan e Vojnik, me tërë qenien angazhohet në organizimin dhe në shtrirjen e rezistencës së armatosur dhe për formimin e instrumentit të forcës në Rrafshin e Anadrinit si tërësi e lidhur me Rrafshin e Dukagjinit, dhe në Rahovec. Për të arritur këtë qëllim, Bekimi me të vëllain, Fatmir Ismën, përpiqet të angazhohet në Gllogjan, mirëpo sipas këshillës së bashkëluftëtarëve nga Zona Operative e Dukagjinit, radhitet në formacionin e fshatit Ratkoc dhe në vijën që shtrihej buzë Drinit të Bardhë, prej Gardhishti – “Ura e Fshajt” e deri te “Ura e Rakavinës”.
Me shtrirjen e formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës prej fshatit Drinas kah Drenoci dhe “Rrasat e Rahovecit”, Fatmiri me bashkëluftëtarët nga Rahoveci u gjend në Drenoc të Zatriqit. Atje ishte së bashku me Xhelal Hajdën – Tonin, Selajdin Mullabazin-Micin dhe Gëzim Hamzën-Piktorin. Vëllezërit Bekim e Fatmir Isma, ndodheshin në Drenoc të Anadrinit e së andejmi kaluan në Rahovec. Në fillim, i tërë Batalioni i Rahovecit u vendos në objektin e shkollë fillore të fshatit Astarzup të Llapushës dhe Bekim Isma ishte i gatshëm për çdo detyrë që i ngarkohej nga kushëriri Mizahir Isma e nga komandanti Xhelal Hajda -Toni. Në sektorin e logjistikës, kufirin shqiptaro-shqiptar e theu me Xhelal Hajdën – Tonin, Bekim Berishën – Abejën, Nysret Cenën, Xhevat Kasapin, Samir Nurkasën, Zabit Shabandulën e Gëzim Mullabazin, sot të gjithë dëshmorë të kombit. Kështu dhe në këtë mënyrë Bekim Isma, duke kooridnuar veprimet me shtabin e batalionit por edhe me nipat e familjes Topalli (Veliun, Ismailin, Haxhiun, Alushin,) që kishin makina të rënda për hapjen e istikameve dhe ndërprerjen e akseve rrugore, u gjend në krye të çdo aksioni luftarak. Stërvitjet i pati kryer në Drinas, por në formacionin e Rahovecit, të vendosur nën “Kërshin e Keq”, jo larg “Majës së Shkodranit” e “Rrasave të Rahovecit” i ushtronte luftëtarët e tjerë. Por, pozicioni më i dashur i Bekim Ismës ishte “Maja e Bardhë”, prej të cilit me zjarr mbuloheshin “Rrasat e Rahovecit”, ndërsa formacioni më i dashur dhe standard i Bekimit ishte ai i Mizahir Ismës, i vendosur me një “Gulinov” në “Majën e Bardhë”.
Bekim Isma, së bashku me grupin e zejtarëve të Rahovecit dha një kontribut të madh e të rëndësishëm edhe në mirëmbajtjen dhe rregullimin e teknikës dhe të tërë infrastrukturës në kazermën e batalionit të Rahovecit, nën “Kërshin e Keq”, pranë rrugës rajonale Rahovec-Malishevë. Falë punës së këtij grupi, “Kërshi i Keq” pranë “Lugut të Gjeraqinës” shumë shpejt u bë “Lagje Ushtarake” e luftëtarëve dhe e banorëve të Rahovecit e të tërë Anadrinit. Ajo lagje kishte të gjitha objektet dhe infrastrukturën për një kazermim standard. Madje kishte edhe rrymë elektrike, ndonëse larg trafos në “Rrasat e Rahovecit”. Kështu, shtabi i këtij batalioni, të themeluar me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përurimin e të cilit morën pjesë: Musë Jashari, Rexhep Selimi, Daut Haradinaj, Sokol Bashota, Besim Malaj, Agim Çelaj e Bislim Zyrapi, në saje të punës së vëllezërve Isma, u elektrifikua brenda 24 orësh, ndërsa në saje të vëllezërve Topalli, u rregullua tërë infrastruktura.
Gjatë zhvillimit të betejave në Rahovec dhe përreth Rahovecit, Bekim Isma, së bashku me Mizahirin, me Arian Brahimin – Shkodranin, Eshrafedin Kastratin, Xhevat Kasapin, Samir Nuraksën, Xhafer Nurkasën e Gëzim Mullabazin, mbuloi me zjarrin ofensiv dhe defansiv pikën e “Rrasave të Rahovecit” ku gjatë “Betejës së Rahovecit” qe improvizuar ndërtesa e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Grupi i lartpërmendur i luftëtarëve, gjithnjë ishte i barrikaduar dhe i pajisur me një “Gulinov 12.7” në “Majën e Bardhë”. Por edhe pas rënies së pikës “Rrasat e Rahovecit”, Bekim Isma, së bashku me bashkëluftëtarët nuk reshti të tërhiqet në pozicionet rezerve kah “Lugu i Gjeraqinës” e “Llazet e Rremë Bellanit”, por i mbrojti “Rrasat” derisa u shkrinë nga granatimet mbi “Majën e Bardhë”, sot “Maja e Shkodranit”. Kështu, më 21 korrik të vitit 1998, forca të shumtat të Ushtrisë Jugosllave, të policisë dhe qytetarë të armatosur që vinin nga “Mahalla e Shkijeve” në Rahovec dhe nga Hoça e Madhe, mbuluan me këmbësori “Lugun e Ibrës” dhe kështu rrethuan “Majën e Bardhë”. Në këtë pikë u shkrinë prej zjarri: Bekim Isma, Mizahir Isma, Arian Brahimi dhe Eshrafedin Kastrati, ndërsa zjarrit i shpëtuan: Bilall Durguti dhe Kujtim Shaba, sot veteranë e invalidë të luftës, ndërsa “Maja e Bardhë” apo “Vranshtina” e dikurshme e Rahovecit, mban emrin “Maja e Shkodranit”.
Lufta e këtij grupi luftëtarësh për mbrojtjen e pozicionit të përmendur ushtarak zgjati plot 24 orë dhe mbi Rahovecin për atë kohë ranë 1268 predha, të hedhura prej Pnishi të Hasit, prej Maçakut të Landovicës dhe prej bazave të tjera. Në këtë zjarr për zhdukjen e “Çerdhes së mitrolomit” që gjendej në “Majën e Bardhë” u zhvilluan luftimet më të ashpëra, por njëherit ishte edhe qëndresa më prometheike sepse “Kush i ka majat, e ka edhe fitoren” e këtë e dinte mirë edhe njësiti ççlirimtar i Mizahir Ismës. Por për fat të keq, forcat serbe çetnike arritën t’i pushtojnë kodrat rreth Rahovecit në ç’mënyrë edhe i forcuan pozicionet e veta në “Mahallën e Shkijeve” në drejtim të “Kraishtës” dhe të “Majës”, nëpër “Lugun e Ibrës”, në Perëndim, sepse kah Lindja ishin të mbrojtur nga paramilitarët e Hoçës së Madhe.
Kjo skuadër heroike, deri në çastin e fundit priste arritjen e Xhelal Hajdës-Tonit, por u shkri në zjarrin e luftës pa përjetuar ndihmën e Tonit, i cili pas rënies së kësaj skuadre, së bashku me Selajdin Mullabazin-Micin dhe me Ajvaz Berishën-Tigrin, edhe një herë e mori “Majën e Bardhë” dhe ia vuri emrin “Maja e Shkodranit”. Sot mbi këtë maje valon flamuri kombëtar, ndërsa e tërë skuadra prehet në një “Shtëpi të Përbashkët” në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Rahovecit, e në familjen e Shaban Ismës, duke dëgjuar për babain trim, rritet i biri i Bekimit, Isufi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …