Osman Selman Kurtaj (17.3.1956 - 1.6.1999)

Osman Selman Kurtaj (17.3.1956 – 1.6.1999)

Osman Selman Kurtaj, ka lindur me datë 17.03.1956, në fshatin Abri e Epërme, Komuna Drenasit. Në vitin 1966, në moshën 10 vjeçare, familjarisht janë shpërngulur në fshatin Zajm, Komuna e Klinës. Ka qenë djalë hasreti, me një motër hasretit, vëlla e motër, dy fëmijët e Selman Kurtajt.

Shkollën fillore 4 vjeçare, Osmani e ndoqi në fshatin Zajm, që ishte paralele e ndarë e shkollës amë të Klinës, ku e kreu klasën e para  ndërsa klasat tjera të fillores gjerë në klasën e VIII, i kreu në shkollën amë në Klinë.

Në kushte mjaftë të vështira materiale, mësimet i ka vazhduar në shkollimin e mëtejmë, për zejen e orëndreqësit, në Sarajevë të Bosnjës, ku e kreu me sukses. Pastaj ka hapur  një punëtori të vogël, në Klinë. Në vitin 1975 ishte pothuajse i vetmi orëndreqës në qytetin e Klinës.

Ka jetuar me prindër dhe motrën e tij të vetme, ndërsa në vitin 1974 është martuar dhe pastaj ka shkuar në shërbimin ushtarak në ish armatën Jugosllave, me shërbim në Republikën e Malit të Zi, ku si shumë shqiptarë të tjerë pati edhe probleme me eprorët. Për shkak të mosnjohjes së gjuhës serbe dhe për arsye të tjera ishte  vazhdimisht i diskriminuar nga eprorët ushtarakë.

Pas kryerjes së shërbimit ushtarak është kthyer në vendin e lindjes, për ta vazhduar zejen  e orëndreqësit në Klinë me qëllim për ta ngritur familjen pasi që  ishte martuar me Sofije Hazirajn nga fshati Vuqak, Komuna e Drenasit. Gjatë jetës  martesore Osmani dhe Sofija  kanë lindur dhe i kanë rritur  12 fëmijë, 7 djem dhe 5 vajza.

Jeta e Osman Kurtaj, që nga fëmijëria, ishte mjaftë e vështirë, në rendë nga skamja dhe varfëria e vazhdueshme familjare që e përcolli gjatë terë jetës. Por ajo që ishte më e vështira, me moshën e tij madhore e ndiente dhe e përjetonte rëndë sundimin e regjimit serbosllav, i cili për shqiptarët ishte gjithmonë i padrejtë.

E mundonin padrejtësitë e atij sistemi, sidomos ato të mëvonshmet, të viteve 80-ta e këndej, për ç’ arsye u inkuadrua me shokë bashkëmoshatarë, duke marrë pjesë në gjitha manifestimet, kundër regjimit të sistemit të atëhershëm, duke filluar nga demonstratat e viteve 1981, të viteve 1989- 1990, pastaj edhe manifestimet tjera gjithë-popullore të popullit shqiptar gjatë periudhës okupuese,  pa ndërprerë deri me fillimin e luftës të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës.

Edhe para daljes publike të UÇK-së, Osmani ka qenë i frymëzuar dhe i gatshëm për të kontribuar në çlirimin e vendit nga okupimi serb,  por në nëntor të  vitet 1997 e këndej, kur lufta filloi të përhapet në pjesët apo zonat e ndryshme,  Osmani do të angazhohej në frymëzimin, bindjen dhe përfshirjen e një numri sa më madh të të rinjve  dhe të tjerëve në luftën e UÇK-së.

Përveç që vetë ishte  inkuadruar në radhët e luftës,  edhe më i madh ishte kontributi i tij organizativ, për përfshirjen e sa më shumë vullnetarëve  dhe masovizimin e UÇK. Këtë aktivitet e kryente nëpërmes fshatit Zajm, ku kishte shumë banorë serbë-, për të kaluar Lumin -Bistrica-Lumbardh- dhe për të depërtuar  njësitet fillestare të ushtarëve të UÇK-së  në fshatin Grabanicë, Bokshiq, Jabllanicë, e për t’u shpërndarë pastaj   në gjithë Zonën e Dukagjinit.

Duke qenë se fshati Zajm me fshatra kishte popullatë serbe, kishte edhe mjaftë polic e paramilitarë serbë, të cilët filluan të dyshonin e ta përcillnin Osmanin, edhe pse ai punonte në mënyrë, konspirative, sidomos natën e në mënyrë shumë sekrete, por  përkundër kësaj, forcat okupuese serbe i bastisen disa herë familjet e lagjes, duke i keqtrajtuar, jo vetëm Osmanin por edhe fëmijët, gratë dhe familjarët e pafajshëm, sikur të familjes së tij po ashtu edhe të lagjes.

Por dita më kritike për Osmanin, ka qenë një qershori i vitit 1999, kur forca okupuese serbe e kishin nxënë, pasi dikush e kishte lajmëruar. Fillimisht e kanë rrahur dhe në maltretim e sipër, e kanë lidhur për shtylle elektrike, diku më larg prej shtëpisë, ndërkaq duke e bastisur shtëpinë e tij, i kanë gjetur fletoren me shënime të ndryshme. Djali tij Istrefi e ka zgjidhur babanë, Osmanin, kanë shkuar në shtëpi nga një drejtim tjetër prej forcave serbe, me qëllim për t’ a marrë armën, pak municion që kishin dhe fletoren. Në atë moment, kur i ka treguar shoqja me fëmijët se, fletoren  ia kanë gjetur serbet, atëherë Osmani është larguar bashkë me djalin Istrefin. Ai i kishte thënë gruas dhe djalit pak më të rritur, Mehmetit, t’ i kenë amanet dhe të kujdesen për fëmijët dhe familjen, sepse është luftë dhe nuk i dihet fatit të njeriut. Ata të dy Osmani dhe Istrefi  kanë shkuar bashkë dhe prej asaj dite nuk janë parë  më dhe nuk dihet ende për fatin e tyre.

Por, tmerri ka vazhduar për disa kohë për familjen dhe fëmijët e Osmanit, të cilët janë maltretuar në mënyrën më të egër. Ata e kishin  rrahur djalin e tij, Mehmetin 19 vjeçar, e kishin pyetur për UÇK-në, duke i thënë babai i yt, Osmani është terrorist. Kanë pyetur për të afërmit  dhe lidhje familjarë me ta në fshatin Potok-Deiq,  për Osmanin mos është i strehuar atje dhe maltretime tjera nga më të ndryshmet. Në vazhdën e maltretimeve dhe frikësimit të familjes së Osmanit, vlen të theksohet, kur paramilitaret e kanë thirrur në odën e ndejës së familjes, bashkëshorten e  Osmanit, duke e marrë në pyetje e  duke e kërcënuar e frikësuar me qellim për të treguar për burrin. Ajo nuk u ka treguar asgjë duke u është përgjigjur se nuk din asgjë dhe nuk e di as vetë se ku ndodhen burri dhe djali i saj.

Pastaj, Mehmetin-djalin e Osmanit, e kanë dërguar  në burgun privat të serbëve në një shtëpi private, në fshatin Zajm. Atë e kanë kërcënuar se do ta vrasin me krejt fëmijët. Aty e kanë mbajtur 11 ditë dhe ditën e fundit e kanë liruar dhe i kanë thënë që të ikë në drejtimin që ata ia kanë treguar, me qëllimin që ta vrasin, por ky ka ikur në drejtim tjetër dhe i ka shpëtuar vrasjes.

Djalin e Osmanit, Mehmetin, gjatë mbajtjes për 11 ditë me radhë, e kanë pyetur për të gjithë banorët e lagjes  dhe fshatin, Zajm, por përkundër maltretimeve dhe rrahjeve më të egra nga forcat okupuese serbe, edhe pse ai  ka ditur të hollësitë e punës dhe të aktivitetit të babait të tij lidhur me UÇK-në, por edhe gjendjen e përgjithshme në fshat, Mehmeti nuk u ka treguar asgjë.

Vlen për të theksuar se pasi ka mbaruar lufta, kanë shkuar të gjithë lagja e banorë tjerë edhe nga fshati, duke e falënderuar familjen për Osmanin, punën dhe angazhimin e tij, si ushtar dhe tani dëshmor dhe pastaj duke falënderuar  Mehmetin, i cili nuk iu ka dhënë kurrë farë informata paramilitarëve serbë.

Për punë dhe angazhimet e dëshmorit të kombit Osman Kurtaj, flasin dhe kanë deklaruar shumë shokë-bashkëluftëtar të Osmanit, të cilët janë:

Qaush Qelaj, komandant i Osmanit,

Haxhi Ibishi, mjek tani me profesion në Klinë, por edhe në luftë,

Binak Syla, dëshmitar për punën dhe angazhimet e Osmanit në UÇK, i cili ka qenë komandant togu në ZO Dukagjinit,

Xhafer Bresillaj, bashkëfshatar  dhe ushtar i UÇK-së, të cilin Osmani e ka drejtuar në UÇK dhe Mentor Gashi, ushtar i UÇK-së. Ka edhe shumë dëshmitarë e bashkëluftëtarë të tjerë, që kanë treguar aktivitetin e Osmanit dhe angazhimet e tij gjatë luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …