Bunkeri i Radios Kosova e Lirë

RKL: Bunkeri i Radios Kosova e Lirë nuk është pronë private e askujt

Bunkeri i Pallanikut, nga i cili Radio Kosova e Lirë transmetoi gjatë luftës, nuk është pronë private e Nusret Pllanës dhe as e ndonjë individi tjetër. Ai është pjesë e historisë së luftës çlirimtare dhe trashëgimi e përbashkët e Radios Kosova e Lirë, e stafit që e mbajti gjallë atë zë në ditët më të vështira dhe e popullit të Kosovës.

Megjithatë, prej dy vitesh po bëhen përpjekje të vazhdueshme për ta paraqitur këtë bunker si pronë personale dhe për ta shkëputur nga historia reale e Radios. Ish-spikeri Nusret Pllana, së bashku me Martin Çunin dhe një grup të vogël bashkëpunëtorësh, u shkëputën publikisht nga stafi i Radios me synimin për ta përvetësuar simbolikisht dhe praktikisht këtë objekt historik.

Kulmi i kësaj përpjekjeje u pa në 25-vjetorin e Radios Kosova e Lirë, kur, ndërsa stafi zyrtar organizonte manifestimin jubilar në Shtëpinë-Muze në Berishë, grupi i Pllanës organizoi një aktivitet paralel në bunker. Një veprim i tillë nuk ishte pjesë e programit zyrtar të Radios, por një përpjekje për të krijuar një histori paralele dhe për ta zëvendësuar të vërtetën me kultin e individit.

Askush nuk mund ta mohojë kontributin që secili ka dhënë gjatë luftës. Por askush nuk ka të drejtë ta privatizojë historinë, ta monopolizojë sakrificën kolektive apo ta paraqesë veten si figurën qendrore pa të cilën, gjoja, Radio Kosova e Lirë dhe madje edhe lufta nuk do të kishin ekzistuar. Historia nuk shkruhet me vetëlavdërime.

Edhe më serioze janë pyetjet që kërkojnë përgjigje publike. Nëse janë mbledhur mjete financiare në emër të Radios Kosova e Lirë për bunker, rrugë apo projekte të tjera, publiku ka të drejtë të dijë: kush i ka dhënë ato mjete, në emër të cilit subjekt janë mbledhur, në cilën llogari bankare janë administruar dhe si janë shpenzuar. Transparenca nuk është zgjedhje, por detyrim moral.

Po ashtu, duhet bërë e qartë se pajisjet origjinale teknike me të cilat transmetoi Radio Kosova e Lirë gjatë luftës nuk ndodhen në bunker. Ato ruhen në Muzeun e Radios Kosova e Lirë, në Shtëpinë-Muze në Berishë, ku gjendet trashëgimia autentike e këtij mediumi të luftës.

Historia nuk mund të uzurpohet. Ajo nuk mund të privatizohet dhe as të rishkruhet sipas ambicieve personale. Radio Kosova e Lirë është histori kolektive, jo pronë e askujt. Kush përpiqet ta shndërrojë atë në instrument të promovimit personal, nuk i shërben së vërtetës historike, por deformimit të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri Edi Rama: Përplasja është mes “Shqipërisë 2030 në BE” dhe atyre që synojnë të pengojnë zhvillimin e vendit

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestave të fundit, duke deklaruar se përplasja është mes …