I kujtojmë dhe i nderojmë deri në përulësi këto data të mëdha historike, të cilat bënë epokë:
- 28 Nëntor 1443;
- 28 Nëntor 1912;
- 29 Nëntor 1944;
- 17 Nëntor 1994.
Me krenari të ligjshme dhe mburrje të madhe i quajmë Nëntorët e mëdhenj të lirisë, të dinjitetit, të lavdisë dhe të krenarisë shqiptare.
Këto data janë shkruar me gjakun dhe sakrificat e popullit shqiptar ndër shekuj, sakrifica që nuk harrohen kurrë. Të rënët e kombit shqiptar kanë mbetur të pavdekshëm në kujtesën e popullit, sepse emrat dhe veprat e tyre janë skalitur në panteonin e pavdekësisë.
Ata janë dhe mbeten simbol i nderimit, mirënjohjes dhe lavdisë së epokave të tëra. Veprat e tyre pasqyrojnë ngjarje historike që e bëjnë Shqipërinë tonë të dashur për ne, një vend me emër të madh në botë dhe me histori të lavdishme.
Epokat e popullit shqiptar janë matur herë me disa vite, herë me dekada, herë me çerek shekulli e herë me shekuj të tërë.
Por një gjë është e vërtetë dhe e paharrueshme: në fund të çdo epoke, populli shqiptar, duke mbrojtur të drejtën e tij, ka qëndruar me ballin lart dhe me dinjitet, pavarësisht nëse fitorja i është njohur apo i është mohuar.
Secila prej këtyre epokave ka qenë e rëndësishme në historinë tonë të lashtë dhe të re. Për këtë flet vetë historia.
Nga gjiri i popullit shqiptar kanë dalë burra dhe gra të mëdha, udhëheqës të lavdishëm dhe figura me përmasa kombëtare e botërore, të vlerësuara në Evropë dhe më gjerë.
Populli shqiptar është një nga popujt më të vjetër të Ballkanit dhe të Evropës. Atij i është dashur të bëjë përpjekje të jashtëzakonshme për të ruajtur vendbanimet, identitetin, pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale përballë lakmive dhe agresioneve të fuqive të ndryshme.
Në këto përpjekje titanike, populli shqiptar ka përjetuar fitore, por edhe sakrifica të mëdha, duke u përballur me pushtues gotë, romakë, bizantinë, osmanë, serbë, malazezë, grekë, nazifashistë e të tjerë.
Pavarësisht pushtimeve, populli shqiptar ruajti traditat, nderin, besën, kulturën dhe zakonet e tij, duke i rezistuar asimilimit.
Prandaj, gjatë historisë, pati tërheqje strategjike, tkurrje territoriale, shpërngulje dhe emigrim të popullsisë brenda dhe jashtë trojeve shqiptare, sidomos drejt Italisë dhe Greqisë, ku u formuan komunitetet arbëreshe dhe arvanitase.
Pushtimi më i gjatë në kohë ishte ai osman, i cili zgjati rreth pesë shekuj dhe përfshiu pjesën më të madhe të Ballkanit.
Megjithatë, shqiptarët nuk pushuan së luftuari për liri dhe çlirim nga sundimi osman. Historia i njeh mirë përpjekjet dhe luftërat e tyre nën udhëheqjen e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, me ushtrinë dhe prijësit shqiptarë.
Më 28 Nëntor 1443, Skënderbeu çliroi Krujën, ish-qendrën e rëndësishme të shtetit shqiptar, dhe ngriti flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare në kalanë e saj. Kjo datë mbetet e lidhur me fillimin e kryengritjes së madhe të udhëhequr prej tij.
Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu udhëhoqi popullin shqiptar në luftën kundër Perandorisë Osmane, duke shënuar fitore të rëndësishme.
Pas vdekjes së tij, osmanët menduan se rezistenca shqiptare do të merrte fund, por u gabuan. Përpjekjet dhe betejat për liri vazhduan.
Kjo etapë e gjatë dhe e lavdishme e historisë sonë u pasua nga një tjetër ngjarje madhore: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878.
Rilindësit tanë të mëdhenj erdhën nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, me në krye figura të shquara si Abdyl Frashëri. Ata ngritën zërin për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë.
Lidhja e Prizrenit shënoi një pikë kulmore të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve.
Në përfundim të luftës ruso-osmane, në vitin 1878, fuqitë e mëdha evropiane u përfshinë në vendime që prekën rëndë interesat shqiptare. Traktati i Shën Stefanit, i nënshkruar më 3 mars 1878, parashikonte ndryshime të mëdha territoriale në Ballkan, në dëm të trojeve shqiptare.
Në këto rrethana të vështira, rilindësit dhe patriotët shqiptarë u ngritën në mbrojtje të vendit, përmes veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake.
Përpjekjet e tyre u kurorëzuan më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar.
U themelua shteti shqiptar dhe u shpall Shqipëria e lirë dhe e pavarur.
Në fillim, fuqitë e mëdha evropiane e njohën shtetin shqiptar. Por, në prill të vitit 1915, gjatë Luftës së Parë Botërore, u hartua Traktati i Fshehtë i Londrës, i cili përmbante plane për copëtimin e territoreve shqiptare ndërmjet fuqive të kohës.
Ky traktat mbetet një nga padrejtësitë e mëdha historike ndaj çështjes shqiptare.
Populli, patriotët, luftëtarët dhe njerëzit e penës u indinjuan dhe, me të gjitha mundësitë, iu kundërvunë synimeve për copëtimin e trojeve shqiptare.
Më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.
Populli duhej të organizonte vetëmbrojtjen dhe qëndresën kundër pushtuesit. Në këto rrethana, më 16 shtator 1942 u mbajt Konferenca e Pezës, e cila synonte bashkimin e forcave antifashiste në luftën kundër pushtimit.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare u zhvillua me pjesëmarrjen e forcave të shumta të popullit shqiptar, të cilët luftuan kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Më 29 Nëntor 1944, me çlirimin e Shkodrës, shënohet përfundimi i çlirimit të Shqipërisë. Në këtë luftë ranë dëshmorë mijëra shqiptarë, ndër ta edhe 28 mijë dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, sipas kujtesës dhe përkujtimit zyrtar të kësaj periudhe.
Festat e 28 dhe 29 Nëntorit u përkujtuan së bashku dhe vazhdojnë të kenë një vend të veçantë në historinë dhe kujtesën tonë kombëtare.
Pra, 28 Nëntori i vitit 1912, siç e quajti Ismail Qemali, dhe 29 Nëntori i vitit 1944 qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në historinë e Shqipërisë, si dy data me rëndësi të veçantë historike.
Në këtë varg ngjarjesh të mëdha historike të kombit shqiptar qëndron edhe data 17 Nëntor 1994, e lidhur me fillesat e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
UÇK-ja u bë simbol i luftës për çlirimin e Kosovës nga pushtimi dhe agresioni serb.
Ishte komandanti legjendar Adem Jashari, i cili, për çështjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, luftoi dhe qëndroi me trimëri të pashoqe, duke u flijuar së bashku me familjen e tij, Jasharët.
Në këtë rrugë u derdh edhe gjaku i bijve dhe bijave më të mira të kombit shqiptar, të cilët dhanë jetën për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë.
Një nga aspiratat e shprehura të kësaj lufte ishte edhe bashkimi me Shqipërinë. Fatkeqësisht, kjo aspiratë ende nuk është realizuar.
Populli shqiptar bëri përpjekje të mëdha, sikurse popujt e tjerë të Ballkanit, Evropës dhe botës, për të jetuar i lirë, i pavarur dhe i organizuar në shtetin e vet kombëtar.
Me përpjekjet e tij, ai kapërceu dekada dhe shekuj të vështirë, duke nisur rrugën e zhvillimit dhe të rimëkëmbjes.
Nga kandili dhe bishtuku arriti te elektrifikimi i vendit; nga analfabetizmi i përhapur, te arsimi i organizuar, universitetet dhe Akademia e Shkencave; nga plugu dhe parmenda, te bujqësia e mekanizuar me traktorë dhe autokombajna.
U ndërtuan sisteme ujitëse dhe kulluese, u thanë kënetat dhe u krijuan ujëmbledhës, duke synuar zhvillimin e bujqësisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
U zhvilluan industria mekanike, metalurgjia dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.
Edhe këto arritje, sipas vlerësimit tim, dëshmojnë për ndryshimet e mëdha që përjetoi Shqipëria gjatë pesë dekadave të socializmit.
Shumëkush përpiqet sot t’i minimizojë këto arritje, por historia nuk mund të fshihet. Ajo është shkruar me gjakun e të rënëve për liri dhe është ndërtuar edhe me djersën e mundin e popullit shqiptar.
Njerëzit tanë kanë të drejtën të gjykojnë secilin sipas qëndrimeve dhe veprimtarisë së tij. Koha është gjykatësi më i mirë.
Do të kalojnë dekada dhe shekuj, por vlerat historike dhe arritjet e një populli do të mbeten pjesë e kujtesës së tij.
Është detyrë e shqiptarëve të ndershëm që të nderojnë me respekt dhe përulësi të rënët e kombit për liri dhe pavarësi, të kujtojnë sakrificat dhe të çmojnë vlerat kombëtare që kanë bërë historinë tonë.
Lavdi 28 dhe 29 Nëntorit, datave historike që janë dhe do të mbeten pjesë e pandashme e kujtesës sonë kombëtare!
Lavdi burrave dhe grave të mëdha të kombit shqiptar!
Lavdi të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin e popullit shqiptar!
Lavdi Enver Hoxhës!
Shpresa Bajraktari
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
