Pse, si kur dhe kujt i ndodhin tradhtitë?
Pyetet sulltani: Pse gjithmonë në gardën tënde dhe në sigurinë tuaj i mbani shqiptarët?
Përgjigjja e tij shumë interesante: Ata janë besnikë, sepse janë më budallenj se të tjerët!
Për habi, kështu, në këto rrethana, në këtë mënyrë sillen të gjithë me ne, si armiqtë, ashtu edhe aleatët, por ashtu edhe ne me besnikëri karshi atyre, me besnikëri të verbër!
Pse jemi të këtillë? Ndoshta sepse jemi të pafuqishëm dhe çdo gjë që duam ta realizojmë, përpiqemi me mirëbesim, për të arritur qëllimin!
Tradhtia bëhet më e rëndë, më e thellë dhe më e dëmshme atëherë kur në krye të detyrës, në Qeveri, diplomaci, si përfaqësues në marrëveshje, ke njerëz miopë e meskinë dhe jo atdhetarë!
Në të gjitha rrethanat historike, jemi të vonuar, apo jo pjesëmarrës aty ku duhet të ishim, direkt apo indirekt të përfaqësuar, kështu që vendoset në dëmin tonë si popull dhe si vend!
Edhe kur përfaqësohemi dobët, me njerëz të paaftë e të panivel, vendimet na dëmtojnë të sotmen dhe të ardhmen!
Duke qenë besnikë, i besojmë fjalës së mirë dhe fjalën e marrim si qëndrim e veprim!
Një të mirë të rastit, sado e vogël të na bëhet, e kujtojmë gjithmonë dhe shpresojmë se ai mik apo aleat gjithmonë i mirë do të jetë, gjithmonë mirë do të veprojë për ne, pa qenë koshientë për ta kuptuar se rrethanat nuk janë të njëjta përherë, mendimet dhe interesat e të tjerëve ndryshojnë shumë shpejt sipas nevojave të tyre e jo të tonave.
Të tjerët i ndërrojnë parimet, qëndrimet dhe mendimet karshi situatave dhe interesave, ndërsa ne u mbetemi besnikë edhe për ato që ata i kanë hedhur vetë!
Vendimet në kurriz tonin: Shën Stefani, Berlini, Londra e Versaja. Kur krejt këto ndodhnin, ku ishim ne?
Mund të themi se nuk na pyeti kush, nuk ishim të ftuar!
Sa bëmë përpjekje të jemi aty, direkt apo indirekt, qoftë edhe me një shkresë?
Konferenca e Rambujesë, në shkurt-mars të vitit 1999, e kërkuar nga shteti shqiptar, e ftuar dhe organizuar nga aleatët, aty ishte pjesëmarrja serioze e shqiptarëve dhe bashkimi i akterëve!
Doli mirë e menaxhueshme nga këmbëngulja në kërkesat maksimale, në të njëjtën kohë dorëzanë ishin luftëtarët me pushkët në istikamet e Kosovës!
Marrëveshja e 6-9 qershorit 1999 në Kumanovë, nuk e di a ishin të thirrur përfaqësues shqiptarë apo jo. Në asnjë mënyrë nuk qenë prezentë dhe vendimet janë ato që janë. Asnjëherë nuk u njoftua populli për përmbajtjen dhe vendimet e asaj marrëveshjeje!
Pse nuk pranoi Serbia kapitullimin përballë Kosovës?
Derisa aleatët modifikuan qëndrimet dhe doli një: – Marrëveshje Teknike Ushtarake!
Edhe ky takim i të tre të mëdhenjve në Shenzhen të Kinës, pra para pak ditësh, mund të ketë pasoja për ne të vegjlit. Kjo shkallë-shkallë kuptohet dhe zbatohet!
Ne duhet të bashkohemi, që sa më pak humbje të kemi dhe të faktorizohemi e të kemi peshë në Ballkan e në Evropë.
Më 11 qershor, pabesisht hynë forcat ruse në Kosovë dhe okupuan aeroportin!
Ndërsa me hyrjen e KFOR-it, Kosova e ndjeu çlirimin!
Forcat franceze u dolën në mbrojtje forcave serbe që kishin kaluar Ibërin dhe ishin bashkë me serbët e veriut të Kosovës!
U bënë shumë përpjekje të rusëve për të hyrë në Rahovec, në jug të Kosovës. Falë mosdorëzimit të rahovecjanëve dhe të luftëtarëve, nuk mundën të hynin në Rahovec!
Me çarter-diplomaci vazhduan bisedimet pas çlirimit në Vjenë, gjatë krejt asaj kohe sa formësoheshin ato vendime, që u quajtën Plani i Ahtisarit, ky që ishte kryenegociatori bashkë me ekipin!
Nga këto bisedime dolën shumë gjëra të pafavorshme dhe që dëmtojnë në afatgjatë Kosovën dhe shqiptarët!
KUSHTET E PËRCAKTUARA
- Kosova multietnike, edhe pse etnikisht e ka përbërjen me shumicë njëetnike më të madhe se çdo shtet në Evropë.
- U kërkua të themelohen komuna monoetnike serbe kudo që ka serbë të koncentruar! Kjo u bë pa asnjë kriter, as numerik, as demografik e as gjeografik!
- Flamuri i shtetit të mos ketë asnjë element të flamurit kombëtar!
- Himni të mos jetë ai kombëtar, të interpretohet pa tekst dhe pa zë, vetëm muzikë!
- Shteti i Kosovës të mos ketë të drejtë referendumi!
- Kosova të mos ketë të drejtë t’i bashkohet Shqipërisë!
- Përfaqësimi i komunitetit serb në Parlamentin e Kosovës t’i ketë 10 vende të garantuara! Për një kohë prej tri palë zgjedhjesh, në tri legjislatura!
- Vendimmarrjet, kur kanë të bëjnë me komunitetin serb, duhet të pajtohen 2/3 e tyre që të konsiderohet valid vendimi!
- Serbia ka të drejtë të interesohet për pakicën serbe në Kosovë!
- Gjuha serbe edhe ajo të jetë zyrtare në Kosovë!
- Emërtimet dhe tabelat e rrugëve të jenë edhe në gjuhën serbe!
- Komuniteti serb të ketë të drejtë ta ketë edhe shtetësinë e Serbisë!
Pas krejt këtyre ngjarjeve dhe pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur, edhe pas verdiktit të GJND-së që Kosova kishte të drejtë ta shpallte pavarësinë e saj!
Serbia kërkoi dhe tha: Ne kërkojmë edhe 6 pika të Ahtisarit plus!
Këta pushtetarët, të lidhur me karrigen dhe dorëlirë me Kosovën, nuk u ndalën në tri komunat e pretenduara, por i bënë edhe shtatë komuna të tjera!
Aq më keq, njëetnike dhe me tre e katër fshatra të komunitetit serb, dhe i ndanë me vija gjeografike siç është Graçanica, e cila merr edhe Çagllavicën, gjysmën e Lipjanit dhe Uglarin deri në rrugën kryesore në Fushë-Kosovë. Edhe kështu, e pret rrugën Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Ferizaj dhe Prishtinë-Fushë-Kosovë!
S’ka arkitekt që do të dinte kështu t’i dizajnonte, si rripa mishi ndahen territoret e brendshme për apetitet e Serbisë dhe kënaqësinë e të huajve!
Pranohet që Kosova, kudo që përfaqësohet, të paraqitet me fusnotë!
Kjo bëhet nga qeveritarët vetëm për të mos rënë nga pushteti dhe për të qenë të pëlqyeshëm për UNMIK-un dhe EULEX-in!
Nëse do të donin të qëndronte ”arsyeja” se po ua ofrojmë shërbimet qytetarëve, atëherë duhej të bëhej një perimetër rrethor, që ata që do të përfshiheshin në atë perimetër të ishin në të njëjtën komunë, pa dallim etnie, demografie!
Veprimet pa asnjë kriter dhe vetëm për një etni, mendoj që janë veprime të pamenduara dhe tradhti ndaj shqiptarëve!
Mashtrimi dhe tradhtia vazhduan edhe pas marrjes nën kontroll të saj, UÇPMB-së, Luginën e Preshevës. Ndërkombëtarët e bindën lehtë lidershipin e Kosovës se duhet ushtarët t’i dorëzonin armët dhe ia arritën ndërkombëtarët, përmes këtyre në pushtet, t’i bindnin luftëtarët, ta ndalnin luftën dhe të hynin në marrëveshje me ndërmjetësimin e të huajve. U bë marrëveshja e Konçulit! Asnjë pikë e kësaj marrëveshjeje nuk respektohet, gati u harrua kjo marrëveshje!
Dhe përsëri ne thjesht themi: U tradhtuam!
Çka ndodhi me shqiptarët e Iliridës në Maqedoni? Me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve u ndal lufta në vitin 2001 dhe u organizua Marrëveshja e Ohrit, me ndërmjetësimin e garancitë e ndërkombëtarëve që shqiptarët do të jenë të barabartë me maqedonasit! Si dhe do të jetojnë në shtetin e pandarë dhe të përbashkët në Maqedoni! U përcaktuan disa norma e kritere të të drejtave kushtetuese shtetërore me këtë marrëveshje!
Asgjë nuk respektojnë nga pushteti me maqedonasit që janë më shumë se shqiptarët në këtë shtet!
Edhe këtu themi: U tradhtuam!
Vazhdon tradhtia. Kërkon UNMIK-u më 2003 t’i jepet territor i Kosovës Maqedonisë, nga rreth kufirit të Debëlldesë, 2500 ha!
Gjoja paskan pasur marrëveshje kryetari i Serbisë, Millosheviqi, me kryetarin e Maqedonisë, Gligorov, dikur para lufte, edhe pse tani ishte tërësisht realitet tjetër! Kusht për t’i pranuar Maqedonia kufijtë e Kosovës! Dhe kjo u bë me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe me garantimin e tyre!
Lidershipi i Kosovës pranon dhe nënshkruan kufijtë me marrëveshje ndërkombëtare!
A i bie kjo që Kosova ia njeh tokat e Iliridës, nga Kulanova, Shkupi, Tetova, Manastiri, Ohri, Struga e deri në Dibër, Maqedonisë së Veriut ndërkombëtarisht!
A nuk është kjo tradhti ndaj atdheut?!
Del tullumbacja tjetër: Kërkojnë ndërkombëtarët t’i jepen Malit të Zi 8000 ha, me joshje se u jepen vizat kosovarëve!
Përsëri udhëheqësit e Kosovës i bindin parlamentarët ta aprovojnë këtë falje toke!
Dhe e bëjnë këtë. A nuk është kjo tradhti?!
Me këtë njohje të kufirit me marrëveshje ndërkombëtare,
A ia njohu Kosova tokat tona Malit të Zi, Plavën, Gucinë, Ulqinin e tërë tokat e Malësisë së Madhe? A nuk qenka kjo tradhti?!
Tani kërkohet të konstituohet Bashkësia Serbe (Zajednica)!
Me krijimin e kësaj, këta do të kërkojnë ndarje, sapo të institucionalizohen!
Dhe këtë ndarje u dashka ta pranojnë vetëm për të na njohur Serbia!
Si dhe, kur përfundon kjo marrëveshje me ndërmjetësimin evropian, do të mbeteshin jashtë Kosovës Lugina e Preshevës dhe tërë Toplica, t’ia nënshkruajë Kosova me dorën e vet si toka të Serbisë, edhe të pranuara ndërkombëtarisht nga Kosova. A do të ishte tradhti kjo?!
Sa filloi stabilizimi i Kosovës, Serbia, bashkë me Rusinë dhe aleatët e tyre, e gjetën Dick Martyn me shpifjet monstruoze, gjoja sikur UÇK-ja paska shitur organe njerëzish, dhe me këtë shpifje e bindi Këshillin Evropian të nxirrte një rezolutë për ta themeluar një gjykatë për t’i hulumtuar dhe gjykuar përgjegjësit e UÇK-së!
Për këtë i bindën udhëheqjen e Kosovës, kështu që udhëheqja bindi Parlamentin që të bënte edhe ndryshime kushtetuese, edhe ligj të veçantë, që t’ia delegonte kompetencat evropianëve për ta formuar Gjykatën Speciale!
Kjo gjykatë i burgosi anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm mbi akuzat e rreme të përgatitura nga Serbia dhe i dënoi me dekada burg, vetëm për ta barazuar fajësinë e luftës që ata e quajnë konflikt në mes të Kosovës, që u mbrojt, dhe Serbisë, që bëri krime, masakra dhe gjenocid mbi shqiptarët!
Edhe për këtë themi se u tradhtuam! Pyetja është: Jemi budallenj apo tradhtarë?!
Si ka mundësi që për krejt këto tradhti nuk reagon populli për ta dënuar tradhtinë? A s’ka as shteti shqiptar e as populli i Shqipërisë, që kanë filluar t’u falen tokat dhe vendet më të mira të atdheut!
Jemi budallenj apo tradhtarë?!
Nëse do të vazhdojmë të jemi të painteresuar dhe pasivë për fatin e popullit dhe të atdheut, me këta udhëheqës budallenj apo tradhtarë!
Duke i përjetuar krejt këto tradhti, do të na shkatërrohet atdheu. Duhet të vetëdijesohemi sa nuk është tepër vonë!
Nëse do të kërcasë sërish pushka, nuk do të ketë tradhti, vetëm do të kemi mundësi të bashkohemi. Duhet të jemi bashkë dhe unikë përballë armiqve dhe të huajve!
Pa bashkimin e kombit, përherë do të jemi monedhë kusuritjesh dhe leckë që mund të na keqpërdorin e tradhtojnë!
Prandaj duhet të jemi vigjilentë dhe ta përdorim gjithë fuqinë, qoftë edhe të luftojmë, sa nuk është vonë, për t’i krijuar kushtet për bashkim.
Të mos presim, sepse askush nuk na i krijon kushtet. Bile, disa nga shtetet e Evropës nuk po na njohin. Këta njohin vetëm forcën, dëgjojnë vetëm armët!
Rroftë ribashkimi i Shqipërisë me të gjithë shqiptarët!
24 nëntor 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
