Gani Koci, ka reaguar ashpër ndaj bashkëpunimit politik ndërmjet PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me nismën e re ligjore për Dhomat e Specializuara, duke vënë në pikëpyetje qëndrimet e mëparshme të eksponentëve të VV-së ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Koci ka kritikuar përpjekjet e Vetëvendosjes për t’u bashkuar me PDK-në në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe të ish-krerëve që po gjykohen në Hagë, duke e cilësuar këtë si kundërthënie me qëndrimet që, sipas tij, kjo parti dhe përfaqësues të saj kanë mbajtur ndër vite.
“Të bashkohesh me Albin Kurtin, Dejona Mihalin dhe Donika Gërvallën në emër të mbrojtjes së vlerave të UÇK-së dhe të çlirimtarëve në Hagë, është njësoj sikur të bashkohesh me Millovan Drecunin, Mira Markoviqin dhe Danica Marinkoviqin!”, ka shkruar Koci.
Më tej, ai ka pretenduar se disa prej përfaqësuesve të VV-së, për dy dekada, kanë kërkuar dërgimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe se, sipas tij, kanë deklaruar publikisht se kanë dorëzuar dëshmi kundër tyre, të cilat Koci i cilëson si të fabrikuara. Koci ka vlerësuar se prapa bashkëpunimit të fundit qëndrojnë kalkulime politike të VV-së, duke pretenduar se synimi është forcimi i pushtetit dhe zvarritja e nismës ligjore për Dhomat e Specializuara.
“Ecë e bjeri në fije…!”, e ka përfunduar reagimin e tij Gani Koci.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
