Kosova mund të tërheqë deri në 1.5 miliard dollarë investime private dhe të krijojë deri në 87 mijë vende pune gjatë pesë deri në dhjetë vjetëve të ardhshëm, por realizimi i këtij potenciali mbetet i kushtëzuar nga reformat institucionale dhe përmirësimi i kushteve për bizneset. Sipas raportit të Bankës Botërore, tri sektorët me potencial më të madh janë energjia e ripërtëritshme, shërbimet e biznesit dhe prodhimi i komponentëve për ndërtim. Megjithatë, ekonomia e Kosovës vazhdon të përballet me probleme serioze. Gjatë dhjetë muajve të parë të vitit 2026, vendi importoi mallra në vlerë mbi 6.3 miliardë euro, ndërsa eksportet arritën vetëm rreth 960 milionë euro. Ndërkohë, rreth 82 për qind e investimeve të huaja direkte gjatë vitit 2025 përfunduan në patundshmëri dhe sektorin financiar. Banka Botërore vë në pah si pengesa kryesore furnizimin e paqëndrueshëm me energji elektrike, burokracinë, mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe pasigurinë juridike. Banka Botërore vlerëson se vetëm sektori i energjisë së ripërtëritshme mund të tërheqë rreth një miliard dollarë investime dhe të krijojë 8.300 vende pune deri në vitin 2035. Megjithatë, këto projeksione mbeten mundësi dhe jo investime apo vende pune të garantuara. Sfida kryesore për institucionet e Kosovës mbetet kalimi nga premtimet dhe potenciali ekonomik në reforma konkrete, prodhim vendor dhe vende të qëndrueshme pune.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
