Bedri Halimi: PSE FYERJA DHE SHPIFJA NË KOSOVË DUHET TË KONSIDEROHEN VEPRA PENALE?

Dinjiteti njerëzor në Kosovë duhet të mbrohet me Kod Penal sepse ai përbën rrjedhën e parë të sigurisë shoqërore dhe vlerën supreme mbi të cilën ndërtohet Kushtetuta e vendit.

Kur shteti dështon ta mbrojë nderin e individit përmes ligjit penal, ai hap rrugën drejt anarkisë dhe vetëgjyqësisë. Mbrojtja e integritetit moral të njeriut nuk mund të lihet thjesht në dorë të gjykatave civile. Ajo kërkon ndërhyrjen e rreptë penale për të parandaluar vetëgjyqësinë, për të zëvendësuar dështimin e plotë të sistemit aktual civil, si dhe për të ndalur hovin e “budallenjve publikë” në epokën e rrjeteve sociale, duke u harmonizuar me standardin real të shteteve më të konsoliduara demokratike në Evropë.

Paslufta në Kosovë – fushatë fyerjesh e denigrimesh ndaj personaliteteve të ndryshme politike, publike dhe kombëtare

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, skena publike dhe mediale ka qenë dëshmitare e një fushate të egër fyerjesh dhe denigrimesh ndaj personaliteteve të ndryshme politike, publike dhe kombëtare.

Në këtë drejtim, periudha e pasluftës u karakterizua nga media të caktuara, ku gazeta “Bota Sot” printe pakrahasueshëm në shpërndarjen e gjuhës linçuese dhe akuzave të rënda. Pasojat e kësaj gjuhe të shfrenuar nuk mbetën vetëm në rrafshin e fjalëve; ato helmuan ambientin shoqëror, duke tensionuar situatën politike deri në pikën ku u shënuan edhe vrasje enigmatike të figurave publike, të cilat u paraprinë apo u arsyetuan pikërisht nga kjo propagandë denigruese.

Eksperimenti juridik i dekriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes me 2012 rezultoi në një dështim total shoqëror

Në vitin 2012, gjatë kohës kur PDK-ja ishte në pushtet dhe Ministria e Drejtësisë udhëhiqej nga Hajredin Kuçi, Kosova mori vendimin për dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, duke i hequr ato nga Kodi Penal [gzk.rks-gov.net]. Nën petkun e mbrojtjes së “lirisë së shprehjes”, qytetarëve të dëmtuar iu la si mundësi e vetme ushtrimi i padive civile për dëmshpërblim financiar [hoxhalaë.com]. Ky eksperiment juridik rezultoi në një dështim total shoqëror.

Ligji civil, mediatik e social, me procedurat e stërzgjatura që zgjasin me vite dhe me gjobat qesharake, nuk arriti asnjëherë të shërbente si parandalues për shpifësit.

Sot, pasojat e këtij tolerimi ligjor janë alarmante. Me hovin e rrjeteve sociale dhe portaleve të pakontrolluara, fyerjet dhe komentet me përmbajtje denigruese ndaj individëve – qofshin ata figura të njohura publike apo qytetarë të thjeshtë e të panjohur – kanë arritur përmasa monstruoze. Jeta private, dinjiteti njerëzor dhe integriteti i personit janë kthyer në tabelë qitjeje.

Rikthimi i fyerjes dhe shpifjes si vepër penale do të funksiononte me automatizëm si një fren i fuqishëm që do t’i ndalte, siç do të thoshte shkrimtari i madh Umberto Eco, “budallenjtë publikë” të cilëve rrjetet sociale u dhanë të drejtën e fjalës njësoj si një fituesi të çmimit Nobel.

Ndjekja penale e bën individin të mendohet mirë para se të shkatërrojë publikisht jetën dhe moralin e tjetrit, sepse pas lirisë së shprehjes do të qëndronte rreziku i prangave dhe i dosjes kriminale.

“Selam Çarshisë” dhe drejtësia e vonuar që shndërrohet në padrejtësi specifike

Në situatën e sotme të krijuar në Kosovë, vazhdimi i idesë se nderi i një njeriu mund të mbrohet përmes padive private civile ose trajtimit të tyre si çështje dytësore është praktikisht një “selam çarshisë”, apo siç thotë populli: “Lagu sot e të rruaj në mot”. Kjo nënkupton se këto lëndë nuk shqyrtohen kuuuuurrë, për një mori arsyesh që shpërfaqin dështimin e sistemit.

Si arsyetim për mos-trajtimn e tyre përdoret vazhdimisht fakti se numri i këtyre lëndëve është jashtëzakonisht i madh dhe se gjykatat nuk kanë kapacitete gjykatësish.

Megjithatë, ky arsyetim është bërë një klishe e rrezikshme, pasi i njëjti përdoret edhe për veprat e rënda penale. Në shumicën dërrmuese të lëndëve në Kosovë nuk bëhet shqyrtimi dhe gjykimi brenda një kohe të arsyeshme. Edhe atëherë kur ka staf të mjaftueshëm, lëndët zvarriten dhe zhagiten aq gjatë sa që, hipotetikisht, edhe kur shpallet pafajësia ndaj një të akuzuari të dyshuar, ajo drejtësi vjen aq e vonuar sa që nuk ka më asnjë vlerë.

Një drejtësi e tillë e vonuar me vite e dekada nuk është më drejtësi, por rezulton praktikisht në një padrejtësi specifike që e vret besimin e qytetarit te shteti. Prandaj, lënia e fyerjes në dorë të padive private civile në një sistem kaq të mbingarkuar dhe të ngadalshëm do të thotë t’u japësh leje të hapur shpifësve që të shkatërrojë këdo, pa pasur kurrë frikë nga ndëshkimi.

Cilat janë modelet evropiane të trajtimit ndaj shpifjeve e fyerjeve, dhe pse Kosova duhet të reflektojë dhe të ndjekë standardin e këtyre shteteve?

Nëse hedhim sytë nga bota e zhvilluar, shohim se Kosova ka krijuar një anomali të pakuptimtë. Një numër i madh i shteteve sovrane në Evropë, si ato të mëdha ashtu edhe ato më të vogla, vazhdojnë t’i mbajnë fyerjen dhe shpifjen brenda kodeve të tyre penale apo aplikojnë sanksione të rrepta penale për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit të njeriut. Ky nuk është një përjashtim, buron në një rregull evropian:

Gjermania e ndëshkon rreptë fyerjen (Beleidigung) sipas nenit 185 të Kodit Penal me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Franca parasheh dënime penale dhe gjoba të majme për shpifjen e shpërndarë publikisht.

Zvicra dhe Austria e konsiderojnë sulmin ndaj nderit të personit si vepër të pastër penale.

Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria aplikojnë dënime me burgim dhe masa penale për shpifje.

Shtetet e Evropës Veriore si Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka dhe Islanda ruajnë nene strikte penale për mbrojtjen e integritetit moral dhe parandalimin e gjuhës denigruese.

Vendet e Evropës Jugore si Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia trajtojnë fyerjet publike përmes mekanizmave penalë me gjoba të rënda ose dënime që prekin lirinë.

Shtetet e rajonit dhe Ballkanit si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina kanë rregullime apo precedentë ku cenimi i nderit aktivizon mekanizmat e ndjekjes shtetërore ose penale.

Vendet e Evropës Lindore si Rumania, Bullgaria, Ukraina, Bjellorusia dhe Moldavia gjithashtu e sanksionojnë me ligj penal.

Shtetet e vogla si San Marino, Monako, Lihtenshtajni, Andorra, Luksemburgu dhe Malta mbajnë mbrojtje strikte penale ndaj sulmeve ndaj autoritetit dhe nderit.

Edhe vendet baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe shtetet e tjera si Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Belgjika, Holanda, Shqipëria dhe Qipro, kanë korniza të qarta ku ligji penal ndërhyn kur cenohet dinjiteti njerëzor apo nxitja përmes shpifjes.

Cila do të duhej të ishte arsyeja që në Kosovë këto gjëra të ishin ndryshe nga të gjitha këto shtete të Evropës?

Shtohet pyetja logjike: Cila do të duhej të ishte arsyeja që në Kosovë këto gjëra të ishin ndryshe nga të gjitha këto shtete të Evropës? Pse Kosova duhet të jetë më “liberale” se Gjermania, Franca apo Zvicra për shembull, në tolerimin e degradimit njerëzor?

Kompetentët e Ministrisë së Drejtësisë duhet të shohin këtë realitet evropian dhe të reflektojnë menjëherë. Shteti dhe shoqëria e Kosovës nuk kanë asnjë fitim nga tolerimi i kësaj logjike dhe praktike shkatërruese. Përkundrazi, humbja është e gjithanshme. Kjo praktikë ka prodhuar një shoqëri të polarizuar, ku gjuha e urrejtjes zëvendëson debatin e argumentuar dhe ku njerëzit e mençur e profesionistë tërhiqen nga jeta publike nga frika se do të lëndohen e fyhen, të mbetur pa asnjë mbrojtje nga shteti.

Ndryshimi i ligjit dhe rikthimi i këtyre veprave në Kodin Penal nuk duhet parë vetëm si një arsyeshmëri ligjore, por si një domosdoshmëri shoqërore për të shpëtuar moralin publik dhe për të parandaluar vetëgjyqësinë.

Dinjiteti i njeriut është vlerë supreme kushtetuese dhe ai duhet të mbrohet me të gjithë forcën e ligjit penal.

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha: SALI BERISHA E SHPËTOI EDI RAMËN!

Deklaratat bizare dhe marrja e përgjegjësisë për rrëmujën, përmes thirrjes që bëri mbrëmë Berisha, ua …