DËMTIMI I NJË SIMBOLI TË LUFTËS DHE TË KUJTESËS SONË – TYTA E GULINOVIT TE KROI I HYSEN GEGËS
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Dega në Therandë, shpreh indinjatën, revoltën dhe shqetësimin e thellë për aktin e papranueshëm të dëmtimit të tytës së gulinovit, të cilën veprimtari atdhetar, ish i burgosur politik, ish-ushtari i UÇK-së dhe humanisti i madh, Hysen Gegaj, e kishte vendosur si gyp për rrjedhjen e ujit, në bjeshkën e Dellocit, afër stanit të tij.
Ky nuk është një veprim i zakonshëm vandalizmi. Është një akt i turpshëm, i papërgjegjshëm dhe thellësisht fyes ndaj kujtesës së luftës sonë çlirimtare, ndaj sakrificës së luftëtarëve të lirisë dhe ndaj historisë që duhet ta ruajmë me dinjitet!
Për dikë që nuk e njeh historinë, ajo mund të jetë vetëm një copë metali. Por për ne, që e dimë çmimin e lirisë, ajo është shumë më tepër se kaq. Është dëshmi e gjallë e një kohe kur populli ynë luftonte për ekzistencë, dinjitet dhe çlirim nga pushtimi serb.
Është tyta e një arme që dikur kishte vjellë zjarr kundër forcave pushtuese serbe, në mbrojtje të atdheut dhe të lirisë. Pas luftës, në duart e Hysen Gegajt, ajo u shndërrua në diçka krejt tjetër: nga një mjet lufte u bë gyp për rrjedhjen e ujit; nga një simbol i qëndresës u shndërrua në burim jete. Ky ishte mesazhi i madh njerëzor i një luftëtari që dinte të luftonte për lirinë, por dinte edhe ta nderonte jetën në paqe.
Kushdo që e ka dëmtuar këtë objekt, duhet ta kuptojë se nuk ka dëmtuar vetëm një copë metali. Ka prekur një simbol të kujtesës sonë, një gjurmë të historisë së UÇK-së dhe një dëshmi të rrugëtimit të njerëzve që sakrifikuan për lirinë që sot e gëzojmë.
Është e turpshme dhe e pakuptueshme se si dikush mund të shkojë në bjeshkë, në një vend që bart kujtime dhe vlera njerëzore, dhe të shkatërrojë një objekt që nuk i bën keq askujt. Një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet me asnjë motiv dhe nuk duhet të kalojë në heshtje.
Ne nuk do të heshtim përballë cenimit të simboleve të luftës sonë. Nuk do të pranojmë që gjurmët e historisë të shndërrohen në shënjestër të papërgjegjësisë, të injorancës apo të mungesës së respektit.
Kërkojmë që rasti të ndriçohet, përgjegjësit të identifikohen dhe objekti të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse, qytetarëve dhe të gjithë atyre që e çmojnë historinë tonë, që të angazhohen për mbrojtjen e këtij dhe të çdo simboli tjetër që dëshmon rrugën tonë drejt lirisë.
U bëjmë thirrje edhe atyre që mund të kenë njohuri për autorët e këtij veprimi që të mos heshtin, por të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Tyta e gulinovit te Kroi i Hysen Gegës nuk ishte më armë. Ajo ishte bërë burim jete. Nga gryka e saj dikur doli zjarr për liri, ndërsa në kohë paqeje rridhte ujë për jetë.
Kjo është historia që dikush e ka dëmtuar, por që askush nuk mund ta fshijë!
Lufta jonë nuk është vetëm histori e shkruar në libra. Ajo jeton në kujtesën e njerëzve, në gjurmët e saj, në çdo dëshmi të qëndresës dhe në çdo simbol që na kujton çmimin e lirisë.
Kush nuk di ta respektojë historinë, të paktën të mos e shkatërrojë atë!
Historia nuk ruhet duke e dëmtuar, por duke e mbrojtur. Kujtesa nuk nderohet me heshtje, por me përgjegjësi!
LAVDI LUFTËS SË UÇK-së DHE TË GJITHË ATYRE QË SAKRIFIKUAN PËR LIRINË!
OVL UÇK – DEGA THERANDË
Kryetari Sejdi Elezi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
