Gjashtë vjet larg familjes, shtëpisë dhe njerëzve të dashur. Gjashtë vjet pritje, dhimbje dhe shpresë për një ditë kur babai të kthehet pranë familjes. Me këto fjalë prekëse, Altin Krasniqi i është drejtuar babait të tij, duke shprehur mallin dhe dhimbjen për vitet që po kalojnë larg tij. Në një dedikim emocional të publikuar në rrjetet sociale, Krasniqi ka rrëfyer se kjo përvjetor është ndër më të vështirët për familjen, veçanërisht pas zhvillimeve të 16 shtatorit, të cilat, sipas tij, e kanë rënduar edhe më shumë pritjen dhe shpresën për drejtësi. Ai shpreh dhimbjen për vitet që babai i tij po i kalon larg familjes, në një periudhë të jetës kur, siç shkruan, do të duhej të gëzonte qetësinë e pleqërisë, praninë e bashkëshortes, fëmijëve dhe njerëzve të dashur. “Ti e ke merituar, babë, që pleqërinë ta kaloje pranë mamit, në shtëpinë, mes fëmijëve e njerëzve të tu. E ke merituar t’i shijosh ditët pa brenga, ta pish kafenë në qetësi”, shkruan Krasniqi. Ai thekson se mungesa e babait ndihet çdo ditë dhe se asnjë gëzim familjar nuk është i plotë pa praninë e tij. Megjithatë, pavarësisht dhimbjes, familja vazhdon të ruajë shpresën dhe të presë kthimin e tij. Në fund të dedikimit, Altin Krasniqi përcjell një mesazh të fuqishëm dashurie, qëndrese dhe malli, duke shprehur dëshirën që këto të jenë gjashtë vitet e fundit të ndarjes nga familja. “U bëfshin këto gjashtë vjet të fundit larg nesh, babë. Ne ende po presim ditën kur do të të përqafojmë sërish, jo për të të përshëndetur e për t’u ndarë, por për të mos të të lëshuar më nga krahët tanë”, përfundon ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
