Aleanca, Konjufcës: Ku mbeti vendimi që ndalonte punësimin e familjarëve në diplomaci?

Aleanca ka reaguar ndaj emërimeve të fundit në shërbimin diplomatik të Kosovës, duke ngritur dyshime për nepotizëm dhe lidhje familjare e politike të personave të emëruar në ambasada dhe konsullata me zyrtarë shtetërorë. Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Aleanca i është drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, duke kërkuar sqarime nëse është shfuqizuar Vendimi nr. 113/2024, i nënshkruar më 23 prill 2024 nga ish-ministrja Donika Gërvalla, përmes të cilit ndalohej punësimi i familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve në MPJD. Sipas Aleancës, vendimet e fundit për emërime në shërbimin diplomatik mbajnë nënshkrimin e Glauk Konjufcës dhe disa prej personave të emëruar kanë lidhje familjare apo politike me figura të pushtetit. Aleanca ngre pretendime për lidhjet e tyre familjare e politike, si dhe për mospërmbushje të kritereve dhe procedurave të gradimit diplomatik. Kjo pari kërkon nga Konjufca të sqarojë nëse Vendimi 113/2024 është shfuqizuar zyrtarisht, kur ka ndodhur kjo dhe për çfarë arsyeje. Po ashtu, kërkon përgjigje se si është e mundur që, sipas saj, përfaqësitë diplomatike të Kosovës po shndërrohen në vende sistemimi për persona me lidhje me pushtetin. “Ndryshimi i parimeve dhe shkelja e ligjit ekzistues është tradhtia më e madhe që mund t’u bëhet profesionistëve të rinj dhe diplomatëve të karrierës”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përmbushë kushtet e panegociueshme për anëtarësim në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia duhet të tregojë rezultate konkrete në …