Albert Prenkaj: Raporti i KE-së evidenton ngecjen e Kosovës në integrimin evropian dhe kërkon zbatimin e marrëveshjes me Serbinë

Ish-diplomati Albert Prenkaj, në një analizë për draft-raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, vlerëson se kriza e zgjatur politike dhe mungesa e funksionimit të institucioneve kanë ndikuar në ngecjen e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Sipas Prenkajt, raporti i Komisionit Evropian e karakterizon progresin e Kosovës si të kufizuar, duke evidentuar mungesën e përparimit të prekshëm në disa fusha të rëndësishme. Kriza institucionale dhe mbajtja e tri palë zgjedhjeve brenda një viti kanë krijuar vakum politik dhe kanë vështirësuar komunikimin me faktorin ndërkombëtar. Prenkaj vlerëson se kjo situatë i ka kushtuar Kosovës edhe 43 milionë e 800 mijë euro nga fondet e Planit të Rritjes të BE-së. Ai përmend gjithashtu heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, duke e lidhur këtë proces me koncesionet e bëra nga institucionet e vendit, përfshirë pranimin e dokumenteve të lëshuara nga strukturat serbe dhe ndryshimet në zbatimin e Ligjit për të Huajt. Prenkaj shtron pikëpyetje për veprimtarinë diplomatike të Kosovës, veçanërisht lidhur me anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ndryshimin e marrëveshjes me Brukselin për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai vë në diskutim nëse politika e jashtme e Kosovës po arrin të shfrytëzojë mundësitë diplomatike për avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, në një kohë kur procesi i integrimit evropian mbetet i bllokuar dhe dialogu me Serbinë vazhdon të jetë një nga kushtet kryesore të perspektivës evropiane.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama fton sërish studentët protestues në dialog, vendos “Sofrën e Gurtë” para Kryeministrisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur ftesën për dialog drejtuar studentëve protestues, duke vendosur …