AKK ngre shqetësimin për buxhetin e vitit 2027: Komunat do të kenë më pak mundësi reale për investime

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka paralajmëruar se buxheti i komunave për vitin 2027, ndonëse rritet në 908 milionë euro, nuk garanton më shumë mundësi financiare për pushtetin lokal. Sipas tij, pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm të shtetit bie nga 21.7 për qind në vitin 2026, në 21.3 për qind në vitin 2027. Ibrahimi thekson se inflacioni, rritja e pagave dhe detyrimet nga kontratat kolektive do të rëndojnë financat komunale. Sipas përllogaritjeve të AKK-së, mjetet reale për investime, mirëmbajtje dhe shërbime mund të zvogëlohen për rreth 12.6 milionë euro, apo 2.8 për qind. Shqetësimit i shtohen edhe ekzekutimet e vendimeve gjyqësore, përmes të cilave, sipas AKK-së, komunave gjatë vitit 2026 u janë marrë rreth 100 milionë euro. Ibrahimi vlerëson se rritja nominale e buxhetit nuk e kompenson humbjen e fuqisë blerëse dhe zvogëlimin e pjesëmarrjes së komunave në buxhetin shtetëror, duke kërkuar më shumë hapësirë financiare për shërbimet ndaj qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Mungesa e deputetëve të shumicës pamundëson shqyrtimin e çështjeve të Autoritetit të Konkurrencës

Mungesa e deputetëve të shumicës parlamentare ka pamundësuar zhvillimin e punimeve të Komisionit për Ekonomi, …