Identifikohen edhe tre viktima të “Grupit të Intelektualëve”, pas 27 vjetësh nga zhdukja me dhunë

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar identifikimin e tri viktimave të tjera të luftës, mbetjet mortore të të cilëve u zbuluan në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Të tre i përkasin rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Në njoftimin zyrtar, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se identifikimet janë realizuar në bazë të raporteve të reja të ADN-së dhe vlerësimit të antropologut mjekoligjor. Viktimat e identifikuara janë: Adem Fazli Ademi, Fatmir Bajram Fazlija, Ali Islam Haliti. Komisioni, së bashku me Institutin për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorinë e Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorin për Persona të Zhdukur, ka zhvilluar takime me familjarët për t’i informuar zyrtarisht për rezultatet e identifikimit. Këto identifikime vijnë pas konfirmimit të mëhershëm të identitetit të Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mëziut, po ashtu pjesëtarë të grupit të intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Institucionet kanë bërë të ditur se në vijim priten identifikime të tjera nga mbetjet mortore të zbuluara në këto lokacione, ndërsa familjarët do të informohen fillimisht për çdo rezultat të ri. Rasti i “Grupit të Intelektualëve” mbetet një dëshmi e rëndë e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve dhe e përpjekjeve për fshehjen e gjurmëve të tyre. Pas më shumë se 27 vjetësh, familjet vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe përgjigje për fatin e të afërmve të tyre, ndërsa Serbia ende nuk ka ofruar qasje të plotë në arkivat ushtarake dhe policore që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të mijëra të zhdukurve.

Kontrolloni gjithashtu

Jeton Zulfaj në Berlin kërkon mbështetjen e Gjermanisë për statusin kandidat të Kosovës në BE

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për avancimin …