Pas analizave të ADN-së, krahas Adem Ademit, janë identifikuar edhe Fatmir Fazliu dhe Ali Haliti, të tre pjesëtarë të rastit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Motra e kirurgut Ademi, Lutfije Ademi Vokshi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se identifikimi i vëllait është një lajm i rëndë, por i jep fund pritjes 27-vjeçare për të mësuar fatin e tij. “Për mua, prej sot përfundon pyetja ‘ku është?’. Tani e di ku e kam”, ka deklaruar ajo, duke shpresuar që edhe familjet e tjera të personave të zhdukur ta marrin sa më parë këtë përgjigje. Gërmimet në lokacionet e Jabukës dhe Kalludrës, në veri të Kosovës, kishin nisur në fund të korrikut, ku u zbuluan mbetjet mortore të së paku 23 personave. Mbetjet u dërguan në Hagë për identifikim përmes analizave të ADN-së. Para identifikimeve të fundit, ishin konfirmuar edhe identitetet e Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mëziut. Institucionet kosovare kanë paralajmëruar se priten identifikime të tjera. Fshehja e trupave dhe varrosja e tyre në lokacione të fshehta dëshmojnë për përmasat e krimeve dhe përpjekjet e aparatit shtetëror serbo-jugosllav për të fshehur gjurmët e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve. Ndërkohë, Serbia vazhdon të mos ofrojë qasje të plotë në arkivat ushtarake dhe policore të kohës së luftës, të cilat mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Sipas të dhënave të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
