Në këtë realitet kur demonstratat s’kanë tw ndalur vjen edhe diskutimi për paketën e re fiskale dhe ndryshimet në taksa e tarifa. Qytetarëve u prezantohen disa masa si lehtësime ekonomike, por në të njëjtën kohë ata përballen me kosto të tjera që mund të rëndojnë buxhetin familjar dhe atë të bizneseve. Kur njëra dorë ul një taksë dhe tjetra shton një tarifë, qytetari ka të drejtë të kërkojë një bilanc të plotë. Nuk mjafton të shohim vetëm një ulje të veçuar. Duhet parë ndikimi i përgjithshëm i të gjitha detyrimeve mbi ekonominë familjare. Për një familje me të ardhura të kufizuara, çdo pagesë shtesë ka rëndësi. Për një biznes të vogël, çdo rritje e kostove ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin e tij. Në një kohë kur shumë familje përpiqen të përballojnë çmimet e ushqimeve, energjisë, transportit dhe shpenzimeve të përditshme, institucionet publike duhet të tregojnë kujdes që politikat fiskale të mos kthehen në një barrë të re. Qytetarët nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë që paratë e tyre të përdoren me përgjegjësi dhe që pagesat të shoqërohen me shërbime konkrete.
Nga ana tjetër Tirana…Kush përfiton nga zhvillimi i qytetit?
Një tjetër debat që nuk mund të shmanget është raporti mes zhvillimit urban, interesit publik dhe interesave ekonomike. Tirana po ndryshon me ritme të shpejta. Ndërtimet e larta, projektet e mëdha dhe zhvillimi i pronave kanë transformuar shumë zona. Por pyetja që duhet shtruar është nëse ky zhvillim po sjell përfitime të barabarta për të gjithë qytetarët. A po përmirësohet cilësia e jetesës për banorin e zakonshëm? A po investohet në të njëjtën masë në rrugët, shkollat, transportin publik dhe hapësirat e përbashkëta? A janë interesat e komunitetit në qendër të vendimmarrjes? Nuk është e drejtë që qytetari i zakonshëm të përballet me kosto gjithnjë e më të larta, ndërsa përfitimet e zhvillimit të qytetit të mos jenë të dukshme dhe të barabarta. Çdo projekt urban duhet të vlerësohet edhe nga ndikimi që ka te banorët, te trafiku, te infrastruktura dhe te cilësia e jetës. Në fund të fundit, Tirana nuk është pronë e institucioneve, as e kompanive dhe as e grupeve të interesit. Tirana është qyteti i qytetarëve që jetojnë, punojnë dhe paguajnë çdo ditë për ta mbajtur atë në funksion. Nuk mund të kërkosh nga qytetarët të paguajnë gjithnjë e më shumë, pa u dhënë llogari se ku shkojnë paratë e tyre. Nuk mund të flasësh për një kryeqytet modern, ndërsa banorët e shumë lagjeve vazhdojnë të kërkojnë asfaltimin e rrugëve, trotuare të sigurta dhe shërbime bazë. Nuk mund të prezantosh çdo tarifë të re si domosdoshmëri, pa treguar më parë se si janë përdorur të ardhurat ekzistuese. Populli i thjeshtë përpiqet të mbijetojë mes çmimeve të larta dhe shpenzimeve të përditshme. Pensionistët numërojnë lekët për të blerë ilaçet dhe ushqimet. Familjet e reja përpiqen të përballojnë qiranë dhe kostot e jetesës. Bizneset e vogla luftojnë për të mbajtur aktivitetin hapur. Ndërkohë, qytetarët kërkojnë vetëm një gjë: që institucionet të bëjnë detyrën për të cilën financohen nga taksat e tyre. Nuk është e tepërt të pyesësh ku shkojnë milionat e parkimeve dhe gjobave. E tepërt është të kërkosh gjithnjë e më shumë para nga qytetarët dhe të mos u japësh një përgjigje të qartë se çfarë përfitojnë ata në këmbim. Tirana ka nevojë për më pak propagandë dhe më shumë llogaridhënie. Ka nevojë për më pak fasada dhe më shumë rrugë të rregulluara. Ka nevojë që investimet të mos përqendrohen vetëm aty ku qyteti duket bukur, por edhe aty ku qytetarët kanë nevojë reale. Sepse në fund, suksesi i një bashkie nuk matet me sa para mbledh nga qytetarët, por me sa mirë i përdor ato para për qytetarët.
Paratë janë të qytetarëve. Llogaria duhet të jepet para qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
