Riho Terras: Bllokada politike i kushtoi Kosovës një vit e gjysmë të humbur në reforma

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka deklaruar se bllokada politike dhe institucionale i ka kushtuar vendit rreth një vit e gjysmë ngecje në reforma dhe përparim drejt integrimit evropian. Duke folur në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, prezantoi Raportin për Kosovën për vitin 2026, Terras ka vlerësuar se zhvillimet e fundit politike kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e reformave. Ai ka theksuar se raporti i Komisionit Evropian pasqyron shumë nga problemet që ishin evidentuar edhe në raportin e Parlamentit Evropian të vitit të kaluar. “Reformat dhe përparimi kanë ngecur, kryesisht për shkak të bllokadës politike, e cila në thelb i ka kushtuar Kosovës një vit e gjysmë të humbur”, ka deklaruar Terras. Megjithatë, raportuesi për Kosovën ka vënë në dukje se situata institucionale është përmirësuar pas funksionalizimit të institucioneve në përputhje me Kushtetutën, duke përmendur Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën. Sipas tij, stabiliteti politik dhe funksionimi i institucioneve janë parakushte për zbatimin e reformave dhe përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian. Terras ka shprehur pritjen që Komisioni Evropian të angazhohet më aktivisht në mbështetje të Kosovës dhe ta trajtojë atë si partnere të barabartë në proceset evropiane.

Kontrolloni gjithashtu

FSK nderon me medalje Gjeneralin amerikan Stephen E. Osborn për kontributin në forcimin e partneritetit Kosovë-SHBA

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur me ceremoni të …