Përgjigje akademike ndaj pretendimeve të akademikut serb Radomir Saičić për Kosovën
Akademik Prof. Dr. Arsim Bajrami
Deklarata e akademikut serb Radomir Saičić, i propozuar si kandidat për president të Serbisë nga Lista Studentore, se “Kosova dhe Metohia janë pjesë e patjetërsueshme e territorit të Serbisë” dhe se “Kosova është territor përkohësisht i okupuar”, përfaqëson një qëndrim politik që nuk përputhet as me realitetin aktual juridik dhe politik, as me proceset historike të shtetformimit të Kosovës. Këto deklarime, përveçse janë anakronike, dëshmojnë vazhdimësinë e një mendësie politike që ende nuk është shkëputur nga konceptet tradicionale të nacionalizmit serb dhe nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës.
Kur një pretendim i tillë artikulohet nga një akademik, e veçanërisht nga një personalitet që synon të marrë funksionin më të lartë shtetëror në Serbi, ai meriton një përgjigje jo vetëm politike, por mbi të gjitha akademike, historike dhe juridiko-kushtetuese.
1. Kosova është Republika e Kosovës, jo “Kosova dhe Metohia”
Së pari, duhet të sqarohet një çështje themelore terminologjike dhe identitare. Kosova nuk e ka emrin kushtetues “Kosova dhe Metohia”. Emri i saj zyrtar, kushtetues dhe ndërkombëtar është Republika e Kosovës. Ky emërtim nuk është çështje preference politike apo terminologjie diplomatike, por shpreh identitetin kushtetues dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Termi “Metohi” i përket një tradite të caktuar historike dhe kishtare serbe, e cila, në diskursin nacionalist, është shndërruar në një simbol të mitologjisë historike dhe të pretendimeve territoriale ndaj Kosovës. Përdorimi i këtij emërtimi si pjesë e identitetit zyrtar të Kosovës përpiqet të imponojë një interpretim të njëanshëm të historisë dhe të legjitimojë një narracion politik që nuk përfaqëson realitetin kushtetues të shtetit të Kosovës.
Një akademik bashkëkohor duhet të bëjë dallimin ndërmjet historisë, mitologjisë dhe realitetit juridik. Historia mund të studiohet dhe të interpretohet në mënyrë pluraliste, por mitologjia nuk mund të shndërrohet në instrument për mohimin e subjektivitetit politik dhe shtetëror të një populli tjetër.
2. Kosova nuk është bashkuar kurrë me Serbinë mbi bazën e vullnetit të lirë të popullit të saj
Pretendimi se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë duhet të ballafaqohet edhe me të vërtetën historike. Kosova nuk është bërë pjesë e Serbisë përmes një procesi demokratik, referendumit apo shprehjes së lirë të vullnetit të popullit të saj.
Përkundrazi, procesi i përfshirjes së Kosovës në strukturën federale jugosllave dhe më pas në kuadër të Republikës së Serbisë, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, u zhvillua në rrethana të jashtëzakonshme politike dhe ushtarake, pa një vendimmarrje të lirë dhe demokratike të popullsisë së Kosovës.
Një moment themelor në këtë histori është Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943 – 2 janar 1944), në të cilën përfaqësuesit e lëvizjes antifashiste të Kosovës miratuan një rezolutë që afirmonte të drejtën e popullit të Kosovës për vetëvendosje, përfshirë të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tij politike. Kjo rezolutë shprehte aspiratën që çështja e Kosovës të zgjidhej në përputhje me vullnetin e popullit të saj dhe me të drejtën për vetëvendosje, në një kontekst ku bashkimi me Shqipërinë ishte një aspiratë e artikuluar politikisht.
Megjithatë, ky parim nuk u respektua në përfundim të luftës. Në korrik të vitit 1945, në rrethana të administrimit ushtarak dhe të kontrollit politik jugosllav, u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili vendosi aneksimin dhe përfshirjen e Kosovës në kuadër të Serbisë federale. Përbërja e kufizuar dhe jopërfaqësuese e këtij organi, rrethanat e mbajtjes së mbledhjes dhe mungesa e një procesi demokratik të vendimmarrjes e vënë seriozisht në pikëpyetje legjitimitetin e pretendimit se ky vendim shprehte vullnetin e lirë të popullit të Kosovës.
Prandaj, historia e vitit 1945 nuk mund të përdoret si argument për të dëshmuar se Kosova ishte bashkuar me Serbinë me vullnetin e popullit të saj. Përkundrazi, ajo dëshmon se çështja e vetëvendosjes së Kosovës mbeti e pazgjidhur dhe se vendimmarrja për statusin e saj u bë në rrethana të imponimit politik dhe ushtarak.
3. Pavarësia e Kosovës është rezultat i një procesi të gjatë historik dhe ndërkombëtar
Akademiku Saičić duket se injoron një fakt themelor: pavarësia e Kosovës nuk është një akt i izoluar, i improvizuar apo një vendim i marrë jashtë kontekstit ndërkombëtar. Ajo është rezultat i një procesi të gjatë historik, politik dhe juridik, që përfshin rezistencën politike të popullit të Kosovës, shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, represionin sistematik të regjimit të Millosheviqit, luftën çlirimtare të viteve 1998–1999, ndërhyrjen ndërkombëtare dhe administrimin ndërkombëtar pas përfundimit të luftës.
Pas përfundimit të luftës, Kosova hyri në një proces të veçantë të ndërtimit institucional nën administrimin ndërkombëtar, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Më pas, në kuadër të procesit të Vjenës, të udhëhequr nga i dërguari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, u zhvilluan negociata të gjata ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Plani i Ahtisaarit, i cili përfshinte garanci të avancuara për komunitetet joshumicë, decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, u bë baza e rëndësishme e procesit të përcaktimit të statusit të Kosovës.
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke e përcaktuar atë si shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Ky akt u realizua në koordinim të ngushtë me partnerët kryesorë ndërkombëtarë dhe me mbështetjen e një pjese të gjerë të bashkësisë ndërkombëtare.
Një moment vendimtar në konfirmimin e ligjshmërisë së këtij akti ishte Opinioni Këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i 22 korrikut 2010. Gjykata, me dhjetë vota kundër katër, konstatoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Kornizën Kushtetuese të Kosovës.
Ky opinion është një dokument juridiko-ndërkombëtar me rëndësi të veçantë dhe nuk mund të injorohet nga asnjë studiues serioz i së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, të cilësosh Kosovën si territor të okupuar të Serbisë do të thotë të injorosh një proces të tërë ndërkombëtar të përcaktimit të statusit të saj, të shpërfillësh institucionet e saj kushtetuese dhe të mohosh realitetin e krijuar nëpërmjet ushtrimit të së drejtës për vetëvendosje.
4. Akademia nuk duhet të jetë burim i nacionalizmit, por institucion i së vërtetës shkencore
Një dimension tjetër i këtij debati është përgjegjësia e institucioneve akademike në ndërtimin e kulturës politike dhe të marrëdhënieve ndërmjet popujve.
Nuk mund të mos kujtohet roli që ka pasur Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve i vitit 1986 në formësimin e diskursit nacionalist serb në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë. Edhe pse nuk mund të reduktohen të gjitha zhvillimet tragjike të viteve në vijim vetëm në këtë dokument, ai u bë një nga referencat më të njohura të nacionalizmit serb dhe të ideve për rikonfigurimin e marrëdhënieve politike dhe territoriale në ish-Jugosllavi.
Ky nacionalizëm, i ndërthurur me politikat hegjemoniste të regjimit të Millosheviqit, kontribuoi në një periudhë tragjike të historisë së Ballkanit, të shënuar nga katër luftëra shkatërrimtare në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ato u shoqëruan me krime masive, spastrime etnike dhe shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, gjenocidi i Srebrenicës është vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Tribunalet Ndërkombëtare. Në Kosovë, Tribunalit të Hagës i takon merita e dokumentimit dhe gjykimit të krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, përfshirë dëbimin masiv, vrasjet, persekutimin dhe transferimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare.
Në këtë kontekst, akademikët e sotëm serbë kanë përgjegjësi të veçantë historike dhe morale që të shkëputen nga trashëgimia e nacionalizmit tradicionalist dhe të mos e përdorin autoritetin shkencor për të legjitimuar pretendime territoriale që i përkasin një epoke të tejkaluar politike.
Do të ishte e pritshme që gjenerata e re e intelektualëve serbë, përfshirë ata që sot përfaqësojnë alternativën studentore, të sillte një qasje të re ndaj së kaluarës dhe të ardhmes së Serbisë. Një qasje që do ta orientonte vendin drejt demokratizimit të mirëfilltë, respektimit të fqinjësisë së mirë dhe integrimeve evropiane dhe euroatlantike. Deklaratat e akademikut Saičić, përkundrazi, japin sinjale se retorika e vjetër nacionaliste dhe hegjemoniste vazhdon të jetë e pranishme edhe në diskursin e atyre që pretendojnë të përfaqësojnë ndryshimin politik.
5. Nga mitologjia historike drejt njohjes së realitetit të ri politik
I drejtohem akademikut Saičić me një këshillë kolegiale: titulli akademik nuk është vetëm një gradë apo status institucional. Ai nënkupton përgjegjësi intelektuale, respekt për të vërtetën historike, përkushtim ndaj metodologjisë shkencore dhe aftësi për të dalluar faktin nga miti politik.
Një akademik nuk duhet të bëhet zëdhënës i pretendimeve territoriale dhe i narracioneve nacionaliste. Ai duhet të jetë në gjendje të kapërcejë kufizimet ideologjike të kohës së vet dhe të kontribuojë në ndërtimin e një kulture të re të dialogut dhe të mirëkuptimit ndërmjet popujve.
Do të ishte në interesin e tij personal dhe në interesin e vetë Serbisë që të distancohej nga trashëgimia nacionaliste e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, e cila për një periudhë të caktuar historike u bë një nga burimet e rëndësishme të artikulimit intelektual të politikave hegjemoniste serbe. Serbia ka nevojë për një akademi moderne, evropiane, demokratike dhe të çliruar nga mitet territoriale të së kaluarës.
Realiteti i sotëm është i qartë: Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, me institucionet e veta kushtetuese, me territorin e vet, me rendin e vet juridik dhe me subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Ajo nuk është territor i okupuar i Serbisë dhe nuk është çështje e përkohshme që pret zgjidhjen sipas aspiratave të nacionalizmit serb.
Është e vërtetë se Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe se ekzistojnë qëndrime të ndryshme ndërkombëtare për statusin e saj. Por ky fakt nuk e ndryshon realitetin e ushtrimit të sovranitetit shtetëror nga Republika e Kosovës dhe as përfundimin juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë.
Interesi strategjik i Serbisë nuk është vazhdimi i kontestimit të Kosovës, por përmbyllja e këtij kapitulli historik përmes njohjes formale të Republikës së Kosovës. Njohja do të ishte një akt i përgjegjësisë politike dhe historike, një investim në paqen afatgjatë dhe një parakusht i rëndësishëm për ndërtimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.
Serbia duhet ta kuptojë se e ardhmja e saj evropiane nuk ndërtohet mbi mohimin e shtetësisë së fqinjit, por mbi respektimin e realitetit politik dhe juridik të rajonit. Integrimi evropian kërkon pajtim me të kaluarën, respektim të sovranitetit, demokraci dhe heqje dorë nga pretendimet territoriale.
Në vend të përfundimit
Historia nuk mund të kthehet prapa, ndërsa mitologjia nuk mund të jetë bazë e rendit juridik ndërkombëtar. Popujt kanë të drejtë të ruajnë kujtesën e tyre historike, por asnjë popull nuk ka të drejtë ta përdorë atë si instrument për të mohuar lirinë, vullnetin dhe shtetësinë e një populli tjetër.
Akademiku Saičić duhet ta kuptojë se Kosova nuk është më çështje e pazgjidhur e së kaluarës, por realitet shtetëror i së tashmes dhe partner potencial i Serbisë në të ardhmen evropiane. Prandaj, në vend që të përsërisë formulat e vjetra për “territorin e okupuar” dhe “pjesën e patjetërsueshme të Serbisë”, ai do të duhej të kontribuonte në ndërtimin e një mendësie të re politike dhe akademike, e cila pranon realitetin dhe i shërben paqes.
Një akademik i vërtetë duhet të ketë guximin intelektual të çlirohet nga mitet e së kaluarës dhe të përballet me të vërtetën e së tashmes. E vërteta e së tashmes është se Kosova është Republikë e pavarur dhe sovrane. Kjo është arritje historike e popullit të saj dhe realitet që duhet respektuar.
Prishtinë, 27 nëntor, 2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
