Gjenerallejtënant Bashkim Jashari pritet ta përfundojë më 30 nëntor mandatin pesëvjeçar në krye të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa zëvendëskomandanti aktual i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, është emri që po përmendet si pasuesi i tij. Sipas raportimit të Gazetës Nacionale, Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga nisma për ndryshimin e Ligjit për FSK-në, përmes së cilës do të krijohej mundësia që Jashari të emërohej edhe për një mandat në krye të ushtrisë. Për një kohë, ekzekutivi kishte shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të nenit 21 të ligjit, por kjo nismë nuk është proceduar më tej. Kështu, emërimi i komandantit të ri pritet të bëhet në bazë të dispozitave aktuale ligjore. Sipas burimeve të cituara nga Gazeta Nacionale, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tashmë ia ka përcjellë Zyrës së Kryeministrit emrin e gjeneralmajorit Enver Cikaqi si kandidat për këtë pozitë. Cikaqi është zëvendëskomandant i FSK-së dhe, sipas të njëjtit raportim, është eprori që i plotëson kushtet ligjore për kandidim, pasi ka mbajtur gradën e gjeneralmajorit për më shumë se 12 muaj. Sipas procedurës ligjore, ministri i Mbrojtjes ia propozon kryeministrit kandidatin për komandant të FSK-së. Më pas, kryeministri ia rekomandon emrin presidentes së Republikës, e cila, në cilësinë e Komandantes Supreme, e bën emërimin përmes dekretit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
